Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka refuzuar për të tretën herë ftesën e presidentit Hashim Thaçi. “Fatkeqësisht, nuk do të kem mundësi të vij nesër për takim në ora 10:00”, thuhet në letrën që Kurti i ka drejtuar Thaçit.
Në ndryshim nga dy herët e tjera kur lideri i Vetëvendosjes i refuzoi thirrjen presidentit , ai këtë herë ka propozuar një ditë tjetër për takim. Dhe sipas Kurtit, dita e përshtatshme për takim është 6 Janari.
Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen.
Por, më 29 dhjetor, lideri i VV-së, Albin Kurti tha se datën për formimin e qeverisë nuk e përcakton presidenti i vendit, por ajo varet nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Presidenti përcakton datën e konstituimin të kuvendit dhe jo formimit qeverisë. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Takimet do të ndodhin dhe do të ketë konsultime. Ndërkohë po i intensifikojmë bisedimet”, ka thënë Kurti Të dyja partitë edhe pas shumë negociatave nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Pas deklarimeve të Kurtit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se LDK-ja nuk cakton data për formimin e qeverisë.
Më 26 dhjetor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është zgjedhur në këtë pozitë në seancën konstituive me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor./