2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kushtetuta e Kosovës nuk është e paprekshme

Më të lexuarat

Kushtetuta e Kosovës, përderisa vlerësohet si Kushtetutë demokratike, ajo nuk është e paprekshme ndaj ndryshimeve brenda saj dhe kjo, deri më tash, është dëshmuar në dy raste, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese.

Megjithatë, sipas tyre, ndryshimet kushtetuese, në vendet demokratike, bëhen për të mirën e përgjithshme. Por, ndryshimet e tilla, siç thonë ata, për shkak të kompromiseve politike, mund ta dëmtojnë vetëfunksionalitetin e shtetit.

Së fundmi, Lista Serbe ka deklaruar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të jetë i mundur pa ndryshime kushtetuese.

Por, siç thonë njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese, për ndryshimet kushtetuese nevojitet konsensus i gjerë brenda spektrit politik ose një kompromis politik, i cili do të prodhonte një pajtim të spektrit politik lidhur me ndryshimet eventuale kushtetuese.

Mazllum Baraliu, profesor i së Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se vetë shteti i Kosovës dhe Kushtetuta e vendit, janë produkte të kompromiseve, të cilat në fakt e kanë dëmtuar dhe frenuar zhvillimin normal të vendit.

Nisur nga kjo përvojë, siç thotë ai, ndaj kërkesës së Listës Serbe për ndryshime kushtetuese nuk duhet qasur me asnjë kompromis politik.

“Kompromise jo, në asnjë mënyrë, sepse do të duhej konsensus. Me kompromise të shumta dhe të dëmshme, metastazike do të thosha, është ndërtuar ky shtet dhe ato kompromise po hakmerren duke krijuar reperkusione të pariparueshme dhe duke krijuar metastaza politike dhe konstitucionale”.

“Prandaj, edhe kërkesat e Listës Serbe, nuk janë racionale me kushtëzimet për Asociacionin, Sidomos ato janë antikushtetuese dhe nuk është e lehtë që të arrihen (ndryshimet kushtetuese) pa pëlqimin e shumicës”, thotë Baraliu.

Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta e vendit nuk është e paprekshme. Por, sipas tij, ndryshimet e shpeshta kushtetuese për vendet në tranzicion, siç është Kosova, nuk janë fare të mira.

“Për ne, në rastet kur dëshirojmë ta ndryshojmë Kushtetutën, normalisht që nevojitet një spektër i gjerë politik të merret vesh dhe të pajtohet që të ndryshohet në të mirë të vendit, çdo herë”.

“Absolutisht nuk do të duhej të ndryshohej Kushtetuta për t’i përkrahur disa mendime ose vendime të pakicave, në kuptimin që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të bëhet ashtu siç e kërkojnë ata, e jo siç kërkohet me Kushtetutë”.

“Për shkak se, nëse ne e ndryshojmë Kushtetutën për Asociacionin, ashtu siç ata e mendojnë, atëherë i bie që ne do ta ndryshonim Kushtetutën për të keqen e vendit dhe ne me Kushtetutë do ta njohim një shtet brenda shtetit”, vlerëson Spahija.

Por, kërkesa e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës, për ndryshime kushtetuese, nuk është e vetmja. Spektri politik shqiptar në Kosovë, tash e disa vite, në vazhdimësi ka kërkuar ndryshimet kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Por, deputetët e Listës Serbe e kanë penguar një gjë të tillë, duke u betonuar në qëndrimin e tyre që të mos ofrojnë dy të tretat e votave të dyfishta, që nënkupton të pakicave, në favor të këtyre ndryshimeve kushtetuese.

Baraliu thekson se spektri politik shqiptar në Kosovë duhet të ketë kujdes që të mos bjerë në grackën e kompromiseve politike.

“Duke pasur parasysh këto situata, këtë frymë dhe shkronjë të Kushtetutës, si dhe konfiguracionin e saj, më konkretisht, për të domosdo lypsen edhe kompromise”.

“Por, mbi të gjitha, lypset konsensus prej të gjithëve, për arsye se nuk ka mundësi që të ndryshohet dhe të plotësohet e aq më pak të rishkruhet Kushtetuta pa pëlqimin e atyre, të cilët këto ingerenca i kanë marrë me Dokumentin e Ahtisaarit dhe tashmë janë të përfshira tash e sa vite si praktikë kushtetuese”, shton Baraliu.

Megjithatë, Spahija shpreh mendimin se ndryshimet kushtetuese, për cilëndo arsye, nuk duhet të bëhen me kompromise politike.

“Kjo për shkak se nuk na duhet një ushtri në qoftë se nuk e kemi një shtet dhe sovranitet të kompletuar. Unë konsideroj që interesat politike të momentit mund të jenë të dëmshme për gjeneratat e ardhshme dhe Kushtetuta nuk duhet të mendohet si diçka që ‘është bërë sot dhe po e ndryshojmë nesër’, pasi që pasojat mund të jenë më të mëdha”.

“Nëse, ne si shoqëri, në fillim jemi pajtuar me këtë Kushtetutë, që ka dalë nga Dokumenti i Ahtisaarit – jemi pajtuar si shoqëri, pasi që është diskutuar në rang të gjerë që kjo të jetë forma e Kushtetutës – atëherë, nëse ne e ndryshojmë, kështu vazhdimisht i krijojmë probleme shtetit tonë. Do të thotë, nëse me Kushtetutën i krijojmë probleme funksionimit, atëherë unë nuk besoj që do të ishte mirë që ta ndryshojmë”, thekson Spahija.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet vetëm sipas Marrëveshjes së Brukselit, e cila parasheh edhe vlerësimin e kësaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit në verdiktin e saj të dhjetorit të vitit 2015, ka konstatuar se në 23 pika marrëveshja nuk është në harmoni me Kushtetutën.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, që çdo pretendim më tepër ose për t’i kushtëzuar institucionet e Kosovës nga ana e Listës Serbe “mund të quhet vetëm një shantazh politik, përkatësisht një kërkesë, e cila vetëm sa e neglizhon krijimin e këtij Asociacioni dhe nuk e përshpejton atë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit