WASHINGTON (AA) – Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se koalicioni ndërkombëtar kundër organizatës terroriste ISIS, i kryesuar nga SHBA-të, që nga muaji gusht i vitit 2014 deri në prill të këtij viti gjatë aksioneve në Irak dhe Siri “gabimisht” ka shkaktuar vdekjen e 484 civilëve, raporton Anadolu Agency (AA).
CENTCOM publikoi raportin më të ri lidhur me viktimat e sulmeve ajrore të koalicionit ndërkombëtar në Irak dhe Siri.
Në raportin thuhet se që nga muaji gusht i vitit 2014, kur nisi operacioni kundër ISIS-it, janë kryer gjithsej 21.035 sulme ajrore. Po ashtu thuhet se në periudhën në fjalë është kërkuar hetim kundër 47 sulmeve ajrore.
Burimet lokale, si dhe disa organizata të caktuara joqeveritare, pohojnë se numri i civilëve të vdekur në sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar është shumë më i madh.