10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Kurti: Serbia, ndonjëherë dëshiron të kthehet në ’99-ën, herë në 2007-ën

Më të lexuarat

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me përpjekjet për ta kthyer Kosovën prapa, Beogradi po ngelet i ngujuar në të kaluarën.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk është e mundur dhe se shteti fqinj është i interesuar të kthehet në vitin 2007 e 1999, para çlirimit të Kosovës.

Kështu ka deklaruar ai pas dorëzimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku ka paralajmëruar edhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kurti nga Praga ka thënë se nuk është e mundur që Kosova të kthehet në të kaluarën, derisa është pyetur për deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Unë nuk mund të flas në emër të tyre, ata nuk mund të flasin në emrin tonë. Ne jemi dy shtete fqinje të cilat kanë nevojë t’i normalizojnë raportet dhe ky normalizim besoj që duhet të shkoj nëpërmjet njohjes reciproke dhe në kuadër të vlerave evropiane. Pra, në kuadër të kornizës së Bashkimit Evropian që konsideron që Ballkani Perëndimor duhet të integrohet. Ne dëshirojmë të ecim përpara drejt anëtarësimit në BE-, ndërkohë që Beogradi fatkeqësisht insiston që të kthehemi në të kaluarën, me iniciativat e tyre nganjëherë dëshirojnë të kthehen në vitin 2007 para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e nganjëherë dëshirojnë të kthehen edhe në vitin 1999 para çlirimit të Kosovës. Mirëpo, kthimi në të kaluarën nuk është i mundshëm as fizikisht, as logjikisht, as politikisht. Duke u përpjekur që ta kthejë Kosovën në të kaluarën ajo çfarë po bën Beogradi është që vet po ngelet i ngujuar në të kaluarën”, ka deklaruar Kurti pas dorëzimit të aplikimit në Pragë.

Kryeministri Kurti është shprehur edhe optimist për ndryshimet e qëndrimeve të pesë shteteve mos-njohëse.

“Jam i bindur që mos-njohja e pesë shteteve nga BE nuk do të na pengojë në rrugëtimin e mëtutjeshëm evropian. Natyrisht që për anëtarësim në BE do të na duhen këto njohje, por unë besoj që e kemi kohën e mjaftueshme për t’i siguruar ato. Dhe këtë duhet ta bëjmë sa më parë. BE nuk është i njëjti pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë. Të gjitha shtetet anëtare e kuptojnë që në një situatë të re është e nevojshme që të kemi anëtarësim dhe integrim të përshpejtuar, kjo në fakt u tha para më pak se dy jave në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Tiranë. Aty u bë thirrje për anëtarësim për integrim të përshpejtuar dhe besoj që edhe këto shtetet mos-njohëse do ta ndihmojnë në rrugëtimin tonë dhe sa më herët që të të jetë e mundur të ndryshojnë qëndrimin, i cili në fakt bashkë me këto shtetet mos-njohëse i bën bashkë me shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së që tashmë e kanë njohur Kosovën”, ka deklaruar Kurti.

Veç tjerash, shefi i ekzekutivit tha se partneriteti për paqe është synimi i ardhshëm.

“Ne tashmë jemi në muajin dhjetor dhe natyrisht që nuk do të mund të kemi aplikime të reja sivjet. Por, në vitin e ardhshëm do të përgatitemi natyrisht që sa më shumë të integrohemi në organizma ndërkombëtarë, e një synim të veçantë e kemi Partneritetin për Paqe. Merreni me mend në programin e partneritetit për paqe, është jo vetëm fqinji ynë verior i cili ka qëndrim negativ ndaj NATO-s, por edhe shtetet sikur Bjellorusia, por nuk është Republika e Kosovës. Është e domosdoshme që Republika e Kosovës të hyjë në këtë programin e partneritetit për paqe. Ne kemi dëshmuar vetën edhe sa i përket vlerave politike, e të demokracisë së perëndimit të zhvilluar, por në të njëjtën kohë e kemi demonstruar edhe përgatitjen tonë sa i përket mbrojtjen dhe kapacitet ushtarake”, ka vijuar shefi i ekzekutivit.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka dorëzuar zyrtarisht në Pragë, presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit