2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Lazarati, dy vjet pas aksionit që zhduku hashashin (Video)

Më të lexuarat

Mes zërit të imamit që thërret për besim, ditët në fshatin Lazarat ngjajnë sikur kanë ngecur në vend, aty ku ishin dy vjet më parë.

“Rrëmujë të madhe bënë. Erdhën për të shkulur hashashin, u futën dhe nëpër shtëpira pastaj”, thotë një banor i moshuar i fshatit.

Asgjë nuk ndryshon edhe në mure, sikurse grumbujt e gurëve përtej të cilëve humbi jetën në detyrë efektivi Ibrahim Basha. Por duket se muret në Lazarat janë mënyra më e mirë e asaj që duan të shprehin banorët ndaj policisë. “F*** police”, “F*** Edi”, shkruhet në to.

Dy vjet pas rënies së mitit të Lazaratit, e shkuara duket se është mbërthyer ende fort tek e tashmja. Banorët vijojnë të mendojnë se janë diskriminuar, ndërsa ka nga ata që nuk i kanë hequr fuçitë e përshtatura dikur për mbjellje hashashi në tarracat e shtëpive.

“Vetëm një përgjigje kërkojmë nga shteti, pse nuk zuri të inkriminuarit por i lëshoi dhe ikën? Janë ata që shesin drogën, ata janë të tijët. Pse nuk i kapi, por mori 150 burra e futi në burg duke i dënuar 5-6 vjet”, thotë një tjetër i moshuar.

“Pse s’dënohet shkaktari? Shkaktari është shteti, politika”, shprehet një tjetër.

Përballë një fshati që nuk guxon më të mbjellë drogë në kopështin e Dritë Nurit, një e moshuar nga fshati u kap këtë verë me kanbis dhe për këtë ajo mbahet në arrest shtëpiak. Ajo nuk pranon të flasë, sikurse të gjitha gratë në këtë fshat, që tashmë mendojnë se si ato duhet të heshtin, ashtu si edhe burrat.

Dy vjet më pas hashashi u zhduk nga Lazarati, por po shfaqet në të gjithë Shqipërinë. Një arsye më shumë pse banorët e mbetur në këtë fshat, që dikur konsiderohej mbretëri e drogës, të mendojnë se sulmi ndaj tyre ishte i padrejtë.

“Të nevrikosur jemi. S’ka shpresë, u vra shpresa për të nesërmen. Shpresa për një variant pune”, thotë banori i radhës.

“Hashashin e marrin të tjerët, por ishin të punësuar 3 mijë veta, nga gjithë Shqipëria. Nga Elbasani, Gjirokastra, Tepelena. Tani shikojeni”, thotë një tjetër.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit