2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kurti për urën në Mitrovicë: Do t’i vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së tij të mërkurën.

Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha Hovenier.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se vetëm janë duke e zbatuar marrëveshjen e arritur më parë në dialogun e Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë për hapjen e urës, e cila nuk u realizua kurrë.

Çfarë parasheh marrëveshja e Brukselit për urën mbi Ibër?

Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2014 u pajtuan për hapjen e urës mbi lumin Ibër për trafik. Parashihej i ashtuquajturi revitalizim i urës, me qëllim të heqjes të të gjitha barrikadave dhe funksionalizimit të urës.

Barrikadat e para mbi urë u vendosën nga serbët lokalë në vitin 2011, për të kundërshtuar shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri të vendit.

Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me mbjelljen e pemëve, që autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, të udhëhequra nga Lista Serbe e quajtën “Parku i Paqes”.

Ky park u hoq në vitin 2016, pas çka ura duhej të hapej për trafik. Kosova dhe Serbia të njëjtin vit ranë dakord për një plan të ri zbatimi, që synonte tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të ndodhte në janar të vitit 2017. Megjithatë, punimet për revitalizimin e urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018. Në këtë projekt u investuan 1.5 milion euro.

Ura ende nuk është e hapur për automjete, por vetëm për këmbësorë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociator i Kosovës për dialogun në Bruksel, Besnik Bislimi, tha se çështje e hapjes së urës mbi Ibër as “nuk është vendim i njëanshëm” i Qeverisë, e as “çështje e pazgjidhur e dialogut”.

“Një partner i QUINT-it shtoi edhe kërkesën për inspektime teknike. Ne ndoqëm dy rekomandimet. Tani BE-ja po e kërcënon Kosovën, nëse ajo e zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga vetë blloku dhe rekomandimet shtesë”, shkroi Bislimi në X.

Çështja e urës ishte edhe temë diskutimi mes Kurtit dhe komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, të martën vonë.

“Me komandantin e KFOR-it biseduam për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”, tha Kurti të mërkurën.

Pas takimit të së martës mes Kurtit dhe Ulutasit, KFOR-i tha se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin ta rregullojë atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thanë nga ky mision.

Ditë më parë KFOR-i tha se nuk dëshiron të spekulojë për ndonjë skenarë në të ardhmen, nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha më 14 gusht se beson se Qeveria në Kosovë po planifikon “ta hapë me forcë” urën mbi Ibër.

“Jam i kënaqur me deklaratat e komandantit të KFOR-it. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, pati një bisedë me të. Shpresoj që të gjithë të jenë racional dhe të mos lejojnë që kjo të ndodhë”, tha Vuçeviq për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës e publikoi të martën më herët një raport fillestar për testimet e kryera në urë, duke thënë se është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi Ibër.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit