-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kush dhe pse po proteston në Serbi?   

Më të lexuarat

Disa mijëra qytetarë serbë, ditëve të fundit, kanë marrë pjesë në protesta, bllokada të rrugëve e marshe protestuese në Beograd dhe në perëndim të Serbisë, përkatësisht në qytetet Shabac e Lloznica. E përbashkëta e të gjitha protestave është kërkesa që autoritetet t’i ndalojnë projektet, që konsiderohen ekologjikisht të dëmshme, por organizatorët e tyre dallojnë.

Njëra prej kërkesave kryesore që u dëgjua në disa protesta, ishte tërheqja e ndryshimeve për dy ligje, të cilat Kuvendi i Serbisë i miratoi javën e kaluar: Ligjin për Referendum dhe atë për Shpronësim. Derisa kundërshtarët e tyre konsiderojnë se ato u përshtaten investitorëve privatë, këto pohime i mohon Qeveria e Serbisë, me në krye Partinë Përparimtare Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Ndryshimet e Ligjit për Referendum hynë në fuqi, sepse pas votimit në Kuvend, i nënshkroi edhe presidenti serb. Por, ndryshimi i Ligjit për Shpronësim ende nuk e ka nënshkrimin e Vuçiqit. Vuçiq deklaroi më 30 nëntor se i “duket” se do të nënshkruajë ndryshimet në Ligjin për Shpronësim, por shtoi se “ende nuk jam i sigurt”. “Kam lexuar tri mendime të ndryshme… Ajo që lexova nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Do të kërkojë mendime shtesë dhe më pas do të marr një vendim”, tha Vuçiq gjatë një vizite të punimeve në ndërtimin e metrosë në Beograd. Bllokadat e rrugëve në gjithë Serbinë – të cilat u organizuan më 27 nëntor për shkak të ndryshimeve të këtyre ligjeve – presidenti serb i quajti “shkelje kushtetuese”. Protestat e organizuara nga disa shoqata mjedisore, iniciativa qytetare dhe parti opozitare, Vuçiq i quajti “krim politik”.

Incidente dhe përplasje të protestuesve me policinë janë shënuar në disa lokacione në Serbi, ndërsa në qytetin e Shabacit, siç pohon opozita, demonstruesit janë sulmuar nga disa persona të maskuar me çekanë e shkopinj. Policia nuk e dha numrin e të arrestuarve dhe të të lënduarve gjatë protestës së 27 nëntorit, por ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, tha se protestat ishin “tentim për provokim të përleshjeve e trazirave”. Sipas tij, ato nuk kanë kurrfarë lidhjesh me ambient, por janë “politikë e ndyrë”. Protestat në Lloznicë, kundër minierës Rio Tinto Në qytetin perëndimor serb, Lloznica, disa qindra mijëra qytetarë kanë protestuar më 29 nëntor kundër planit që në rrethinën e këtij qyteti, të ndërtohet miniera e litiumit, në pronësi të kompanisë Rio Tinto. Në vitin 2020, bazuar në të ardhurat, Rio Tinto renditej si kompania e gjashtë në botë për metal e miniera, e që, sipas portalit të specializuar për miniera, Mining Technology, vlera e saj arriti shumën prej 43.1 miliardë dollarësh. Kompania Rio Tinto është themeluar në vitin 1873.

Fjala është për një kompani multinacionale britaniko-australiane, me seli në Londër, e cila operon në 35 shtete të botës. Kundërshtarët e minierës thonë se ajo mund të ketë pasoja negative ndaj mjedisit, madje jo vetëm në qytet, por edhe më gjerë. Gjatë protestës së 27 nëntorit, kërkesa ishte që nga planifikimi i projekteve të ardhshme, të përjashtohet mundësia e ndërtimit të minierës në brigjet e lumit Jadar. Peticionin që kundërshton ndërtimin e minierës, e kanë nënshkruar më shumë se 5 mijë banorë nga rreth 80 mijë sa ka qyteti. Megjithatë, seanca e Asamblesë Komunale, e caktuar për 29 nëntor, është anuluar. Nga vetë kompania Rio Tinto i kanë hedhur poshtë pohimet për ndotje të ambientit, ndërsa kanë premtuar respektimin e të gjithë standardeve ekologjike për projektin tashmë të titulluar “Jadar”.

Në deklaratën e saj të lëshuar në muajin shtator, kompania ka thënë se ka mirëkuptim për shqetësimin e banorëve, por u ka bërë thirrje atyre që të informohen rreth projektit. Aty theksohet se “projekti është mundësi për zhvillimin e Serbisë dhe mundësi që Serbia të prijë në tranzicionin e gjelbër në Evropë”. Miniera, megjithatë, ende nuk ka marrë leje për ndërtim dhe pritet vlerësimi i ndikimit në ambient.

Autoritetet, ndërkaq, kanë premtuar se banorët lokalë do të vendosin përmes referendumit nëse e duan ose jo minierën. Sipas ndryshimeve në Ligjin për Referendume, që tashmë ka hyrë në fuqi, pragu prej 50 për qind është hequr, që do të thotë se nuk ka rëndësi se sa votues do të marrin pjesë në referendum, që ai të jetë i suksesshëm. Protestuesit në Lloznicë gjithashtu kanë kërkuar të mos nënshkruhen ndryshimet në Ligjin për Shpronësim.

Ndryshimet në këtë ligj do t’i mundësonin shtetit që urgjentisht, në afatin më të shkurtër, të konfiskojë pronën private dhe të paguajë pronarin nëse shpronësimi i pronës nevojitet për ndonjë projekt me interes publik. Andaj, kundërshtarët pohojnë se ligji i përshtatet kompanisë Rio Tinto, për të marrë pjesë të tokave për minierën e saj, të cilat nuk i ka blerë nga banorët. Autoritetet disa herë e kanë mohuar këtë.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë se kompania tashmë i ka në pronësi të gjitha parcelat e nevojshme. Në qytetin e Shabacit pati incidente gjatë bllokimit të rrugëve Të shtunën e 27 nëntorit, qyteti i Shabacit iu bashkua qyteteve serbe, në të cilat ishin organizuar bllokadat e rrugëve në shenjë proteste ndaj Ligjit për Shpronësim dhe Referendum. Protestën e organizuan disa shoqata të organizatave ekologjike. Por, krahas qytetarëve dhe organizatave, në protestë morën pjesë edhe përfaqësuesit e iniciativës opozitare “Mos të ngufatim Beogradin” dhe të partisë “Bashkë për Serbinë”, të cilën e udhëheq ish-kryetari i qytetit Shabac, Nebojsha Zellenoviq.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit