Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi, ndërsa nga institucionet e sigurisë në Kosovë merret si kërcënim pasi ata vlerësojnë se forcat serbe janë duke pritur një moment të volitshëm për invadim të Kosovës.
Shqetësimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE) se incidentet e dhunshme në Kosovë mund të shndërrohen në “konfrontim rajonal”, duhet pranuar me kujdes.
Këto shqetësime po forcohen edhe më shumë nga preokupimet e kryeministrit, Albin Kurti dhe ministrit të Mbrojtes, Ejup Maqedonci.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar me anë të një postimi duke thënë se në Rashkë të Serbisë, po shihet një riorganizim i grupit paramilitar dhe terrorist i Millan Radoiçiqit, me mbështetje dhe udhëheqje të shtetit serb. Sipas Kurtit, më 10 nëntor, Radoiçiq udhëhoqi një takim me rreth 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.
Ndërsa së fundi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi dhe se “po presin një moment të volitshëm për mësymje” në Kosovë.
Ekspertët dhe njohësit e çështjeve të sigurisë mendojnë se Kosova është shumë e ekspozuar para një rreziku real, të një aktiviteti të dhunshëm siç e kemi parë më datë 24 shtator të këtij viti.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thotë se rreziku për përsëritjen e një ngjarje të tillë siç ishte 24 shtatori është shumë i madh me ç’rast ka pasur edhe lëvizje konkrete edhe nga NATO në këtë drejtim të cilët kanë forcuar kuadrin e tyre në Kosovë.
“Rreziku i një ngjarje të tillë që të kemi prap sulme është shumë i madh dhe këtë rrezik e kanë paralajmëruar në vazhdimësi edhe institucione më të rëndësishme të sigurisë siç është NATO, ShBA dhe së fundi kemi pasur edhe një lloj kërkese për vigjilencë dhe kujdes edhe nga kancelari gjerman, Olaf Scholz”, ka thënë Elezi për TV Dukagjinin.
I njëjti ka thënë se, Serbia ka rekrutuar mbi 300 persona të dislokuar në dy baza ushtarake në pjesën e kufirit të Mitrovicës duke i paguar ata me një shumë prej një mijë deri në pesë mijë euro për të marrë pjesë në sulmet e mundshme që mund të ndodhin së shpejti në Kosovë.
“Janë dy baza ushtarake në pjesën e kufirit të Mitrovicës brenda territorit të Republikës së Serbisë dhe janë diku afër 20 kilometra larg kufirit administrativ në Kosovë dhe në ato dy baza dyshohet se janë mbi 300 persona të rekrutuar të gjithë të udhëhequr nga struktura të cilët i kemi parë me 24 shtator dhe se të njëjtit nuk ishin arrestuar apo nuk ishin ndaluar nga autoritetet serbe pasi që ishin larguar nga Kosova”, ka deklaruar Elezi.
“Të njëjtit dyshohet dhe besohet që janë riogranizuar dhe kanë rekrutuar edhe djemë të tjerë të moshës madhore dhe mund të them se po paguhen nga vlera 1 mijë deri në 5 mijë euro, por t’u rekrutuar dhe për të marrë pjesë në sulmet që mund të ndodhin së shpejti në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në katër komunat me shumicë serbe”, vijon ai.
Në anën tjetër, ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka bërë të ditur se Serbia vazhdimisht ka nxitur destabilitet në rajon dhe se ajo është duke u armatosur nga Rusia, Kina dhe Irani.
“Planet e Serbisë janë ogurzeza. Ajo nuk ka pushuar aktivitetet e saj për të nxitur destabilitet rajonal, kërcënuar Kosovën dhe sfiduar seriozisht NATO-n. Ani pse investimi i NATO-s në Ballkan është i madh, Serbia mbetet masha kryesore e Rusisë. Ajo po armatoset vazhdimisht nga Rusia, Kina dhe Irani. Kështu po dëshmon që është destabilzuesi i Ballkanit”, ka thënë Ramadani.