3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Labinot Bajrami, fitues i Get in the Ring Tirana, përfaqëson startup-et shqiptare në kompeticionin ndërkombëtar

Më të lexuarat

Fondacioni Get in the Ring lidh startup-et me novatorët për të zhvilluar biznesin e tyre. Ne punojmë së bashku me drejtuesit e ekosistemit të sipërmarrjes në më shumë se 100 vende.

Get in the Ring njihet për formatin e tij ku startup-et përballen në një ring boksi. Get in the Ring Tirana, i mbajtur më datat 12-14 mars, pas një “beteje” të fortë në ring me 30 startupe nga Kosova dhe Shqipëria, shpalli fitues PublishAR, një ide dhe startup i krijuar nga Labinot Bajrami.

Labinoti, me profesion Inxhinier i Softuerit, është gjithashtu drejtues i startup-it SyncLab. Programimi është një pasion i tij që nga fëmijëria të cilin arriti ta kthejë në profesion. Pas fitores në Get in the Ring Tirana, ai do të përfaqësojë ekosistemin e startup-eve shqiptare në Get in the Ring Global që do të zhvilohet në Portugali.

  • Si ishte për ty kjo eksperiencë? Hera e parë që bëhesh pjesë e kompeticioneve të tilla?

Kjo ishte hera e 2-të e imja që marr pjesë në Get In The Ring, ishim pjesëmarrës edhe vitin e kaluar. Janë eksperienca që vështirë të harrohen për ne, për shumë arsye mirëpo e rëndësishme është se vitin e kaluar fituam një kontratë për një projekt ndërsa këtë vit e fituam eventin, që për ne janë suksese të mëdha.

Jo, kemi marr pjesë në kompeticione të tilla të ngjashme edhe nëpër Europë, si në Poloni, Republikën Çeke, Kroaci e Slloveni. Në të gjitha kemi arritur suksese të mjaftueshme mirëpo suksesi më i madh ka qenë se kemi triumfuar në “Startup Camp Rijeka” duke fituar vendin e parë në mesin e 30 Startupeve nga Balkani, ky event është mbajtur në Rijeka të Kroacisë.

  • Si u ndjeve brenda një ringu “beteje”? A e prisje fitoren?

Për arsye se edhe formati i garës ose formati i ‘pitching’ ishte më ndryshe se të tjerët atëherë ishte një ndjenjë më ndryshe nga ajo me çfarë jam mësuar, edhe pse kishte pushime të shkurtëra pas çdo raundi, presioni rritej për arsye se përballë teje po fliste kundërshtari yt dhe duhej t’i kushtohej vëmendje se çfarë po flet që në raundin tjetër të mundoheshe të ishe më i suksesshëm se ai. Pas fazës së kualifikimit për në ditën finale, pasi kam dëgjuar të gjitha projektet, atëherë bëmë një llogari të thjeshtë, duke e parë që numrat dhe inovacioni ishte në anën tonë, ishim shumë optimist se do ta fitonim, duke u bazuar në këtë edhe e prisnim fitoren, mirëpo nuk i dihet kurrë prandaj edhe pasi jemi kualifikuar për ditën finale, ne ende jemi përgatitur edhe më shumë.

  • Çfarë e bën të suksesshëm një pitching dhe një startup?

Në ‘pitching’ ka shumë rëndësi t’a dish se çfarë je duke prezantuar, apo t’a dish se cili është produkti yt, t’i dish dobësitë dhe pikat e forta të produktit tënd, ka shumë rëndësi modeli i biznesit, që investitorët më së shumti e vlerësojnë atë dhe ka shumë rëndësi personi i cili bën ‘pitching’, zakonisht më të mirët për pitching janë personat që kanë aftësi të mira të shitjes.

Personalisht mendoj se një Startup e bëjnë të suksesshëm 3 gjëra: Ekipi, Inovacioni dhe Pasioni.

  • Bashkë-themelues i platformës AR/VR SyncLab, tashmë vjen me një startup të ri. Na fol pak më shumë rreth platformës që ke krijuar, çfarë është Publish AR?

PublishAR është një platformë e cila lejon çdo njeri që ka qasje në internet të krijoj gjëra me teknologjinë Augmented Reality, edhe nëse ata nuk kanë njohuri rreth programimit apo mjeteve të programimit, ata do ta kenë të lehtë të krijojnë diçka me Augmented Reality dhe gjithçka që ju duhet është qasje në internet, shfletuesi i uebit dhe në ueb aplikacionin tonë mund t’a përdorin “Drag&Drop” për të krijuar gjëra interesante me AR, e kjo teknologji sot është një ndër teknologjitë që po përdoret më së shumti në botë.

  • Po përsa i përket konkurencës si u gjendet përballë saj? Përveç Publish AR, cili startup mendoni se pati prezantimin më të mirë?

Është e vërtetë se ka konkurrencë dhe ekzistojnë platforma të tilla të ngjashme, disa prej tyre edhe shumë të njohura të cilat kanë arritur të marrin investime deri 200 Milionë Dollarë, mirëpo që nga fillimi ne kemi patur dallimet tona prej tyre dhe kjo na bën pak më të veçantë se ata, si dhe gjithashtu çmimi që ofrohet në platformën tonë është shumë më i lirë sesa çmimi i platformave të tjera ekzistuese. Vet fakti që “Glocal Trades” kanë qenë kundër nesh në finale lë të kuptohet që kanë pasur prezantimin më të mirë, por janë edhe disa prezantime të tjera që më kanë lënë përshtypje, e njëra ndër to është edhe “Scooler”.

  • Si i vlerëson startup-et shqiptare dhe ato kosovare, duke qenë se pate mundësinë të njiheshe me ta në këtë bootcamp?

Duke dashur të jem realist them se ka një dallim mes startupeve nga Kosova dhe Shqipëria, në Kosovë në sektorin e Teknologjisë Informative punohet shumë, thuajse në çdo vend në Kosovë ka qendra të Inovacionit e më kryesorja prej tyre “ICK” e cila gjendet në Prishtinë. Përmes këtyre qendrave ne arrijmë të rritemi dhe të jemi në të njëjtin hap me botën në aspektin e inovacionit, ndërsa në Shqipëri e kam parë se këto qendra mungojnë, kjo dhe disa arsye tjera bëjnë që Startupet nga Kosova për shkak të kushteve më të mira që kanë janë pak më përpara.

Vlen të përmendet se dy Startupe nga Shqipëria kanë patur suksese të mëdha dhe ato janë “Dentem dhe Softmogul.

  • Çfarë ndodh më pas? Planet e tua dhe pjesëmarrja në Get in the Ring në Portugali.

Tani jam duke u përgatitur për Portugali dhe fokusi im është gara atje, me ndihmën e ICK-së dhe organizatorëve nga Shqipëria jam duke u përgatitur në çdo aspekt duke filluar nga ‘pitching’ e deri tek biznes modeli. Jam shumë optimist që edhe në Portugali do të jemi kundërshtar të fortë për këdo, planet e mia dhe të ekipit tim janë që t’a përfundojmë produktin PublishAR dhe fokusi i tërë ekipit është ky.

  • Si ndihesh që do të përfaqësosh dy qytetet shqiptare në takimin global të Get in the Ring?

Është nder dhe privilegj i madh për mua që do të perfaqësojë Kosovën dhe Shqipërinë në këtë garë, një ëndërr e bërë realitet dhe shpresoj që të kthehem triumfues.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit