-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“Le të valojë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumi”, reagimet në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë pas veprimit nacionalist të Djokovic

Më të lexuarat

Tenisti serb, Novak Djokovic ka vazhduar me veprimet e tij nacionaliste kundër Kosovës, ai ka shfrytëzuar edhe paraqitjen e tij në turneun kryesor të meshkujve në tenis, për të dhënë mesazhe politike.

Ditën e enjte, Djokovic gjatë prezantimit para ndeshjes me Britaninë e Madhe, u prezantua me këngë nacionaliste për Kosovën.

“Le të valojë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumi”, ishte njëra nga fjalitë e tekstit të këngës që u prezantua nga ai, transmeton Telegrafi.

E, për këto ka pasur reagime të shumta në Kosovë, Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, në platformën “X”, e ka quajtur të neveritshme këngën, ndërsa ka parashtruar pyetje se pse “Davis Cup” lejon këngë të tilla.

“Pse Davis Cup lejon një këngë të tillë në një garë tenisi, a e dini tekstin? E neveritshme”, thotë Selimi.

 

Për këngën nacionaliste të paraqitur nga sportistët serbë ka reaguar edhe deputeti gjerman, Reinhard Butikofer.

Deputeti gjerman ka ironizuar me propagandën serbe, ndërsa thotë se sanksionimi i Kosovës dhe qetësimi i Serbisë është një strategji madhështore.

“Jo nuk duhet ta marrim seriozisht propagandën ultranacionaliste serbe. Po, sanksionimi i Kosovës dhe qetësimi i Serbisë është një strategji madhështore.  Apo mos është e gjitha kjo ndoshta e gabuar”,ka shkruar Butikofer.

 

Një reagim të ashpër lidhur me këngën e prezantuar të enjten, ka bërë edhe analisti boshnjak, Jasmin Mujanoviq.

Ai thotë se është e pabesueshme që askush në “Davis Cup”, nuk ka bërë kontrollimin e teksteve të këngës hyrëse të tenistit serb.

“Një simpatizant i njohur i së djathtës ekstreme – pasi është një nga himnet më famëkeqe bashkëkohore serbonacionaliste, duke promovuar në mënyrë eksplicite aneksimin e Kosovës dhe Malit të Zi”, pohon Mujanoviq në platformën “X”.

Më tej, Mujanoviq, ka shtuar: Turp të kesh ‘Davis Cup”, që shfaq këngë nacionaliste, që bëjnë thirrje për aneksimin serb të Malit të Zi dhe të Kosovës.

 

Ndërsa, analisti politik nga Mali i Zi, Ljubomir Filipoviq po ashtu ka thënë  “Davis Cup” duhet të ketë turp që ka lejuar shfaqjen e këngës nacionaliste.

“Kosova dhe Mali i Zi! E egër, Djokovic vazhdon të promovojë agjendën e tij nacionaliste ruso-serbe”, vijon reagimi i analistit nga Mali i Zi.

 

Vlen të përmendet fakti që tenisti serb në vazhdimësi përdor sportin për të dhënë mesazhe politike që kanë të bëjnë më Kosovën.

Para disa muajsh, Djokovic në finalen e French Open ka shkruar në njërën nga kamerat: “Kosova është zemra e Serbisë – Ndaleni dhunën”.

Gjithashtu, ai është parë duke bërë edhe homazhe për terroristët serbë të cilët kishin sulmuar Policinë e Kosovës më 24 shtator, ku ishte vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Djokovic kishte postuar një fotografi në profilin e tij në Instagram nga tempulli i Shën Savës në Beograd, ku janë ndezur qirinj për serbët e vrarë në Kosovë.

Për veprimet e tij, pasur në vazhdimësi reagime. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit