Kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka shumë çështje që duhet të diskutojë me Serbinë. Kurti theksoi se Serbia duhet të ketë vullnet për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur.
Ai në tryezën e organizuar nga KFOS me temën “Si tutje me Dialogun”, tha se Serbia duhet të ia kthejë Kosovës rreth 3 miliardë euro borxh. Veç tjerash edhe të ofrojë dëmshpërblim për pronat e dëmtuara, kompensimi për vuajtjet e luftës dhe kërkim falja.
“Duhet të pranohet realiteti, e dyta të pranohet e vërteta, duhet të trajtohemi të barabartë dhe të përfitojnë qytetarët”, ka thënë ai.
Sa i përket asociacionit të komunave serbe, Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik të cilën e mbështet edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, historia e Kosovës dihet dhe se pushteti i Serbisë duhet të reflektojë për krimet që ka bërë. Tutje, ka theksuar se qytetarët duhet të jenë përfitues e jo liderët si përfaqësues të qytetarëve.
E publicisti Veton Surroi ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të bëjë rivlerësimin e procesit të dialogut.
“Në këto dhjetë vitet e kaluara prej që kemi filluar procesin negociator ka ndryshuar konteksti gjeo-politik në botë. Ndërhyrja në mënyrë të gabueshme e ShBA-së, si rasti Grenell e dëmton procesin e dialogut është i nevojshëm rikthimi i ShBA-së dhe në kuadër të një dimensioni të ri. Përgjatë këtyre viteve kemi krijuar shpërputhje juridike. Bashkësia e komunave serbe është rasti eklatant. është në shpërputhje me sistemin tonë kushtetues”, tha ai.