„Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më mirë se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus, 58)
Patjetër duhet të mësohemi t’i trajtojmë dhimbjet tona me gëzim dhe disponim të mirë.
Ekzistojnë shumë gjëra me të cilat mund të gëzohemi. Duhet të gëzohemi për njerëzimin tonë, duke e ditur se Allahu i ka dhënë kaq shumë njerëzimit.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Na, me të vërtetë, i kemi nderuar bijt e Ademit: u kemi bërë të mundshme të udhëtojnë në tokë dhe në det, duke i furnizuar me gjellëra të shijshme, dhe u kemi dhënë përparësi të madhe ndaj shumicës nga ata që i kemi krijuar.“ (el-Isra, 70)
Dhe Ai thotë: „Me të vërtetë, Na e kemi krijuar njeriun në formën (harmoninë) më të bukur.“ (et-Tin, 4)
Ne do të duhej të gëzohemi për begatitë që i kemi, e të cilat shpesh i neglizhojmë ose i marrim si të mirëqena. Ne duhet ta ndiejmë gëzimin që jemi gjallë. Duhet të gëzohemi për familjen dhe të dashurit tanë, dhe për caktimin që na ka dhuruar Allahu.
Ne duhet të gëzohemi duke e falënderuar Allahun për begatitë e Tij, sepse për shkak të falënderimit tonë, Allahu do të vazhdojë të na dhurojë begati.
Kur Allahu i Plotfuqishëm në ajetin e lartpërmendur thotë: „Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen“ – Ai na fton që të gëzohemi për begatitë dhe mëshirën e Tij. Kjo u referohet të gjitha të mirave që Allahu na ka dhënë në jetën tonë, duke e përfshirë, por pa u kufizuar, edhe pasurinë materiale.
Sa u përket begative të Allahut në lidhje me pasurinë materiale, Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Nuk është mëkat të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë (materiale)…” (el-Bekare, 198)
Allahu gjithashtu thotë: “…Kurse disa të tjerë udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar dhuntitë e Allahut (për jetesë)…” (el-Muzzemmil, 20)
Begatitë e Allahut kanë të bëjnë me masat paraprake të Tij – në gjithçka që Ai na jep, ta marrim në mënyrë të shëndetshme dhe të ligjshme. Edhe nëse na është dhënë pak, nuk duhet të lodhemi shpirtërisht dhe emocionalisht në kërkim të pasurisë dhe garës së vazhdueshme me ata që mund të kenë më shumë prej nesh. Një pasuri e vogël që i plotëson nevojat tona, është shumë më e mirë se bollëku i pasurisë që shoqërohet me lakmi dhe pakënaqësi.
Allahu i Plotfuqishëm, gjithashtu na flet që të gëzohemi për mëshirën e Tij, të cilën mund ta gjejmë në njohuritë tona për Të, në fenë tonë, në shpalljen e Kuranit dhe në mirësinë të cilën Ai e ka vendosur në zemrat tona.
Kjo është arsyeja pse pejgamberi Muhamed (savs), ka thënë: “Zilia lejohet vetëm ndaj dy personave: njeriut i cili e di Kuranin, e mëson atë ditë e natë dhe punon sipas tij, dhe njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri, dhe ai ditë e natë e shpërndanë atë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Në këta dy shembuj që i përmend pejgamberi Muhamed (savs), janë treguar njerëz, të cilëve Allahu u ka dhuruar begati të kësaj bote dhe mëshirën e Tij shpirtërore – të mirën e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Kur e arrijmë gëzimin dhe kënaqësinë në këto dy aspekte, atëherë ne e kemi arritur lumturinë e vërtetë të kësaj bote. Kjo është begati të cilën Allahu ia jep atij që Ai dëshiron.
Për më tepër, begati është të lindësh në fe, sepse feja na bën që të gjitha shpresat tona t’i mbështesim tek Allahu, dhe të gjitha aspiratat tona t’i drejtojmë për ahiret. Feja na mundëson që të shikojmë edhe përtej gjendjeve tona momentale – madje edhe të atyre që duken si të pashpresë – me pritje se ato do t’i kapërcejmë me mëshirën e Allahut.
Feja na jep fuqinë, e cila na nevojitet për të qenë këmbëngulës.
Selman el-Auda; IslamBosna.ba
Përkthim: Miftar Ajdini