0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Kush e ka ndërtuar xhaminë Aksa?

Më të lexuarat

Nuk dihet me saktësi se kush e ka ndërtuar këtë xhami, por duke hulumtuar në çfarë është përmendur rreth saj në hadithet profetike mund të ndërtohet një hipotezë.

Ebu Dherri -radiallahu anhu-, tegon: “E pyeta Profetin -alejhi selam-: Cila xhami është ndërtuar e para?

Profeti -alejhi selam- më tha: Xhamia e Shenjtë (Qabeja).

I thashë: Pastaj cila?

Profeti -alejhi selam- më tha: Xhamia Aksa.

I thashë: Sa ka pasur mes tyre?

Profeti -alejhi selam- më tha: Dyzet vjet. Pastaj ku të kapë namazi, falu se aty është xhami.” (E transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Kështu bazuar në këtë distancë kohore të përmendur në këtë hadith dhe duke ditur se ndërtuesi i Qabesë është Ibrahimi -alejhi selam- mund të themi se për ndërtuesin e kësaj xhamie duhet të merren parasysh tre gjëra:

E para: Xhamia Aksa duhet të jetë ndërtuar nga dikush prej familjes së Ibrahimit -alejhi selam-: ose vetë Ibrahimi -alejhi selam-, ose dikush tjetër prej pasardhësve të tij në Sham, sepse ai dhe familja e tij përbënin besimtarët e asaj kohe në atë zonë.

E dyta: Xhamia Aksa nuk mundet të jetë ndërtuar nga pasardhësit e vonshëm të Ibrahimit -alejhi selam-, sepse ata që janë vonë nuk përshtaten me periudhën 40 vjet të përmendur në hadith.

E treta: Xhamia Aksa duhet të jetë ndërtuar nga ndonjë profet i familjes së Ibrahimit -alejhi selam-, sepse Allahu i madhëruar te gjurmët e profetëve të Tij hedh begatinë. Said bin El-Musejjib, dijetari i madh i tabi’inëve -Allahu e mëshiroftë-, thoshte:

“Nuk ka itikaf, veçse në xhaminë e ndonjë profeti.”

Ky dijetar do të thotë se itikafi vlen vetëm në xhamitë e profetëve, pasi vetëm atje ka shumëfishim sevapesh, ndërsa të tjerat të gjitha janë njësoj. Kështu përderisa në xhaminë Aksa ka shumëfishim sevapesh -siç do të vijë-, atëherë ajo patjetër është ndërtuar nga ndonjë profet.

Këto karakteristika nuk mund të plotësohen vetëm se nga tre veta: Ibrahimi -alejhi selam-, Is’haku -alejhi selam- dhe Jakupi -alejhi selam-. Pas Jakupit -alejhi selam- nuk duhet parë për ndërtimin e kësaj xhamie, sepse pas tij koha zgjatet shumë më shumë se 40 vjet dhe ashtu dalim jashtë këtij përcaktimi.

Ibrahimi -alejhi selam- ka më pak mundësi ta ketë ndërtuar këtë xhami, sepse rreth tij janë përmendur shumë ngjarje në Kuran dhe në Sunet dhe kjo nuk përmendet. Pastaj, ai historikisht dihet se ka jetuar në Hebron, sot qyteti Khalil në Palestinë e jo në El-Kuds, vendi ku bie xhamia Aksa.

Is’haku -alejhi selam- profeti, i cili erdhi pas Ibrahimit -alejhi selam-, për nga ana kohore e përmendur në hadith mundet ta ketë ndërtuar atë, por edhe ai nuk njihet për këtë veprim.

Ndërsa Jakupi -alejhi selam-, ka më shumë mundësi të jetë ai ndërtuesi i saj pasi është, edhe profeti i tretë i kësaj familjeje në Sham, edhe koha e tij është e mundshme. Pastaj duke qenë se kjo xhami ka qenë e nderuar nga Beni Israilët, të cilët janë pasardhësit e tij në Sham, atëherë i përshtatet që ai të jetë ndërtuesi i saj. Jakupi -alejhi selam- duhet ta ketë ndërtuar këtë xhami para se ai të largohej me bijtë e tij për në Egjipt, sepse ata atje kanë qëndruar gjatë deri në kohën e Musait dhe të Harunit -alejhima selam-.

Ibn Kethiri historiani i njohur i Islamit -Allahu e mëshiroftë-, thotë: “Sipas Ehli Kitabit, Jakubi -alejhi selam- është ai i cili e ka themeluar xhaminë Aksa, e cila është xhamia e Ilijasë -Allahu i madhëruar e nderoftë!- Kjo gjë duket e drejtë dhe për të dëshmon edhe hadithi i Ebu Dherrit -radiallahu anhu-. Kështu, atë e ka ndërtuar Jakubi -alejhi selam-, i cili është Israili, pas ndërtimit të Qabesë nga i dashuri i Allahut dhe biri i tij Ismaili me dyzet vjet.”

Këto fjalë të Ibn Ketjirit të marra nga librat e Ehli Kitabit, në versionin e sotëm të Teuratit, gjenden në Bibël te Zanafilla, ku thuhet: “Atëherë Zoti i tha Jakupit: Çohu dhe ngjitu në Bejt-il (dmth: Ilija, emri i vjetër i Kudsit) e bano atje! Ndërto atje një vend adhurimi në nderim të Zotit.” Shih Zanafilla: 35/1.

Edhe Kurani jep shenja se xhamia Aksa ka qenë para Musait -alejhi selam- dhe ja dy vende ku mendohet se bëhet fjalë për të!

Allahu i madhëruar kur tregon për Musain -alejhi selam- pas shpëtimit të tij dhe të Beni Israilëve nga Faraoni, thotë se ai i tha popullit të tij:

“O populli im! Hyni në tokën e pastruar, të cilën ua ka caktuar Allahu dhe mos u zmbrapsni, që të mos ktheheni të mundur.”, (Sure El-Maide: 21)

Fjala e Tij [Hyni në tokën e pastruar] thuhet se është përshkrim i Bejtul-Makdisit.

Allahu i madhëruar gjithashtu kur përmend historinë e Josha bin Nun -alejhi selam-, profeti i cili mori drejtimin e Beni Israilëve pas Musait -alejhi selam-, thotë:

“Përkujto kur i thamë (Beni Israilëve): Hyni në këtë fshat dhe hani ç’të doni prej tij! Te porta të hyni të përkulur duke thënë: Falna! Që Ne t’ju falim gjynahet tuaja dhe t’jua shtojmë mirësitë punëmirëve.”, (Sure El-Bekara: 58)

Fjala e Tij [Hyni në këtë fshat] d.m.th. hyni në Bejtul-Makdis, siç thonë shumica e komentuesve të Kuranit si: Katade, Ismail Es-Suddij dhe Er-Rabij bin Enes El-Bekrij -Allahu i mëshiroftë-. Madje për këtë ngjarje ka ardhur edhe një hadith i saktë ku Profeti -alejhi selam-, thotë: “Dielli nuk është ndalur për shkak të ndonjë njeriu përveçse për Joshën, kur ai u nis (për të çliruar) Bejtul-Makdisin.”, (ransmeton Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani)

 Ky përfundim në të cilin arritëm, nuk bie në kundërshtim me një hadith tjetër të saktë, i cili do të vijë më poshtë ku thuhet se atë e ndërtoi Sulejmani -alejhi selam-, sepse Sulejmani është ndërtuesi i dytë i saj pas kthimit të Beni Israilëve nga Egjipti, siç sqaron Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në historinë e profetëve dhe thotë:

“(Hadithi i ndërtimit të Sulejmanit -alejhi selam-) ka për qëllim -dhe Allahu e di më së miri- se ai është rindërtuesi i saj, sepse siç thamë: mes tyre (d.m.th. mes Qabesë dhe xhamisë Aksa) ka dyzet vjet dhe nuk ka thënë njeri se mes Sulejmanit dhe Ibrahimit ka dyzet vjet veçse Ibn Hibbani dhe mendimin e tij nuk e ka përkrahur njeri dhe as e ka thënë kush para tij.”

/Shkëputur nga libri: “Shami dhe veçoritë e tij në Islam”/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit