-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kureshtja e të vegjëlve, lëshoja asaj kapistrën…

Më të lexuarat

Kureshtja e të vegjëlve, lëshoja asaj kapistrën…

Pyetja: Do doja këshillën tuaj lidhur me djalin e vëllait tim, që është njëmbëdhjetë muaj e që është shumë i zgjuar. Dashuria e tij për të zbuluar gjëra të reja, bie vërtetë në sy dhe unë e di se kjo gjë është nga veçoritë e fëmijëve të kësaj moshe…
Për shembull, në shtëpi gjendet një kafaz zogjsh dhe sa herë i jepet shansi, ai zvarritet për atje dhe i sillet kafazit, duke na parë a e kemi mendjen tek ai. Nëse dikush nga ne e shikon dhe e gjen atje, i themi “mos” dhe ai për pak kohë bën sikur nuk e ka vëmendjen tek kafazi. Kur na shikon se nuk e kemi mendjen tek ai, shkon shpejt tek kafazi dhe fillon ta trazojë zogun ose të trazohet vetë.
Nëse e marrim hopa, fillon e qan, bërtet me të madhe dhe me zor pushon, aq sa na detyron ta marrim në krahë dhe ta çojmë tek zogu që ta shikojë. I qëndrojmë përbri për ca kohë, por ai do që të rri tërë kohës aty. Kur ne ja fshehim zogun, ai qan me të madhe. Që ta harrojë atë, ne i japim ndonjë lodër tjetër, por pa rezultat.
Pyetja ime është: Kur ai qan dhe bërtet, a duhet t’ia japim atë që kërkon apo ta lemë derisa të qetësohet vetë…? Ai në fakt të njëjtën gjë e bën me çdo gjë të re që sheh. Sa herë që ai bën diçka të gabuar, që mund ta dëmtojë si pasojë e kërshërisë së tij të madhe, ne nuk i bërtasim, por vetëm i themi atij “jo” me dorë ose me kokë. Paskëtaj ai kupton dhe ndalohet nga gjëja që do bënte dhe sapo ne largohemi për pak dhe preokupohemi me diçka tjetër, ai menjëherë shkon të bëjë atë që e ndaluam dhe nuk po dimë se si të veprojmë me të.
S’dimë sesi ta bindim fëmijën në këtë moshë, që për shembull përderisa e pa njëherë diçka dhe e mësoi çfarë gjendet brenda saj, të mos merret me të herë tjetër. Kjo vlen sidomos kur ai do të dijë çfarë ka brenda sirtarit të kuzhinës dhe ne e  lëmë ta hapë atë në sytë tanë dhe të nxjerrë çfarë ndodhet brenda tij dhe t’i fusë ato gjëra sërish. Por ai nuk mjaftohet duke e bërë këtë një herë të vetme, por këmbëngul ta bëjë të njëjtën gjë sërish. Si ta bindim atë, që një gjë e tillë vlen për një herë të vetme… si ta përforcojmë tek ky fëmijë në këtë moshë besimin në vetvete?? Cilat janë librat dhe historitë e dobishme për fëmijën në këtë moshë? Në ç`orë duhet t’i lexohen atij histori? A arrin fëmija në këtë moshë ta dallojë të saktën nga e gabuara? A bën të ndëshkohet ai? Nëse po si? Gjithashtu ai është shumë i lidhur me mua dhe gjyshin e tij. Kur unë e marrë atë dhe pastaj e lë, ai qan shumë dhe do që të rrijë vazhdimisht me mua dhe të luajë. Nëse e ëma e tij mungon për orë të tëra, as që pyet për të, përveçse kur i vjen ora për të pirë, edhe pse e ëma e tij është shumë e dashur me të, loz me të dhe as sillet ashpër dhe as e godet? A ka ndonjë problem këtu, apo diçka e tillë është normale?
Vërejtje: Fëmija, i ati dhe e ëma e tij, jetojnë në një apartament të veçantë sipër shtëpisë tonë, por ai rri shpesh tek ne me gjithë të ëmën. Ai është në fakt nipi i parë i familjes.
U kërkojë ndjesë që u zgjata dhe u falënderoj së tepërmi për zemërgjerësinë tuaj.
 
Përgjigja:”Fillimisht më lejoni t’iu falënderoj për besimin që keni tek ne dhe shpresoj prej Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar që të mbetemi gjithmonë persona, me të cilët njerëzit kanë besim të konsultohen.
Pyetjet e tua më ngacmuan një pyetje të rëndësishme, që ka kaq kohë që po ia bëj vetes e ajo është: “A është logjike që të blesh një makinë dhe të vendosësh ta përdorësh atë, ndërkohë që ti ende nuk ke mësuar ta nisësh atë?”.
Përse ne kur vendosim të martohemi ajo që mendojmë është vetëm përzgjedhja e bashkëshortit/bashkëshortes dhe parapërgatitja e gjërave të domosdoshme që na duhen për martesën, gjë që unë nuk them se është pa rëndësi?. Gjithsesi ajo që duhet thënë, është se ne në këtë vendimmarrje as që na vjen në mendje, se nëse Allahu na begaton me fëmijë, si do i edukojmë ata?
Cili është mekanizmi i ndërveprimit me ta?
Po jap një shembull lidhur me çështjen në fjalë: Në vendet perëndimore njerëzit i lexojnë librat pedagogjikë dhe edukativë para se të martohen, si dhe gjatë shtatzënisë, ndërsa ne jemi shumë të vonuar në këtë aspekt. Në vazhdimësi ne mendojmë se kemi ende kohë për të lexuar rreth kësaj.
Përmes letrës tënde, unë u bëj thirrje të gjithë të rinjve/të rejave që kanë vendosur të martohen, që të përgatiten për martesën e tyre, të mësojnë dhe lexojnë sesi të bashkëpunojnë me fëmijët dhe sesi të sillen me problemet e tyre.
Ndaj dhe unë pikë së pari ju nxis të lexoni dhe studioni specifikat e periudhës fëminore në fjalë dhe ju vetë më përmendët, se nga specifikat e asaj periudhe është kureshtja.
Le të jetë pra slogani ynë “Hajde të ngopim kureshtjen e tij”, atë çfarë ai do… Kafazi i zogjve, e pse jo? Le të qëndrojë përbri tij gjithë kohën, e pse ta pengojmë? Këto zogj janë në rolin e një krijese të çuditshme, që këndell kërshërinë e fëmijës. S’ka dyshim, se ai në këtë moshë nuk mund të pikasë asnjë rrezik, që mund t’i kushtojë kureshtja e tij. Na takon neve që t’i sigurojmë atij një ambient të sigurt, duke ia vendosur kafazin mbi tokë, që ta ketë sa më pranë. Pastaj ta mbajmë nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të shohim se si do të sillet, pa i bërë shenjë dhe pa i folur, si dhe duke e bërë atë të kuptojë se ti nuk po e mbikëqyr, që të mos ndjejë se po bën diçka të ndaluar dhe kështu t’i shtohet inati. Unë nuk po them, se sa herë që ai të këmbëngul për diçka duhet që t’ia japësh; pasi ka mundësi, që ajo që ai kërkon, të jetë e dëmshme për të dhe nuk duhet t’ia japësh edhe nëse qan shumë. Por nëse nuk është gjë e dëmshme për të, nuk ka pse të mos ia japim, sapo ta kërkojë.
Pse duhet të insistojmë dhe t’i kundërvihemi, që ta inatosim?!
Do doja që të vendosim së bashku një plan që kënaq kureshtjen e këtij fëmije dhe që konsiston në disa hapa të thjeshtë:
1.       Bëj që ai t’i prekë gjërat me dorën e vet dhe t’i marrë edhe në prehër, po qe se ato nuk janë të dëmshme. Lërë atë të hapë dollapët dhe raftet dhe të nxjerrë çfarë ka në to. Dihet se kjo liri do na sjell vështirësi, pasi ai do bëj rrëmujë në shtëpi, por më lejo të theksoj, se detyra jonë më e madhe është, që në qendër të vëmendjes të kemi pikë së pari edukimin e fëmijës dhe dobinë e tij.
2.       Shfrytëzoje kureshtjen e tij në një formë të tillë, që ajo të përbëjë një shans për t’i mësuar fëmijës rregullin dhe organizimin. Pasi ai të nxjerrë diçka dhe të lozë me të, bëje t’ju shohë sesi i ktheni në vendin e tyre përkatës gjërat që ai nxorri dhe herës tjetër ai automatikisht do t`ju imitojë.
3.       Siguroji atij ambient të sigurt, duke larguar gjërat e shtrenjta që ke frikë mos thyhen dhe duke i zëvendësuar ato me gjëra që nuk thyhen. Nganjëherë fëmijët i thyejnë lodrat, me qëllim që të shohin se çfarë ka në brendi të tyre, sidomos nëse janë lodra me zë. Lëre ta bëjë këtë gjë, përveç rastit kur lodrat kushtojnë shtrenjtë.
4.       Shumica e fëmijëve për të mos thënë që të gjithë, e duan fort kuzhinën dhe raftet e saj. Roli ynë këtu është, që t’u sigurojmë atyre në kuzhinë një raft që të jetë vetëm i tyre, të nxjerrë dhe të fusë në të gjërat me të cilat loz, ndërkaq duhet që raftet e tjera të kuzhinës të mbyllen.
5.       Duhet të marrësh pjesë me fëmijën në lojërat dhe kërshëritë e tij, duke i zbuluar dhe prekur bashkë me të gjërat. Foli duke i qëndruar pranë dhe jepi mundësi të shprehet për çfarë dëshiron të shprehet, përmes bërjes me dorë dhe plastikës së fytyrës dhe fjalëve të vogëlushit, që ende është një foshnje e njomë.
6.       Shumë prej bashkëshortëve i kundërvihen dëshirës së fëmijëve, që prek çdo gjë për të njohur botën që e rrethon, në vend që ta ndihmojnë të zbulojë ambientin përreth. Nëse bëhet fjalë për gjëra të shtrenjta dhe luksoze, që gjenden në vendin ku rri fëmija, duhet që prindërit t’i heqin ato gjëra nga hapësira e tij, sepse ai nuk ka për t’u qetësuar derisa t’i prekë me dorë.
Për sa i përket bindjes së fëmijës në këtë moshë, që të largohet nga gjërat e reja, që e ngacmojnë kureshtjen e tij, them se vetëm sa do ta çosh kohën dëm, sepse diçka e tillë është si lufta me mullinjtë e erës. Kjo është natyra njerëzore, në të cilën jemi krijuar që të gjithë dhe nuk do ishte reale, që të luftoje këtë origjinalitet.
Ndërsa lidhur me historitë e dobishme, mund të them se kjo moshë është shumë e dhënë pas ngjyrave. Historitë e preferuara bëja vogëlushit tënd në një madhësi të madhe të mbushur me ngjyra ngacmuese dhe figura tërheqëse. Sa më të mëdha të jenë, aq më mirë është. Ka disa histori, që janë me pamje të mëdha dhe që shtrohen në dysheme. Ato janë ideale përsa i prket çështjes në fjalë, sepse fëmija mund të ulet mbi to dhe të mrekullohet me figurat dhe ngjyrat e saj.
Kohë e përshtatshme për lojë është koha, kur ai është në humor të mirë. Disa herë e shohim atë që dëshiron të argëtohet duke kënduar, kërcyer apo lozur me ndonjë lojë të një natyre të ndryshme.  Sa herë të jepet shansi t’i lexosh, bëje këtë, sepse kjo i edukon atij vlerën e lidhjes me leximin dhe gabojmë, nëse mendojmë se ai është në një moshë, në të cilën nuk e kupton gjuhën me të cilën i flasim. Duhet t’i lexojmë atij me zë të lartë dhe në gjuhën mëmë, herë letrare e herë me dialekt.
Më pyete gjithashtu mbi principin e ndëshkimit por nuk më the për anën tjetër, atë të shpërblimit… Cili do qe problem që të përdorim shpërblimin apo stimulimin? Për shembull, kur fëmija mëson të ecë, ai herë ngrihet, gjë të cilën ai e bën pareshtur. Lidhur me sa në fjalë, kur ai ka sukses të qëndroj në këmbë dhe të lëvizë, duhet që automatikisht të duartrokasim, ta përqafojmë etj.
Në këtë moshë të hershme ndëshkimi duhet të bëhet vetëm me shikim dhe shenja, siç e pasqyrove në fjalët e pyetjes tënde. Këtë duhet ta bëjmë, kur fëmija afrohet tek një gjë, që mund ta dëmtojë.
Së fundi po të kujtoj me fjalën e Ali ibn Ebi Talibit [Allahu qoftë i kënaqur me të]: “Lozni me fëmijët deri më shtatë (vitet e parë 1-7), edukojini shtatë (vitet pasues 7-14) dhe trajtojini si shokë shtatë (vitet pasues 14-21)”.
Pra, shtatë vitet e para të jetës së fëmijës, kanë të bëjnë me edukimin dhe orientimin e fëmijës përmes tërë metodologjisë së lojës.
Ndërsa përsa i përket çështjes së lidhjes së fëmijës me ty, kjo është një çështje që s’ka vend për panik, pasi ti ndoshta i jep atij vëmendje më shumë se prindi i tij. Fëmija kërkon nga nëna e tij të sigurojë përkujdesjen dhe ëmbëlsinë amësore. Ndërsa nga i ati kërkon ta mbajë hopa atë, ta përkëdhelë dhe të loz me të ato lojëra, që mund t’i ofrojë natyra mashkullore. Ndërkaq, nëse i ati ka preokupime, që e mbajnë larg të voglit të tij, vogëlushi kërkon alternativë tjetër, në këtë rast e personifikuar tek ti. Ti vetë e dhe përgjigjen, në fjalët e tua, se ai është nipi më i madh i familjes dhe se ata banojnë tek ju në apartament më vete. Nisur nga sa në fjalë, lidhja e tij me ty është shumë e arsyeshme. Mos u trishto nga lidhja e tij me ty, ti je xhaxhai i tij. Por duke qenë se i ati i tij është i pranishëm, atij i del si detyrë t’i kushtojë fëmijës së vet kohë për të lozur dhe për t’u marrë me të.
Ajo gjë, të cilës i frikësohem, është vetëm çoroditja e fëmijës, kur merr urdhra dhe ndalesa andej-këtej… Kam për qëllim, që dy familjet duhet të bien dakord për një metodë unike edukimi, që fëmija të mos çoroditet.
Për shembull, disa të rritur i venë fëmijët të pinë vetë dhe të mundohen të hanë me duart e veta që të mbështeten në vetvete. Një gjë e tillë mund të jetë diçka e ndaluar për nënën e fëmijës, por mund të jetë gjë e lejuar për gjyshen. Në të tillë rast, fëmija çoroditet dhe nuk arrin të dallojë, se cila është e drejtë dhe cila e gabuar, gjë që për pasojë çon në luhatjen e sjelljeve të tij. Ajo që kërkohet në një rast të tillë, është të bihet dakord për një metodë edukimi të vetme.
Allahu të ndihmoftë dhe të shpërbleftë për interesimin që i kushton fëmijës së vëllait tënd.
Allahu e bëftë atë burim kënaqësie për sytë tuaj, në dynja dhe Amshim.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit