Dy vite pasi policia zbarkoi në fshatin famëkeq dhe spastroi plantacionet e marijuanës, banorët po luftojnë të përshtaten me situatën e re.
Dyqani i vogël ushqimor i Harsika Bashës në qendër të Lazaratit është një nga pak bizneset që ende funksionojnë në fshatin famëkeq që ndodhet në shpatet shkëmbore të Malit të Gjerë në Shqipërinë jugore.
“Gjithçka që fitojmë nga dyqani shkon për taksa dhe faturë energjie. Nuk e kam idenë se si do të mbijetojmë,” i tha ajo BIRN.
Basha tregon një bllok të trashë me emrat e të gjithë fshatarëve që kanë marrë gjëra nga dyqani i saj dhe që e kanë shkruar emrin në listë. Ata nuk mund të paguajnë menjëherë për blerjet e tyre në shumicën e rasteve.
Lazarati fitoi njohje ndërkombëtare disa vite më parë për prodhim të drogës në shkallë të gjerë. Kjo gjë vinte në punë shumicën e burrave, grave dhe ndonjëherë fëmijëve në fshat ndaj të cilit policia nuk kishte akses ose autoritet.
Gjithçka ndryshoi në qershor 2014 kur më shumë se 500 policë të armatosur mësynë në fshat nga ajri dhe toka.
Ata dogjën plantacionet e marijuanës, shkatërruan stoqet e drogës, bastisën shtëpitë, sekuestruan të gjitha armët dhe municionet që mundën të gjenin dhe arrestuan dhjetëra burra vendas.
Pas operacionit të policisë, një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë në historinë e viteve të fundit, qeveria deklaroi se fshati ishte i pastruar nga aktiviteti kriminal.
Qeveria tha se fshati dhe 6000 banorët e tij mund të fillonin tashmë “një jetë normale” dhe u zotua të jepte fonde dhe të miratonte programe që do ta ndihmonin komunitetin t’i mbijetonte një epoke të re pa prodhim marijuane.
Shumica e fshatarëve kanë kërkuar që atëherë mjete të reja jetese po pa shumë sukses.
Lazarati paguan çmimin më të madh
Fshatarët shfaqen të dyshimtë ndaj të porsaardhurve, veçanërisht gazetarëve. Shumë pak janë të gatshëm të flasin, dhe nëse e bëjnë këtë, në kushte anonimiteti.
Ata thonë se organizatat vendase të medias kanë qenë prej kohësh paragjykuese ndaj tyre, duke i portretizuar si kriminelë të thekur kur kultivonin marijuanë vetëm si mënyrë për të jetuar.
“Ne na quajtën kriminelë se kultivuam [marijuanë] kur shteti e lejoi me dijeni tregtinë e marijuanës për rreth 10 vjet,” tha për BIRN një nga vendasit që nuk donte të identifikohej.
I njëjti fshatar shtoi se nuk donte të fliste me median sepse kishin frikë nga pasojat që do t’i vinin prej qeverisë.
“Secili prej nesh që ka folur me një televizion në 2014 për atë që po ndodhte në fshat është arrestuar. Nuk dua të rrezikoj pasi kam mjaft probleme të miat,” vazhdoi ai.
Shumë fshatarë janë të irrituar dhe të zemëruar rreth faktit se shumë prej atyre që janë arrestuar dy vite më parë mbeten në burg.
Sipas tyre, qeveria dikur bënte një sy qorr ndaj fshatrave që prodhonin dhe eksportonin marijuanë.
Por në vitin 2014 dhe në fillim të vitit 2015 rreth 120 burra nga Lazarati u arrestuan me akuzat e kultivimit të drogës dhe pengimit të punës së policisë.
Banorët thonë se rreth 60 prej tyre u dënuan me shtatë deri në 18 vjet burg dhe thuajse të gjithë e quajnë këtë të padrejtë.
Administratori i Lazaratit, Nexhit Jupi, i caktuar për t’u kujdesur për jetën e përditshme të fshatit nga bashkia Gjirokastër, thotë se burgosja e fshatarëve ishte e padrejtë.
“Nuk është e drejtë që njerëzit e këtij fshati janë ende në burg,” i tha ai BIRN duke shtuar se shumë prej komuniteteve vendase të përfshirë në prodhimin e marijuanës në Lazarat paguan çmimin më të lartë.
“E gjithë Shqipëria ka përjetuar probleme si [kultivimi i marijuanës] në të shkuarën dhe tani është koha të shohim përpara drejt një të ardhme më të mirë dhe të mos i mbajmë njerëzit në burg,” vazhdoi ai.
Ali Basha, 52 vjeç, që shërben kafe dhe birra në barin e tij në autostradën që lidh Lazaratin me Greqinë ishte një nga pak burrat që qe i gatshëm të fliste rreth këtyre problemeve.
Ai e ka shlyer dënimin e tij në burg. I dënuar me pesë vite për kultivim të marijuanës dhe posedim të paligjshëm armësh, ai u lirua dy muaj më parë.
“Isha me fat që përfitova nga amnistia e presidentit dhe dola nga burgi i Bençës, por shokët e mi janë ende atje,” tha ai.
“Ata na trajtojnë si kriminelë sepse… shteti nuk e do Lazaratin – ne kemi qenë përherë të huaj për ta,” shtoi ai.
Në kërkim të mjeteve të jetesës
Përveç shokëve dhe të afërmve të tij që janë ende në burg, ajo që i dhemb fshatarëve të Lazaratit është se pasi ka jetuar prej kultivimit të marijuanës prej një dekade, fshati u la pa thuajse asnjë mjet jetese për dy vite.
Papunësia është e pranishme pasi më shumë se 70 për qind e bizneseve në fshat u mbyllën, i thanë fshatarët BIRN.
Ata kanë mbjellë patate dhe qepë thjesht për të pasur ushqimin bazë për dimrin. Megjithatë, ata theksojnë se Lazarati, mjaft gëlqeror, është një tokë shumë pak pjellore dhe ka një klimë të ashpër – ndaj nuk ka qenë kurrë i mirë për ndonjë gjë tjetër veç marijuanës. Mungesa e kullotës do të thotë gjithashtu se rritja e bagëtisë nuk ka qenë kurrë një mundësi.
Fshatarët thonë se ka fusha pjellore rreth 8-10 kilometra larg shtatit por toka zakonisht përmbytet nga tetori në prill dhe nuk mund të kultivohet lehtësisht.
“Ne nuk e përdornim atë tokë as për të rritur marijuanë. Të gjithë bimët ishin në fshat, ku hapnim gropa në tokë për t’i bërë të rriteshin,” i tha një nga banorët BIRN.
Disa fshatarë menduan të mblidhnin dhe të shisnin bimë të egra mjekësore nga malet përreth, por opsioni u mbyll pasi qeveria e re e ndaloi mbledhjen e bimëve të egra jashtë zonave të afërta të banimit.
Edhe Vilson Gjini, lideri informal i fshatit është i papunë dhe mezi po arrin të ushqejë gruan dhe pesë vajzat e tij.
“Nuk më kujtohet koha kur isha në vështirësi të tilla financiare si sot. Edhe në komunizëm ishte më mirë ngaqë të paktën blije ushqim pasi punoje në kooperativë,” i tha ai BIRN, duke iu referuar kooperativës së vjetër bujqësore që është mbyllur që atëherë.
Një banor i Lazaratit i tha BIRN se situata e vështirë financiare i kishte detyruar shumë njerëz të emigronin në Greqinë fqinje ose më larg shtetit.
“Njerëzit po gjejnë mënyrë të paligjshme për të emigruar në Kanada dhe në SHBA megjithëse jo gjithnjë me sukses,” tha ai, duke kërkuar që të mos i dilte emri.
Rreth 150 fshatarë u përpoqën të merrnin azil në Gjermani, por kërkesat e tyre u refuzuan dhe të gjithë u kthyen sipas fshatarit.
Të harruar nga qeveria
Kreu lokal Vilson Gjini thotë se problemet e Lazaratit janë përkeqësuar nga faktorët administrativë dhe politikë.
Sipas reformës territoriale dhe administrative të vitit të shkuar, Lazarati dhe shumë komunitete të tjera lokale të vogla u shkrinë dhe iu ngarkuan bashkive më të mëdha.
Lazarati u bë pjesë e bashkisë Gjirokastër kryebashkiaku i të cilit caktoi një administrator për Lazaratin nga Partia Socialiste në qeverisje.
Gjini e sheh si problem që ndërsa partia socialiste e kryeministrit Rama drejton Gjirokastrën, thuajse kushdo në Lazarat votoi për Partinë Demokratike në opozitë, në zgjedhjet e fundit të qershorit 2015.
Gjini beson se për këtë shkak, Rama nuk i mbajti kurrë premtimet e investimeve të reja në Lazarat pas mësymjeve të policisë dy vite më parë.
“Në dy vite ne nuk morëm asnjë investim. Asnjë vend pune nuk u krijua dhe asnjë shërbim social nuk u ofrua,” tha Gjini për BIRN.
“Ne nuk kemi asgjë kundër administratorit ngaqë ai është i vendas, por nuk ndihemi më të përfaqësuar,” tha ai, duke shtuar se ishte më mirë kur Lazarati kishte komunën e vet. “Tani nuk kemi zë,” shtoi ai.
Përveç mungesës së përfaqësimit dhe investimeve, fshatarët ankohen se numri i zyrtarëve lokalë vendas ka rënë nga 25 në 11.
Fshati ka gjithashtu probleme me mbledhjen e plehrave dhe transportimin e fëmijëve në shkollën më të afërt, që është 1.5 kilometra larg. “Po kthehemi në një geto dhe askujt nuk i intereson,” përmbylli Gjini.