5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kurti thotë se Serbia njohu targat RKS për të mbuluar refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendimi i marrë të enjten vonë për heqjen e regjimit të letrës ngjitëse për automjetet me targa serbe ka ardhur pasi Policia e Kosovës raportoi se vendimi i Serbisë për të lejuar targat RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e këtij shteti, po zbatohet plotësisht.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti tha se nëse do të ketë ndryshim të qasjes nga autoritetet serbe, shteti i Kosovës do të veprojë.

Serbia vendosi t’i lejojë automjetet me targa RKS të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave.

“Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë”, tha Kurti duke theksuar se ky fillon të zbatohet pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Sipas Ligjit për Qeverinë, vendimet e Qeverisë publikohen në Gazetën Zyrtare jo më vonë se njëzet e katër orë pasi që të jenë nënshkruar nga Kryeministri, dhe mbesin publike pa asnjë kufizim kohor.

“Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”, ka shtuar Kurti.

Siç raporton ekipi i Radios Evropa e Lirë nga pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdare, deri në mesditën e së premtes targave të Serbisë kanë vazhduar t’iu vendosen letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore.

Për çështjen e lëvizjes së lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje së pari më 2011, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Pas tensioneve që shkaktoi çështja e targave, në shtator 2021 u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Ajo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Vendimi i Serbisë për mundësimin e lëvizjes së lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë, është marrë më 25 dhjetor 2023 nga autoritetet serbe, për të hyrë në fuqi pastaj nga 1 janari i këtij viti.

“…ky vetëdiciplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023”, ka thënë Kurti duke shkruar se vendimi i Serbisë për targat është “manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake”.

Vendimi i Beogradit u mirëprit nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi atë si hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit