2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Le të mos jenë njerëzit shkak për pikëllimin apo lumturinë tënde

Më të lexuarat

Në rrëfimet e njohura popullore qëndron se një grua një ditë nga dritarja shikonte rrobat e njollosura në ballkonin e fqinjës, të cilën e kritikonte për mungesë pastërtie të rrobave të saj. Burri i saj u ngrit dhe e fshiu xhamin e dritares, kështu gruaja zbuloi se papastërtia ishte në xhamin e dritares së saj dhe jo në rrobat e varura të fqinjës së saj. Sa prej akuzave ua adresojmë njerëzve ndërsa po u ndalëm pak për të menduar do të zbulojmë se gabimi qëndron tek ne dhe jo tek të tjerët. Po kështu, në shumë raste, ne presim se njerëzit do të na dhurojnë lumturinë apo ata do të jenë shkak i pikëllimit dhe dëshpërimit tonë ndërsa po të mendonim pak më shumë do të gjenim se, jo njerëzit, por ne jemi ata që shkaktojmë lumturinë apo pikëllimin tonë. Ka shumë fjalë të ruta dhe shembuj që vërtetojnë këtë botëkuptim, si fjala vjen thëniet: “kush i vëzhgon njerëzit, do të vdes i brengosur”, “kënaqësia e njerëzve është qëllim që nuk arrihet.” Kjo thënia e dytë i atribuohet Imam Shafiut [All-llahu e pastë mëshiruar!] ndërsa ka dhe një shtesë plotësuese: “…kështu që merru me atë që të përmirëson dhe mbahu për saj, ndryshe, nuk mund ta arrish dot kënaqësinë e tyre.” Për këtë shkak thuhet: “Kënaqësia e njerëzve është qëllim që nuk arrihet ndërsa kënaqësia e All-llahut është qëllim që nuk lihet!” Si mjet i dobishëm që do të ndihmonte për të arritur lumturinë e kësaj dhe botës tjetër është dhe përvetësimi i një sistemi vlerësues, sipas të cilit do të vepronte njeriu duke mos çarë kokën se pajtojnë apo jo njerëzit. E rëndësishme është që të punojë atë që e kënaq Zotin e njerëzve, jo vet njerëzit, dhe, përderisa është i bindur se ajo që vepron është e drejtë, e duhur dhe e qëlluar, atëherë të mos pikëllohet nëse sheh se njerëzit kanë ndryshuar qëndrim ndaj tij, sepse, siç thuhet, “njerëzve nuk iu pëlqen çudia dhe as agjërimi në muajin rexheb.”

Ndoshta këtu zë vend edhe rrëfimi i njohur i Nasradin Hoxhës me të birin që me gomar kishin shkuar në treg, ku kishte dëgjuar njerëzit duke thënë: “Shihe sa i padrejtë që është Nasradini, i ka hipur gomarit bashkë me të birin ndërsa gomar gati është duke ngordhur nga rraskapitja.” Nasradini zbriti nga gomari ndërsa të birin e la hipur. Tani dëgjonte njerëzit duke thënë: “Sa djalë arrogant që qenka ky dhe sa pak respekt paskësh për babanë e vet. Si ka mundësi që ai të hip në gomar ndërsa babai të ecë në këmbë?!” Nasradini i tha të birit të zbriste sepse njerëzit po flisnin dhe hipi vet. Udhëtoi pak kur ja tani njerëzit flisnin: “Sa i pashpirt dhe vrazhdë që qenka, si po e lënka të birin të ecë në këmbë ndërsa vet i hip gomarit.” Për të pushuar njerëzit së foluri dhe për të fituar kënaqësinë e tyre, Nasradini e mori gomarin dhe e barti mbi shpinë. Njerëzit ani filluan ta shohin me sy përbuzës dhe tallës: “E bleu gomarin që t’i bëhet vet gomar!” –thoshin.

Pavarësisht në është apo jo i vërtetë tregimi, përshkrimi që i bën gjendjes së njerëzve është i vërtetë. Nasradini çdoherë u mundua të fitoj simpatinë e njerëzve, por, siç thuhet, “kënaqësia e njerëzve është qëllim që nuk arrihet.” Edhe Profeti ynë i dashur, Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem], pavarësisht faktit se All-llahu e përzgjodhi atë nga familja më e mirë dhe e bëri njeriun më të mirë, prapë disa njerëz përreth tij nuk u ndanë të kënaqur me të. Profeti ynë fisnik mërzitej dhe pikëllohej kur idhujtarët e braktisnin besimin dhe i shmangeshin atij, ndërsa All-llahu i Madhëruar e këshilloi:

“فلا تذهب نفسك عليهم حسرات”

“…Ti mos e shqetëso veten deri në shkatërrim për humbjen e tyre!…” [Fatir: 8]

Pra, mos e shkatërro veten dhe mos u dëshpëro për shkak të atyre njeryve për shkak të vendimit të tyre për të të mos pasuar sepse Profetit nuk i ngarkohet tjetër gjë pos kumtimit. Në një ajet tjetër nga Kur’ani All-llahu këshillon të Dërguarin që të mos e shkatërrojë (mërzisë) veten pse njerëzit nuk po e pasojnë por të bëjë atë që i ngarkohet:

“فَلَعَلَّكَ بَاخِعٌ نَّفْسَكَ عَلَىٰ آثَارِهِمْ إِن لَّمْ يُؤْمِنُوا بِهَـٰذَا الْحَدِيثِ أَسَفًا”

“A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?” [El-Kehf: 6]

Që d.t.th.: mos e shkatërro veten për shkak të refuzimit të besimit nga ana e tyre, sepse All-llahu dynjanë e bëri vendsprovim, e jo vendargëtim (vendshpërblim). Thotë All-llahu:

“إنا جعلنا ما على الأرض زينة لها لنبلوهم أيهم أحسن عملا”

“Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë.” [El-Kehf: 7]

Çdo njeri bart përgjegjësinë e vendimit të ve ndërsa All-llahu është Ai që gjykon dhe llogarit të gjithë.

Kështu, Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] përvetësoi një vizion të qartë duke na mësuar edhe neve që të kemi vizione të qarta dhe ta dimë se për kërkimin e kënaqësisë së kujt duhet të punojmë e angazhohemi. Thotë Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]:

“مَنْ الْتَمَسَ رِضَا اللَّهِ بِسَخَطِ النَّاسِ كَفَاهُ اللَّهُ مُؤْنَةَ النَّاسِ، وَمَنْ الْتَمَسَ رِضَا النَّاسِ بِسَخَطِ اللَّهِ وَكَلَهُ اللَّهُ إِلَى النَّاسِ”

“Kush e kërkon kënaqësinë e All-llahut me hidhërimin e njerëzve, All-llahu do t’i mjaftojë kundër të këqijave dhe të ligave të njerëzve. Ndërsa kush e kërkon kënaqësinë e njerëzve me hidhërimin e All-llahu, All-llahu do t’ia lërë atë (dhe punën e tij) njerëzve.”

Ai që kërkon kënaqësinë e njerëzve, All-llahu punën e tij do t’ia ngarkojë njerëzve, e i tilli do të jetojë i pikëlluar, varfër, dëshpëruar, stresuar dhe në ankth. Sartri ka themeluar një filozofi të plotë (por ateiste), ekzistencializmi, motoja e të cilës është “të tjerët janë ferri”, duke anuluar të gjitha vlerat në të cilat besojnë njerëzit. Ndryshe nga kjo filozofi, Islami na mëson se ne duhet të respektojmë njerëzit, t’i vlerësojmë ata, të jemi të kujdesshëm dhe të marrim në konsideratë parimet e tyre por, në të njëjtën kohë, jo edhe të lejojmë që ata të na bëhen standard apo kriter i punës, veprimtarisë he sjelljeve tona dhe aq më pak të nxitojmë për të fituar kënaqësinë e tyre. Sa familjet janë prishur e shpërbërë për shkak se kanë kërkuar kënaqësinë e të bijve dhe jo kënaqësinë e All-llahut, andaj të meditojmë e të marrim mësim!

Dr. Xhasim Mutavva
Burimi: http://www.alyaum.com/article/4133274
Përshtati: Dr. Sedat ISLAMI

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit