Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili sot po qëndron në Pragë të Çekisë, është pritur në një takim bilateral nga ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.
Sipas njoftimit për media thuhet se në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe për bashkëpunimin e afërt ndërmjet dy vendeve, veçanërisht gjatë Presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Republikën e Çekisë dhe ministrin Lipavsky për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme që i kanë dhënë Kosovës në synimet e saj për integrim evropian dhe euro-atlantik”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, thuhet se Kurti veçoi rolin e rëndësishëm dhe përkushtimin e Presidencës çeke të Këshillit të BE-së në trajtimin me prioritet të çështjes së liberalizimit të vizave.
“Dje, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian u dakorduan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës më së largu me 1 janar 2024. Në takim gjithashtu u fol edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëveshjet që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/