5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Kush e ka fajin?

Më të lexuarat

Nga: Nexhib Zamil

Kush e ka fajin?

 
Bomba atomike, rrezatime bërthamore, armë të shkatërrimit në masë, trafik droge, parash, armësh, qeniesh njerëzore, biznes që fuqizohet si bisha dhe që pikon gjak është ai i tregtimit të fëmijëve dhe organeve, korrupsion  i instaluar, krime, uri, fatkeqësi, popuj kundër popujsh, kombe kundër kombesh, sekte kundër sektesh… fanatizëm fetar që lejon gjakderdhjen, shfrenim jofetar që merr shpirtra dhe jetë… dhe zinxhiri vazhdon pafund.
Mos duhet të të fajësoj ty për faktin se ke humbur shpresën? Apo duhet të të fajësoj se je demoralizuar? A duhet ta fajësoj atë që ka vendosur të mbledhë plaçkat e të largohet nga kjo botë, me vullnetin e tij të lirë, sepse kjo jetë është bërë e padurueshme për të? A duhet ta fajësoj atë që thotë se:”Qeniet tona njerëzore janë të rrezikuara nga vdekja, sëmundjet dhe vrasjet, ose nga e gjithë kjo buqetë djallëzore?” A duhet ta fajësoj atë që këlthet se realisht kemi hyrë në një tunel të errët, se rruga e vetme për ti dhënë fund këtij tuneli, është të zgjedhim një tunel tjetër akoma më të errët?”
Po, po, do i fajësoja të gjithë këta, secilin prej tyre!
Kjo, sepse ajo mbi të cilën bazohem unë, është:”Kujt vallë do ia lëmë tokën mëmë? Kujt do i lëmë vatanin? Kujt do ia lëmë qytetin? Kujt do ia lëmë fshatin? Kujt do ia lëmë lagjen dhe fqinjët? Kujt do ia lëmë shtëpinë dhe familjen? Po, më thoni kujt! Mos vallë u dashka t’ua lëmë këtyre lugetërve të egërsuar dhe këtyre hamendësimeve të pakuptimta? Mos duhet t’ia dorëzojmë fëmijët tanë të ardhmes të errët? E përse? Sepse ne e tërhoqëm zvarrë të ardhmen tek e tashmja, edhe pse nuk i kishte ardhur koha? Jo, nuk do e bëjmë këtë. Jo, nuk keni përse ta bëni.
Do tu tregoj diçka të cilën me siguri që e dini para meje. Përgjatë rrugëtimit të njeriut në histori, në çdo kohë dhe vend, njeriu ka ecur mbi sipërfaqe plot rreziqe, ka notuar mbi dallgët kanosëse dhe mjegullnajat e frikës dhe pasigurisë. Megjithatë, çdo herë, njeriu ishte ai që triumfonte. E dini përse? Sepse Krijuesi i tij, e ka pajisur krijesën e Vet të mrekullueshme, me instinktin e mbijetesës. Këtij instinkti, i lipsen disa mekanizma si vullneti, të menduarit dhe ndërtimi, sado kohë të kërkojë. Prandaj dhe njeriu siguroi vazhdueshmërinë bashkë me planetin e jetës, me gjithë fatkeqësitë që i kanë rënë mbi kokë, e që ndonjëherë, e fshinin nga faqja e tokës. Gjithmonë, njeriu gjente forcat për t’ia nisur nga e para. Qyteti Pompei në Italinë e lashtë, u godit nga një tërmet dhe vullkan i tmerrshëm, saqë edhe malet ku kishin ndërtuar kështjellat e tyre fallxhoret e magjistarët, u rrafshuan me tokën, më saktë, u fshinë nga faqja e dheut përjetësisht. Në qytet, nuk mbeti asnjë qenie e gjallë, asnjë frymor. Shkatërrim e shkuar shkatërrimit. Mbi qytetin e zhdukur, janë ndërtuar me dhjetëra qytete, janë ndërruar me dhjetëra breza. E gjitha kjo ka një emër, vullneti i njeriut.
Qyteti Egadir në Marok, në vitet gjashtëdhjetë u godit nga tërmeti më i fuqishëm në historinë e kontinentit afrikan, duke e fshirë nga faqja e dheut. Sot, qyteti Egadir është ndër qytetet më të lulëzuar në Marok, madje do të thosha në të gjithë bregdetin e Afrikës Veriore. Edhe një herë tjetër, kjo mban vulën e vullnetit dhe dëshirës për të jetuar, instinktit të mbijetesës. E gjitha kjo, derdhet në të njëjtin vend, i cili mban emrin “Shpresë”.
Shpresa? Po, por jo shpresa pasive, ajo dembelja që thjesht pret këmbë mbi këmbë. Nuk po flas për shpresën e cila pret të zbresin batalione engjëjsh nga qielli për të ringjallur tokën sërish… Jo, unë po flas për shpresën tek aftësitë e njeriut, shpresën e mendjes njerëzore, e cila është mrekullia e parë hyjnore… Unë po flas për shpresën e përzier me krenarinë njerëzore, se ai është i aftë, se do të triumfojë mbi të gjitha problemet e tokës për hir të mirëqenies së tij mbi faqe të dheut. Kur dëgjojmë për balancimin e frikës mes shteteve që fshehin armë që janë në gjendje ta shkatërrojnë tokën me dhjetëra herë, e kuptojmë se kjo nuk është balancë frike, por balancë mbijetese në dëshirën për jetë, për vazhdueshmërinë e llojit. Prandaj dhe lloji njerëzor vazhdon të jetojë, derisa Zoti të lejojë fundin e pashmangshëm të jetës së kësaj bote dhe kalimin në botën tjetër, atje ku çdo gjë i nënshtrohet jetës së amshuar.
Prandaj, çështja nuk ka të bëjë me gabimet tona, as me mosmarrëveshjet dhe as me diversitetin tonë. Ajo është një çështje të cilës i besojmë si një parim të parë human dhe si një themel njerëzor dhe logjik. Atë, herë e kuptojmë dhe herë jo. Ai është parimi i mbijetesës, parimi i paqes. Ndonjëherë, për shkak se nuk perceptojmë dot, e kërkojmë paqen tek e kundërta e saj, zhvillojmë lufta për hir të paqes, armiqësohemi me njëri-tjetrin në emër të saj. Nuk e kemi perceptuar, ose vetëm një pakicë e kanë bërë, që drejt paqes të rendin vetëm me paqe.
Disa mendojnë se ekzistenca jonë është e kërcënuar si shpata e Demokleut, e cila qëndron e varur sipër kokës së tij, si ndëshkim i përjetshëm helen. Ajo as të qëllon dhe as nuk hiqet. Ne nuk jetojmë në një situatë të tillë dhe logjika e arsyes njerëzore, psikologjia dhe vetëdija njerëzore, nuk e pranojnë këtë.
Zoti ka deklaruar se jeta e kësaj bote është plot vuajtje dhe vështirësi. Megjithatë, Ai nuk na la në mëshirën e kushteve të ndryshueshme të kësaj jete tokësore, por e mbushi kafkën njerëzore, me armën më të fuqishme në univers: Mendjen tonë.
Funksioni i mendjes njerëzore është që të jetojë mes sfidash, ti pranojë dhe të përpiqet të triumfojë ndaj tyre, ti nënshtrojë ose tu vijë mënjanë deri kur tu vijë koha. Mendja njerëzore e ka provuar dhe vërtetuar diçka të tillë. Atëherë, përse stresi dhe frika, ndërkohë që paskemi mendje që merret me përllogaritje më të sakta edhe sesa përllogaritjet për shmangien e përplasjes mes galaktikave dhe planeteve gjigande? Përse stresi dhe ankthi kur mendjet tona reagojnë më shpejt sesa shfaqja dhe zhdukja e shkreptimës së rrufesë?
Ekziston një mundësi, ku ne ta humbasim aftësinë për të jetuar dhe për tu zhvilluar nën çadrën e shpresës dhe kjo, vetëm kur të humbasim mendjet tona. E kur ti humbasim mendjet tona, nuk do të kemi nevojë të zhvillojmë biseda dhe të shkruajmë artikuj të tillë.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit