-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Laicizmi i Dytë – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

RUDIAN ZEKTHI

Tërmeti i 21 shtatorit nxori në pah faktin që shoqëria shqiptare nuk mbështetet në bindjen se tërmeti mund të ketë kuptim, të cilin ende nuk e kemi gjetur, por mbështetet pa asnjë brengë në bindjen se tërmeti është i pakuptimtë; pra, jo tani, jo këtu dhe jo vetëm për ne, por për nga natyra e tij, tërmeti nuk ka kuptim. Pas këtij konstatimi bëhen të pashmangshme pyetjet e mëposhtme: A është … një përjashtim tërmeti apo kulturalisht shoqëria jonë ka adaptuar pozicionin se në tërësi gjërat janë të pakuptimta?

A na shqetëson familjarizimi me mungesën e kuptimeve apo na duket e natyrshme
që kuptimet mungojnë?
A ekziston mundësia që pretendimi se ky është një përjashtim, ose një nga përjashtimet të jetë iluzion: ato që shoqëria jonë i quan kuptime, janë thjesht funksione?
Nëse është kështu, cili është shpjegimi, paraprakisht gjeneza e një gjendjeje të tillë?
Nëse është kështu, cilat janë pasojat e një gjendjeje të tillë?
Nëse është kështu, a mund të dilet nga një gjendje e tillë?
Do mundohemi në vazhdim të japim një përgjigje të unifikuar për këto pyetje.

I. Gjatë kohës kur Umër bin Hatabi ishte Kalif, në Medine bie tërmet. Thuhet se Umri mbledh myslimanët dhe u kërkon të heqin dorë nga gjynahet, sepse përndryshe nëse binte sërish tërmet ai do ta largohej prej tyre. Kuptimi i këtij paralajmërimi qëndron në faktin që myslimanët e dinë që tërmeti është një nga shenjat ndëshkuese/tmerruese të Zotit të të gjithë botërave. Me siguri që tërmeti është diçka krejt e padëshirueshme, frikësuese dhe shkatërruese, por kjo nuk do të thotë se nuk ka kuptim: në fakt, pikërisht te këto cilësi dëmtuese qëndron kuptimi i tij: përkujtim për fuqinë e Zotit dhe ndëshkim i hapur prej Tij për gjynahet e njerëzve. Kështu, ne mund të themi se një tërmet si ai i 21 shtatorit me gjithë intensitetin e vet të madh, ishte vetëm thjesht përkujtim, në dallim nga një tërmet shkatërrimtar me të vdekur, i cili është në të njëjtën kohë edhe përkujtim, edhe ndëshkim. Por një pohim i tillë nuk thuhet në publik, sepse Zoti nuk duhet përmendur në publik, por, edhe nëse kjo pohohet, kalon përmes një teodiseje automatike, pra, bëhet për ta refuzuar Zotin, meqenëse ai ndëshkon në mënyrë kaq tmerruese (a thua se refuzimi i Zotit do të sillte edhe refuzimin e tërmeteve, a thua se tërmete nuk do të ndodhnin më.)

II. Pikërisht këtu, e kishim fjalën në premisën tonë: për aq sa tërmeti ishte çështja kryesore në ligjërimin publik shqiptar, mediat, gazetarët dhe paria politike dhe kulturore e vendit nuk e përmendën fare Zotin. Dhe ç’është më shqetësuese, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk e përmendën as njerëzit e thjeshtë. Dhe në mungesë të kësaj përmendjeje, ligjërimi për tërmetin u zbraz nga kuptimi dhe vlera dhe i mbetën vetëm dy mundësi. Së pari, përshkrimi si fakt, pra, i cilësive të tij fizike të dukshme, të matshme dhe të verifikueshme kur ai shfaqet. Nëpërmjet këtij përshkrimi, njerëzit janë në gjendje ta pajisin me një funksion tërmetin, pra, të dinë që ai të dëmton, shkatërron dhe vret, por këto efekte të tërmetit jo thjesht nuk kanë shpjegim (megjithëse, duke i dhënë tërmetit një protokoll sesi teknikisht ndodh, ky në thelb është një lloj shpjegimi), por nuk kanë kuptim; dhe nuk kanë kuptim jo ngaqë hëpërhë nuk arrihet t’u jepet një kuptim, por ngaqë nuk ka mundësi të ketë asnjëherë kuptim. Tërmeti kështu legjitimon për ne ekzistencën e gjërave të pakuptimta.

Dhe duke qenë se boshllëku i vendit të natyrshëm që duhet të zënë kuptimet, në një mënyrë ose tjetrën duhet të mbushet, u pa të ndodhte gjatë ditëve të tërmetit që në ligjërimin publik, si një mundësi e dytë pas përshkrimit të faktit, të zinte gjithmonë e më tepë vend përshkrimi i ndjesive të njerëzve të përfshirë nga tërmeti. Duke qenë pa kuptim dhe meqenëse nuk qe ndëshkues, por vetëm përkujtues, pashmangshmërisht nuk pati dot as funksion (sepse që të shërbente si përkujtim, do të duhej që të përmendej Zoti në publik, pikërisht si Zot, përherë i Gjallë dhe i Pranishëm, që jep jetë dhe vdekje); e duke mos pasur dot as funksion, pashmangshmërisht njerëzit bënë ç’mundën: e paraqitën tërmetin të personalizuar, pra, si një fenomen që u mundësoi një përvojë të rrallë në mos të re, që i nxori nga rutina dhe i bëri protagonistë të një gjëje shumë më të madhe se rëndomtësia e jetës së përditshme.

Ky personalizim i tërmetit nuk është kuptimi i tij, por një përdorim i tij, gjetje e një funksioni me çdo çmim, në kushtet kur kuptimi është i pamundur. Dhe gjetja e këtij funksioni gati eksitues, në të vërtetë jo vetëm heroizon përvojat rutinore të individëve, por edhe maskon mungesën e kuptimit, ose më saktë: boshllëkun e mungesës së kuptimit. Maskimi i këtij boshllëku, është, në fakt, çështja që donim të vinim në dukje këtu: nëse nuk ka Zot, rrezikojmë të mos kemi edhe kuptime dhe për pasojë kur refuzohet Zoti, refuzohen kuptimet; nëse Zoti refuzohet në hapësirën publike, si pasojë e restrikcioneve të laicizmit, në fakt, në një mënyrë ose tjetrën, janë kuptimet që refuzohen në hapësirën publike. Dhe e kemi fjalën ekskluzivisht për refuzimin e Zotit në hapësirën publike, sepse vetëm ky refuzim sjell herët a vonë refuzimin e kuptimeve për të gjithë. Ndërkohë që refuzimi individual i Zotit nuk sjell asfare mundësinë e refuzimit të kuptimeve nga të gjithë. Dhe, përkundrazi, mosprania e kuptimeve në ligjërimin publik e bën, për shumicën dërrmuese të njerëzve, të pamundur gjetjen e kuptimeve individualisht.

Sepse, me siguri, nevoja për Zotin e përfshin nevojën për kuptimet, kurse nevoja për kuptimet me sa duket nuk e përfshin medoemos nevojën për Zotin. Dhe për këtë arsye, nevoja për një ligjërim publik ku flitet për rëndësinë e Zotit dhe marrëdhënies së njeriut me Të, nuk është një luks apo një alternativë, por mundësia më e madhe për të ruajtur individin dhe shoqërinë nga rreziku gjenetik i zëvendësimit të kuptimeve nga funksionet.

III. Nëse si pasojë e dy shekujve intensivë laicizimi në kulturën perëndimore dhe posaçërisht për shoqërinë shqiptare, edhe e dy periudhave intensive laicizimi (mbretëria dhe diktatura), njerëzit duket se janë familjarizuar me mospërmendjen e Zotit në publik, por me sa duket ende nuk janë familjarizuar me mungesën e kuptimeve në ligjërimin dhe hapësirën publike. Prandaj, nëse nuk e maskojnë këtë mospërmendje të Zotit, madje ngulin këmbë tek ajo si një vlerë, ende të papërgatitur vazhdojnë të bëjnë këtë maskim të mungesës së kuptimeve në këtë hapësirë.

Po ashtu, vëmë në dukje se refuzimi i çfarëdo gjëje në hapësirën publike ndodh përmes mospërmendjes, pram, mospranisë në ligjërimin publik: në ligjërimin publik mospërmendja është refuzim. Pra, ky pakt kulturor në shoqërinë shqiptare, mes elitës dhe masës, për të mos e përmendur Zotin për asnjë rast, me sa duket është një nga themelet ku mbështetet edhe paqja mes tyre, por ku mbështetet edhe paqja e tyre me mungesën gjithmonë në rritje për kuptimet.

Që do të thotë se jemi futur (ende pa e ditur se pikërisht kjo po ndodh) në Epokën e një Laicizimi të Dytë. Mos harrojmë që Epoka e Laicizimit të Parë, ndryshe epoka e Modernes, u mbështet mbi premisën që nuk kemi nevojë për Zotin, por kemi aq shumë nevojë për kuptimet sa duhet ta emancipojmë shoqërinë deri në pikën që ajo të jetë origjina dhe vërtetësia e kuptimeve. Por kjo premisë ka qenë që në fillim utopike: individi dhe shoqëria heqin dorë nga kuptimet kollaj, mjaft që kjo dorëheqje të jetë eksituese. Kjo ka qenë një e vërtetë gjithmonë e njohur për individin, por jo për shoqërinë: tani ne jemi dëshmitarë se edhe shoqëria mund të heqë dorë strukturalisht nga kuptimet, mjaft që kjo të shoqërohet me rritje të koeficientit të eksitimit.

Jemi në tranzicionin e një procesi gjysmë të pavetëdijshëm, të sakrifikimit të marrëdhënies me kuptimet edhe në sferën publike në këmbim të ofertës në rritje të eksitimit (thënë ndryshe në tranzicionin mes Laicizmit të Parë dhe Laicizmit të Dytë). Në fakt, duhet të përgatitemi ç’na pret në fund të kësaj faze tranzitore; pra, kur të mos kemi nevojë të maskojmë boshllëkun e kuptimeve dhe t’i jemi dorëzuar kërkesës për eksitim dhe sensacionalizim permanent të përvojave njerëzore. Duke e shndërruar këtë kërkesë në nevojën tonë bazike, do ta shndërrojmë gjithçka në katalitik të eksitimit. Te “Thërrmijat elementare” të Mishel Uellbek, thuhet se kjo tendencë do çojë në perversion dhe mizori, pra, edhe përvojat negative apo traumatike do të shërbejnë si ushqim për urinë përherë të pangopur për eksitim. Që po ta vendosim në linjën e çështjes sonë, do të thotë se vërtet e kemi refuzuar Zotin (ndër të tjera sepse Ai i jep kuptim edhe tërmetit), por si pasojë e këtij refuzimi, rrezikojmë ta rishpikim tërmetin, pra, edhe kur nuk vjen ta kërkojmë si mundësinë tonë të fundit, në mënyrë që pasi humbëm Zotin dhe kuptimet, të ruajmë eksitimin si të vetmen gjë që na mban gjallë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit