0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Laicistët shqiptarë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Laicistët shqiptarë
Laicizmi është një ideologji që i mohon fesë përfshirjen e saj në jetën shoqërore dhe politike të një vendi. Kështu që Laicist është ai që beson se feja nuk duhet të përfshihet me normat, parimet dhe praktikat e saj në aktivitetet e zakonshme shoqërore dhe politike. Laicistët janë ata që dënojnë ndikimin e fesë në sferën publike. Jo detyrimisht çdo laicist është dhe ateist, por zakonisht ateistët janë laicistë.
Është e nevojshme të bëhet ky sqarim, për të bërë dallim mes laicizmit si ideologji kundërshtare ndaj prezencës publike dhe ndikimit social të fesë, dhe laikes si qëndrim neutral dhe ndarjes së shtetit nga ndikimi i institucioneve fetare në të dhe anasjelltas.
Gjatë regjimit komunist, ne si shqiptarë provuam formën më të egër të laicizmit, ku fesë dhe besimit fetar iu ndalua të ekzistonte edhe në hapësirën private, pra atë familjare, individuale dhe brenda objekteve të kultit. Forma të tjera të laicizmit janë p.sh. ai kemalist që instaloi dikur Mustafa Qemali në Turqi, apo laicizmi francez, të cilët edhe pse nuk e ndalojnë fenë, e kufizojnë dukshmërinë e saj së tepërmi në hapësirën publike. Në dallim me këtë, shekullarizmi i SHBA-së i lejon fesë një liri shumë më të madhe shprehjeje në hapësirën publike. Kushtetuta e Shqipërisë është më pranë modelit shekullar amerikan, sesa atij laik kemalist apo francez. Gjithsesi, se çfarë është laike e shekullare apo laicizëm e shekullarizëm, dhe dallimet mes tyre është debat i gjerë, i cili nuk është synimi ynë në këtë shkrim.
Një nga problemet më të mëdha që kanë laicistët shqiptarë, është se ata vazhdojnë të jetojnë me mendësinë komuniste ateiste në nënvetëdijen e tyre dhe kërkojnë jo ndalimin e fesë, por kufizimin e saj në shprehjen e saj publike, duke harruar ose mos ditur se ky kufizim lirie që ata kërkojnë, përbën shkelje të kushtetutës laike të këtij vendi. Për ironi të tyre, termat “laik” apo “shekullar” nuk ekzistojnë fare si fjalë në Kushtetutën e Shqipërisë, por ato nënkuptohen kur flitet për asnjanësinë e shtetit në çështjet fetare dhe mungesën e një feje zyrtare shtetërore.
Një problem tjetër është se laicistët shqiptarë, duke mos u ndjerë aspak rehat me shfaqjen publike të fesë, e përfytyrojnë hapësirën publike jo si një arenë ku konkurrojnë edhe idetë fetare, krahas atyre ideologjike, ekonomike, politike, kulturore dhe sociale, por si një hapësirë monolite ku të gjithë njerëzit, pavarësisht bindjeve të tyre fetare duhet të shfaqen si laikë, dhe bindjet, praktikën dhe jetën fetare duhet ta ushtrojnë vetëm brenda hapësirave të tyre private. Kjo e drejtë sipas laicistëve duhet t’i mohohet fesë, sepse ajo shkaktuaka përçarje kombëtare, trazira sociale, intolerancë fetare dhe ekstremizëm, dhe së fundi, bezdiska edhe shijet e laicistëve! Për ta, vetëm feja bën përjashtim nga pikëpamjet e tjera të njerëzve, sepse vetëm ajo na qenka më e rrezikshme sesa çdo pikëpamje tjetër ideologjike, kulturore, politike dhe shoqërore! Feja, sipas tyre, ka bërë luftëra pa fund, ndërkohë që harrojnë të kujtojnë se luftërat më të mëdha në botë dhe më gjakatare, pikërisht në këto shekujt e fundit, i kanë shkaktuar ideologjitë dhe politikat laike. Në këto mbi njëqind vjet shtet, Shqipërisë, problemet më të mëdha i kanë ardhur dhe vazhdojnë t’i vijnë nga politika dhe jo nga feja, ku aktorët e saj janë laikët dhe jo fetarët. Laicistët e harrojnë këtë gjë dhe fajin për rreziqet që i kanosen këtij vendi ia hedhin shpeshherë fesë dhe fetarëve!
Laicistët shqiptarë merren në debatet televizive me qoshet dhe çështjet dytësore të fesë, si dhe me praktikat dhe sjelljet individuale të njerëzve fetarë, por gati kurrë nuk hyjnë në diskutimin e thelbit filozofik të dallimit mes botëvështrimit laik dhe atij fetar, pasi ata e marrin për të mirëqenë normative botëvështrimin e tyre dhe prej këndej, çdo parim dhe praktikë fetare që atyre iu duket problem, do ta kundërshtojnë deri në atë pikë, saqë kërkojnë mundësisht edhe ndryshimin apo ndalimin e saj, edhe pse në të njëjtën kohë, shprehen se besojnë në lirinë e ndërgjegjes dhe ushtrimit të lirë të besimit!
Laicistët shqiptarë duhet të kuptojnë se komunizmi ka marrë fund në këto troje dhe bashkë me të, edhe detyrimi për të pasur normativë këndvështrimin laik mbi botën. Për mijëra vjet, që nga koha që njihet ekzistenca e shoqërive njerëzore, feja dhe besimi fetar kanë qenë elemente thelbësore në formësimin e normativës sociale dhe kulturore tek njerëzit, duke e bërë atë një burim universal referimi. Ndërkohë, laicizmi nuk ka qenë kurrë i tillë, ai ka qenë dhe mbetet një projekt modern i imponuar me forcën e shtetit dhe të politikës dhe si i tillë, nuk mund t’i vendosë fesë dhe fetarëve kurrsesi normativa referenciale që burojnë nga botëvështrimi i tij aspak universal.
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit