Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se masakra e Reçakut ishte një krim i fabrikuar.
Kurti ka thënë se presidenti serb fillimisht nuk ka pranuar ta quante Srebrenicën një gjenocid, teksa tani ai e mohon masakrën e Reçakut.
I pari i LVV-së, ka thënë se Vuçiq dëshiron të kalojë në një të ardhme paqësore pa pranuar krimet e së kaluarës, por siç ka thënë ai, gjenocidi, varret dhe masakrat janë e vërteta e Serbisë.
Në fund të shkrimit, Kurti ka thënë se tani është koha që Vuçiqi të merret me të.
Ndryshe, presidenti serb Vuçiq deklaratat lidhur me masakrën e Reçakut i ka bërë pas dënimit që iu është shqiptuar ish-ministrit, Ivan Todosijeviq, i cili po ashtu kishte thënë se masakra në Reçak ishte e trilluar.
Todosijeviq është dënuar me dy vjet burg, pasi është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut./tg