-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kurti tha se Serbia po dobësohet karshi Kosovës, reagon Petkoviq: Mendo dy herë para se t’i tregosh muskujt ndaj serbëve

Më të lexuarat

Drejtori i së ashtuquajturës Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të kryeministrit Albin Kurti i cili tha sot se “sa më e dobët që është Serbia karshi Kosovës, aq më shumë po egërsohet”.

Petkoviq në një reagim për media ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “është i fortë vetëm në prishjen e marrëveshjeve, retorikën antiserbe, shkeljen e të drejtave njerëzore dhe politike të serbëve, popullzimin dhe demagogji”

“Kur Albin Kurti mundohet të ushtrojë muskujt ndaj serbëve të Kosovës dhe Beogradit zyrtar, duhet të mendojë dy herë, sepse nuk do t’i sjellë asgjë të mirë, as nuk do t’i zgjidhë problemet e tij me kufizimet e energjisë elektrike, grevat e arsimtarëve, qytetarët e pakënaqur të cilët çdo ditë shprehin rebelim social në gjithë Prishtinën”, thuhet në deklaratën me shkrim.

Petkoviq pyeti se për çfarë demokracie flet Kurti kur është e mundur që dhunuesi i një vajze të mitur nga Kosova të marrë të njëjtin dënim me burg si i riu që donte të festonte Vidovdanin.

“Nuk ka dyshim se gjatë dhjetë ditëve të fundit, Kurti mundi vetëm të shikonte me zili se si Beogradi ishte qendra e nismës së Ballkanit të Hapur, që mijëra serbë në veri të Kosovës e pritën me krenari kryeministren e tyre Ana Brnabiq dhe në fund detaje nga vizita madhështore e presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan në Beograd, pas së cilës u premtua dorëzimi i dronëve Bajraktar”, thuhet në reagimin e Petkoviq.

Ndryshe sot, kryeministri Albin Kurti është pyetur për veprimin e fundit të Serbisë që në shkollat e Luginës së Preshevës ku nxënësit janë shqiptarë të intonohet himni serb.

Kurti deklaroi se kjo ka të bëjë me dobësimin e Serbisë karshi Kosovës.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human. Përkundrazi, sa më e dobët që është Serbia karshi Kosovës, aq më shumë po egërsohet. Është një lloj agresiviteti i shtuar i Serbisë. Duhet kuptuar përbrenda dobësimit të saj në përgjithësi”, tha Kurti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit