Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, me të cilin biseduan për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike.
Në takimin e tyre të dytë gjatë këtij viti, pas atij në Ankara në muajin maj, kryeministri Kurti dhe ministri Fidan vazhduan diskutimet mbi marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike.
Sipas komunikatës, Kurti duke shprehur mirënjohjen për vizitën dhe bashkëpunimin e afërt të tij, i shprehu falënderim të veçantë ministrit Fidan për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, për rolin kontribuues të Turqisë për paqe në Kosovë dhe rajon përmes misionit të NATO-s, KFOR dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të saj në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Të dy u shprehën të përkushtuar në thellim të raporteve dhe partneritetit strategjik”, thuhet në komunikatë.
Edhe presidentja Osmani ka pritur sot në takim shefin e diplomacisë së Turqisë, Hakan Fidan, me të cilin ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit përfshirë fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, si dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë. /Telegrafi/