5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Kurti: Serbia s’është e interesuar për anëtarësim në BE, po punon në plane ushtarake për aneksim

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Serbia nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal e anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi është e orientuar në plane ushtarake për aneksimin e veriut të Kosovës.

Në një tryezë diskutimi të quajtur “Procesi i Berlinit: Arritjet e deritanishme, pritjet nga samiti i ardhshëm dhe përfitimet e mundshme nga Iniciativa e Përbashkët e Tregut Rajonal”, Kurti ka deklaruar se sulmet e Serbisë në fshatin Banjskë të Zveçanit u kryen nga anëtarë të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Verirore”, të shpallura terroriste nga Qeveria.

Kreu i ekzekutivit kosovar tutje ka thënë se çështja më e rëndësishme dhe urgjente sot është “siguria për Kosovën e sulmuar dhe ndëshkimi për sulmuesit”.

“Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë e cila e mbështeti publikisht atë që ndodhi në Banjkë të Zvecanit të dielën e 24 shtatorit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi e dorëzimi i të gjithë atyre që janë duke u përndjekur sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, është shprehur Kurti.

“Më lejoni të përkujtoj se më 29 qershor i kemi shpallur dy organizata terroriste. ‘Mbrojtja civile’ dhe ‘Brigada veriore’ si organizata terroriste që veprojnë në territorin e Kosovës, natyrisht në mënyrë ilegale. Andaj, edhe nëse diçka tregojnë informatat preliminiare, është që shumica e të përfshirëve në këtë sulm terrorist e kriminal që rezultoi me vrasjen e rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, është se ata ishin pjesëtarë ose të ‘Mbrojtjes civile’ ose të Brigadës Veriore’, ose të të dyjave”, ka thënë mes tjerash.

I pyetur lidhur me debatin për Kosovën që Parlamenti Evropian do të zhvillojë këtë të martë, kryeministri ka thënë se diskutimi duhet të zhvillohet për sigurinë e Kosovës dhe ndëshkimet për sulmuesit.

“Unë besoj që diskutimi si do të zhvillohet në vijim përfshirë edhe atë në Parlamentin Evropian, është siguria për Kosovën, ndëshkimet për sulmuesit dhe në të njëjtën kohë të mos provojmë të vazhdojmë me çfarëdo ideje të status quo-s, që mund e nuk duhet ta ketë ndokush”.

Ndryshe, Parlamenti Evropian do të diskutojë lidhur me sulmin terrorist më 24 shtator ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ndërkaq lidhur me këtë pritet edhe miratimi i një rezolute.

Në njoftimin e Parlamentit Evropian bëhet e ditur se debati për Kosovën pritet të nisë pas orës 15:00. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit