1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kurani, libri që duhet t’i besoni

Më të lexuarat

Kurani

Kurani, unik mes shpalljeve të tjera

Kurani është libri më i lexuar në botë. Vargjet e tij janë recituar dhe recitohen me dashuri e respekt dhe janë memorizuar e zbatuar në praktikë nga besimtarët muslimanë në mbarë botën që prej shekullit të shtatë , kur Kurani iu shpall Muhamedit (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) prej Zotit si shpallja e fundit hyjnore dhe dëshmi deri në Ditën e Gjykimit .

Besimtarët frymëzohen, gjejnë ngushëllim dhe shpesh impresionohen nga stili letrar, harmonia dhe imagjinata poetike e Kuranit, sidomos kur e lexojnë atë me zë. Përveç kësaj, Kurani është unik mes shpalljeve të tjera për vërtetësinë dhe saktësinë e përmbajtjes së tij. Në të nuk gjendet asnjë informacion shkencor i cili nuk është vërtetuar nga shkencëtarët si i saktë. E njëjta gjë është provuar edhe me kontekstin historik të tij. Megjithatë, ajo çfarë e bën Kuranin të qëndrojë bindshëm në krye të shpalljeve hyjnore, është fakti që fjalët e tij janë ruajtur të pandryshuara dhe janë përcjellë në mbarë botën islame në gjuhën origjinale të zbritjes (në arabisht). Kurani mbetet i vetmi libër i cili mund të memorizohet i gjithë prej njerëzve të të gjitha moshave dhe niveleve intelektuale (prej arabëve dhe joarabëve). Ky fakt e bën atë të quhet me të vërtetë një nga mrekullitë më të mëdha që shoqëruan Muhamedin (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) në profetësinë e tij. Ky libër i mahnitshëm me përsosmërinë e tij të lartë gjuhësore si dhe me precizitetin e lartë shkencor, arrin të depërtojë thellë në zemrat e atyre që e lexojnë dhe të memorizohet prej tyre pavarësisht nga niveli intelektual apo gjuha që flasin. Për këtë arsye, ne ju ftojmë që për disa minuta të lexoni e të mësoni diçka rreth këtij libri, në të cilin bazohen botëkuptimi dhe kultura e pothuajse një të katërtës së popullsisë së planetit.

 

· Kurani dhe shkenca

Një nga karakteristikat më dalluese të Kuranit është se shumë prej vargjeve (ajeteve) të tij japin një përshkrim të saktë të fenomeneve natyrore që i përkasin disiplinave të ndryshme të shkencës si: embriologjia, astronomia, gjeologjia, oqeanografia etj. Duke studiuar këto vargje kuranore, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se saktësia e informacionit shkencor të dhënë në Kuran është vërtetë e habitshme dhe përbën një mrekulli duke marrë parasysh kohën në të cilën Kurani iu shpall Profetit (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!). Në fakt, shumë prej proceseve dhe funksioneve që janë përmendur në Kuran, vetëm vitet e fundit janë zbuluar prej shkencëtarëve. Kjo ka bërë që shumë prej shkencëtarëve të pranojnë Islamin. Gjithashtu, përfshirja e tematikës shkencore në një libër hyjnor, bëri të mundur që konfliktet mes besimit e arsyes, fesë dhe shkencës që lindën në Europën e epokës së mesjetës, të mos ekzistonin në Islam. Kurani në mënyrë të vazhdueshme inkurajon njerëzit që të reflektojnë dhe të përdorin intelektin e tyre. Nuk është çudi që shumica e shkencëtarëve muslimanë kanë qenë besimtarë të devotshëm.

Në Kuran ju do të gjeni një përshkrim të saktë të zhvillimit embrional gjatë 40 ditëve të para të jetës. Gjithashtu, ju do të habiteni se si një shpallje e cila ka si qëllim kryesor përsosjen shpirtërore dhe nënshtrimin e njerëzve ndaj Zotit të gjithësisë, shpjegon se si rrënjët e maleve janë si kunja që ndihmojnë në ankorimin dhe stabilizimin e kores së Tokës, apo se si ujërat e dy deteve që ndodhen pranë njeri-tjetrit, i ruajnë veçoritë e tyre si: kripësinë, temperaturën dhe dendësinë pa u përzier me njeri-tjetrin; apo se si qiejt dhe Toka ishin fillimisht të bashkuara përpara se ato të ndaheshin në vete; si qiejt lindën prej tymit (gazrave dhe pluhurit që karakterizojnë nebulat në të njejtën mënyrë me të cilën formohen dhe yjet).

Kurani kurrë nuk pati si qëllim studimin e shkencës, por duke nxjerrë në pah mrekullitë dhe fenomenet natyrore apo duke na paraqitur historitë e popujve paraardhës dhe mësime të nxjerra prej tyre, vargjet e tij inkurajojnë njerëzit që të meditojnë thellë rreth Madhështisë së Zotit të tyre, Krijuesit të gjithësisë, Allahut Fuqiplotë.

 

· Kurani në lidhje me diturinë

Vargu i parë nga Kurani që iu shpall Muhamedit (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) nga ëngjëlli Xhibril ishte “Lexo, me emrin e Zotit tënd!” Ky urdhër ishte për një njeri që si shumica e njerëzve të asaj kohe nuk dinte as të shkruante as të lexonte. Ishte ky udhër që shënoi fillimin e një epoke të re në komunikimin, studimin dhe zhvillimin njerëzor. Ndërkohë që shpalljet e mëparshme ishin shkruar dhe përcjellë tek njerëzit nga elita e qarqeve fetare dhe të arsimuarve vonë pas vdekjes së themeluesve të feve që ato proklamonin, ruajtja e Kuranit ishte një përpjekje e gjithë bashkësisë muslimane që filloi me shpalljen e ajeteve të para e deri në përfundimin e shpalljes së tij (para vdekjes së Profetit (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!)). Ata që fillimisht pasuan Profetin (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!), memorizuan me zell të madh çdo varg që i shpallej atij, dhe në kohën që Profeti (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) e la këtë jetë me mijëra besimtarë kishin arritur ta mësonin përmendësh të gjithë Kuranin. Brenda dy vjetëve pas vdekjes së Muhamedit (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!), Ebu Bekri, pasuesi i tij më besnik urdhëroi Zejdin (sekretarin e Profetit) që të mblidhte të gjitha kopjet ekzistuese të Kuranit, në mënyrë që të formulonin një kopje të unifikuar standarde të tij. Dorëshkrimi i formuar nga bashkimi i këtyre kopjeve u bë baza e Kuranit të shkruar që iu shpërnda çdo krahine muslimane gjatë sundimit të halifit të tretë, Uthmanit. Disa prej dorëshkrimeve të para janë ruajtur deri në ditët e sotme dhe mund të shikohen në muzeumet e vendeve të ndryshem islame.

Duke ndjekur shembullin e profetit Muhamed (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) i cili i nxiti të gjithë muslimanët (meshkuj e femra) që të kërkojnë diturinë e dobishme, xhamitë u bënë jo vetëm qendra adhurimi, por edhe qendra studimi dhe shkolla të dijes. Koncepti i arsimimit të përgjithshëm e falas e ka origjinën në islam. Fëmijët mësuan të lexojnë, shkruajnë, memorizojnë Kuranin dhe të studiojnë bazat e shkencave ekzakte në shkollat pranë çdo xhamie. Nxënësit e shkëlqyer dërgoheshin më pas për të vazhduar studimet në shkollat e mesme, universitetet, spitalet dhe shërbimet e para postare që u themeluan nga muslimanët. Halifët e parë krijuan institute si “Shtëpia e urtësisë” në Bagdad, ku dijetarët paguheshin për të përkthyer në arabisht vepra të njohura shkencore, letrare dhe fetare. Ishte kjo transparencë e muslimanëve që frymëzoi çiufutët dhe kristianët e Spanjës muslimane të asaj kohe që të përkthenin tekstet klasike romake e greke nga arabishtja në gjuhët e tyre, duke i dhënë kështu jetë Rilindjes Europiane.

· Një libër që përcjell një mesazh dhe një qëllim

Duke qenë një libër me përmbajtje hyjnore, ai përcjell mesazhin e Krijuesit te të gjitha qeniet njerëzore. Ai i cili mediton rreth qëllimit të krijimit të ekzistencës së tij në tokë, do ta gjejë Kuranin një udhëzues të përkryer. Duke iu referuar shpalljeve të mëparshme, Kurani konfirmon vërtetësinë e tyre, por gjithashtu jep edhe sqarime rreth atyre pjesëve të cilat me kalimin e shekujve u ndryshuan ose u hoqën prej këtyre shpalljeve për shkaqe të ndryshme. Ata që e kanë lexuar Biblën do të gjejnë se historitë e profetëve, shejtanit, engjëjve, Ditës së Gjykimit dhe këshillat në lidhje me moralin dhe etikën e besimtarit, janë shumë të ngjashme me të njëjtat tema që shtjellohen në Kuran. Megjithatë, Kurani nuk është vetëm një korigjim dhe riprezantim i tematikave të ndryshme të shtjelluara në shpalljet e mëparshme. Ai mbetet unik dhe bashkëkohor për shkak të përmbajtjes së tij universale, e cila nuk e humb kurrë rëndësinë e saj dhe është një thesar për të gjithë njerëzimin dhe të gjitha kohërat.

