1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kurti takon Shefin e OSBE-së, i thotë se për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duhet marrëveshje ndër-shtetërore

Më të lexuarat

Kryeministri Albin Kurti në një takim të mbajtur këtë të mërkurë me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka diskutuar për kërkesën e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia.

“Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.

Tutje bëhet e ditur se Kurti dhe Davenport kanë biseduar edhe për progresin në fushat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në vend.

“Kryeministri theksoi përkushtimin e shtuar të Qeverisë ndaj komuniteteve jo shumicë dhe rritjen e mbështetjes për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), si dhe angazhimin konstant me Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën e Komisionerit për Gjuhë”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndryshe, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë të ditur ditë më parë se ka pranuar letrën e kryeministrit Albin Kurti, përmes së cilës ai ka shprehur nevojën për një marrëveshje të veçantë për të lejuar serbët e Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet serbe që pritet të mbahen më 17 dhjetor.

Në një letër të dërguar shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, Kurti ka theksuar se çdo marrëveshje që lejon votimin e serbëve të Kosovës duhet të vijë nga Serbia dhe të respektojë plotësisht sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Misioni i OSBE-së në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se mbetet i gatshëm të mbështesë mbledhjen e votave, sikurse ka vepruar edhe në rast e mëparshme./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit