6.1 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

Kush do të qeverisë pas 25 prillit?

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Diskursi i debatit “Mirë, iku Rama, po kush do të vijë?”, ka qenë jo pak dominues në katër vitet e fundit.

Natyrisht, dirigjimi kryesor ka qenë prej gjithë zyrës së propagandës së kreut të qeverisë, i cili, duke transmetuar “këtë merak”, hapi udhën e një dyshimi lidhur me pasuesin, edhe nëse ai bënte gabime në qeverisje.

Në fakt, ky lloj debati është zgjatim i një mentaliteti që vjen nga komunizmi, që ngrinte kultin e individit, sidomos atë të diktatorit Hoxha, si të pazëvendësueshëm, duke hequr nga qarkullimi çdolloj figure që i afrohej nga autoritetit apo alternative. Një zgjatim i tillë është edhe debati përmes pyetjes “po kush do të vijë”? Në demokraci, një pyetje e tillë është jo vetëm banale e perverse, por edhe me një qëllim që të mbajë qytetarët në një debat ideologjik.

Kjo pyetje, që më shumë del nga altoparlantët e z. Rama, kërkon të shmangë përgjegjësinë që ka qeveria lidhur me veprimet e veta. Pa dyshim që opozita në demokraci është një verifikim moral i qeverisjes dhe ka përgjegjësitë që t’i drejtojë qytetarët që të kërkojnë një qeveri sa më të përgjegjshme. Por kjo mund të ndodhë normalisht në një vend ku funksionojnë institucionet, organet e hetimit dhe gjykatat dhe ku media është në anën e atyre që qeverisen dhe jo të atyre që qeverisin.

Në Shqipëri, ky ekuilibër ka rënë prej kohësh, sidomos me vënien nën një tranzicion të mirëfilltë politik të organeve të drejtësisë, të cilët në këto vite, për shkak të pasigurisë së tyre në vijim të punës përmes profesionalizmit, pasi gjithçka ka qenë politike në proces, nuk kanë arritur të krijojnë asnjë besim se mund të hetojnë apo gjykojnë akuzat nga qeverisë.

(Mjafton të kujtojmë se denoncimi për shembjen e Teatrit Kombëtar është bërë që në maj të vitit të shkuar dhe nuk ka ende asnjë hap që të tregojë se procesi i hetimit ka nisur, e jo më të besohet se mund të hetohet Rama lidhur me dëmin që i ka bërë buxhetit me humbjen e gjyqeve në institucionet ndërkombëtare për tekat e tij personale).

Njëkohësisht, edhe media tradicionale duket e stepur përballë medias on line, duke mos qenë një verifikuese e ligjshmërisë së qeverisë. Prej kohësh mungojnë artikuj apo emisione investiguese lidhur me ligjshmërinë e veprimeve qeverisëse, ndërkohë që z. Rama përpiqet të relativizojë dhe të kundërshtojë çdolloj medie që e akuzon, qofshin ato edhe ndërkombëtare.

Shqiptarët mjafton të kujtojnë kundërshtimet si në rastin e gazetës gjermane “Bild” lidhur me vjedhjen e votave në Dibër e Durrës, apo së fundmi linçimin si “kazan” të gazetës austriake, “Der Standard”, që jepte nisjen e mbledhjes së parave dhe pasurive të shqiptarëve, me pasoja për taksapaguesit me 110 milionë euro në favor të investitorit italian, Francesco Becchetti, të cilit Rama i mbylli televizionin “Agon Channel” vetëm e vetëm se ai nuk ishte pjesë e oborrit të lajmeve të tij.

Sjelljet publike të z. Rama tregojnë një besim të verbër që shqiptarët i binden vetëm versionit të tij, edhe kur kanë para syve faturën e Becchettit, apo kur kanë para syve përgënjeshtrimin e pritësve në Dubai, të cilët drekën te “Nusreti” as nuk e kanë pasur në axhendë, e, me shumë gjasa, as nuk do ta kenë paguar. Z. Rama nuk pati asnjë problem të përgënjeshtronte të enjten në emisionin “Open” një shkrim investigativ të “Birn” që fliste për dyfishim apo trefishim të pasurisë së ministrave të tij në një kohë të shkurtër.

Ai madje deklaroi se çdo ministër që nuk arrin të justifikojë pasurinë, do të ikë, duke e argumentuar me hetimet e ILDKP-së. Por, për të mos e besuar fare institucionin të cilit i referohet z. Rama, do të mjaftonte vetëm dështimi me pasurinë e mjaft prokurorëve e gjyqtarëve të certifikuar prej këtij institucioni e më pas të shkarkuar nga organet e vetingut, për të kuptuar se ai institucion vetëm hetime serioze nuk bën për askënd, sidomos për dikë që mbrohet nga Rama.

Ndaj, pyetjes perverse që shtrohet sërish nga oborri mediatik i Kryeministrit, “mirë, iku Rama, po kush do të vijë?”, duhet t’i përgjigjemi thjesht si qytetarë që e duam demokracinë dhe transparencën – të ikë ai e kushdo tjetër që nuk ka respekt për qytetarët, e sidomos ai që artin e vetëm qeverisës ka talljen ndaj qytetarëve të tij. Dhe kushdo që të vijë pas tij, duhet të pranojnë transparencën dhe zbatimin e ligjit, e sidomos për të respektuar dinjitetin e çdo qytetari. Ndryshe, do të ikë sërish me vota apo me protesta, deri sa qytetarët në këtë vend të arrijnë të votojnë dikë që nuk tallet me ta e që e ka krenari se populli ua beson gënjeshtrën.

Kushdo që shprehet për talljen e z. Rama me shqiptarët se “është i zoti, bravo!” nuk tregon veçse banalitetin e tij dhe dëshirën për të qenë gjithnjë nën muzikën e skllavërimit, duke pritur që në fund z. Rama vetëm t’i zgjasë një copë bukë që të mos vdesë urie. Krenari për talljet e z. Rama mund të ketë vetëm Veliaj, Ahmetaj, Spiropali, Fuga, Gjylametaj, por jo të gjithë socialistët, e aq më pak shumica e shqiptarëve.

Të pyesësh sot “mirë, iku Rama, po kush do të vijë?”, është gati njëlloj si të pyesje në vitin 1991 “mirë, iku Ramizi, po kush do vijë?”, meqenëse ne nuk i njihnim ata që qeverisën më vonë. Por shqiptarët nuk mund të jenë më robër ideologjikë të individëve, por duhet ta rindërtojnë koalicionin me vetveten, duke mos lejuar më që në emër të tyre si shumicë të mbretërojë dikush që i tall apo urren dhe që krenohet se ua ka hapur kufijtë që të arratiset nga ky vend e të emigrojë.

Edhe ata, të cilët e mendojnë ende Ramën shumë të fortë, në fakt shohin vetëm një dëshirë brenda tyre që ai të vazhdojë të qeverisë e jo se gjejnë argumente bindëse që lidhen me mirëqeverisjen. Të tillë që ende lexojnë sukseset e Ramës mund të lexojnë dështime jo vetëm te z.Basha, por do t’i lexonin edhe nëse do t’i kërkohet edhe te Merkeli, Makroni apo edhe në Zelandë e Australi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit