Ish-drejtoresha e Post-Telekomit të Kosovës (PTK-së), Leme Xhema, e dënuar me tri vjet burg, dyshohet se fshihet në Medvegjë.
Burime të gazetës “Express” thonë se ajo po qëndron e qetë në shtëpinë e saj, pavarësisht se Interpoli i është vënë prapa.
Xhema dyshohet se ka kohë që është duke e shfrytëzuar shtëpinë e saj në këtë qytet si vend strehim për t’i ikur fletarrestimit ndërkombëtar të lëshuar muaj më parë nga Interpoli.
Burime të gazetës nga policia tregojnë se kanë marrë të dhëna sipas të cilave, Xhema, në pamundësi për t’u arratisur në vende më të largëta, ka vendosur të qëndrojë në Medvegjë.
“Prej se i është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar, dyshohet se ajo vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e saj në Medvegjë, sepse më larg nuk mund të shkojë”, ka thënë një burim i gazetës, në kushte anonimiteti.
Përderisa ky zyrtar tregon se dyshimet kryesore janë se Leme Xhema gjendet në Medvegjë, organet e rendit në Prishtinë, të cilat atë e kërkojnë nëpërmjet Interpolit, nuk duan të komentojnë shumë për këtë rast.
Ata kanë thënë se tashmë dihet se Policia e Kosovës ka lëshuar urdhër arrestin për arrestimin e ish-drejtores së PTK-së, e dyshuar për disa vepra penale që kanë të bëjnë kryesisht me keqpërdorim të pozitës zyrtare. /Telegrafi/kohaislame