Një shembull prej historive të cilat u paraqitën në Kuran në një version të korigjuar është historia e Ademit dhe Havasë. Sipas Kuranit, Zoti i vuri para përgjegjësisë si Ademin ashtu edhe Havanë për frutin e ndaluar të cilin ata e hëngrën, edhe pse ishte Havaja ajo e cila e nxiti Ademin që ta kryejnë mëkatin. Gjithashtu, Kurani thekson se mëkati nuk u trashëgua tek pasardhësit e tyre, sepse Zoti i fali ata pas pendimit të tyre. Përveç kësaj ka edhe pika të tjera të cilat e bëjnë Kuranin të ndryshojë prej Biblës. Kurani thekson se pjesa më e madhe e librave origjinalë që përbënin Biblën dhe shpalljet e tjera kanë humbur ose ndryshuan me kalimin e kohës (si pasojë e luftërave, inrigave politike, përçarjeve fetare, etj.). Mjafton të përmendet se ekzistojnë versione të ndryshme të Biblës që është në qarkullim apo se versioni origjinal është zhdukur, apo se fletushkat e “Detit të vdekur” kanë humbur, që të kuptojmë se pretendimi i Kuranit në lidhje me çështjen në fjalë është më se objektiv. Kurani refuzon konceptin e shpëtimit ose privilegjeve në bazë etnike. Zoti nuk bën dallime mes njerëzve të rracave dhe ngjyrave të ndryshme. Në Islam, Zoti është i të gjitha krijesave dhe feja e zbritur është për arabët dhe joarabët. Kurani gjithashtu mohon nevojën e flijimit të një njeriu të pafajshëm për arritjen e shpëtimit të mbarë njerëzimit. Kurani shpalli se Isai (Jezusi) nuk është kryqëzuar (ashtu siç pretendohet), por Zoti e shpëtoi atë nga armiqtë e tij ashtu siç i ka hije një profeti të dashur e të respektuar. Qëllimi i dërgimit të Isait si profet, nuk ishte sakrifikimi i tij për të shpëtuar njerëzimin, por krijimi i një shembulli të mirë për krijesat dhe përcjellja e urdhëresave hyjnore. Në islam shpëtimi arrihet me pendim të sinqertë, me përmirësim të të metave, dhe me vendosmëri për të mos iu kthyer më mëkatit të kryer. Shenjtëria nuk ekziston dhe ai i cili drejton faljen ditore (imami) nuk është tjetër vetëm se një besimtar i cili ka njohuri rreth Islamit. Mëkatet e çdokujt prej muslimanëve falen vetëm duke iu lutur drejtpërdrejtë Zotit, pa ndërmjetës.

Mesazhi kryesor i Kuranit është thirrja e njerëzve që të kthehen te Zoti i tyre, tek Ai që jep jetë, dhe me zemër të pastër t’i nënshtrohen vetëm Atij duke qëndruar larg idhujtarisë dhe supersticionit. Në Islam fjala “Zot” nënkupton një Zot të vetëm, Krijuesin e Universit, Mbikqyrësin dhe Furnizuesin e krijesave. Koncepti i Trinitetit dhe çdo lloj koncepti tjetër që përshtjellon mendjet e njerëzve refuzohet plotësisht. Ashtu si bërthama e një qelize ose një atomi, Ai i vetëm është qendra e kontrollit të gjithçkaje që ekziston. Prania e më shumë se një Zoti do të çonte në kaos dhe konfunzion. Zoti është unik dhe pa partner. Ai nuk është i lindur e as nuk lind; Ai është i Gjithëmëshirshëm, i Gjithëfuqishëm, i Drejtë dhe vetëm Atij duhet t’i drejtohemi për ndihmë dhe udhëzim. Çdo gjë të cilën ne e lejojmë të qëndrojë mes nesh dhe Krijuesit tonë (qofshin edhe dëshirat dhe emocionet tona) konsideroheh si idhull.

Pasuria, familja, bukuria fizike dhe të gjitha kënaqësitë e tjera të kësaj bote, një ditë do të zhduken dhe nuk do të jenë më kur ne t’i drejtohemi varrit. Vetëm besimi i drejtë dhe punët e mira në përputhje me këtë besim do të mbeten tek ne. Ato do të na i ndriçojnë varret tona dhe do të na shpëtojnë në Ditën e Gjykimit.

Megjithëse asnjë përkthim i vargjeve kuranore nuk mundet të përcjellë bukurinë dhe kuptimin e thellë të vargjeve të Zotit të shpallura në arabisht (për këtë arsye muslimanët inkurajohen të mësojnë arabisht). Vargjet e mëposhtme të shkëputura nga Kurani ilustrojnë më së miri të gjitha çështjet që u përmendën mësipër.

” Dhe lexoju atyre ndodhinë e Ibrahimit.

Kur ai i tha babait të tij dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju?”

Ata i thanë: “Ne adhurojmë idhujt dhe ndaj tyre ne jemi gjithnjë tepër të përkushtuar.”

Ai u tha: “A ju dëgjojnë kur u thërrisni (atyre)?

Apo mos u sjellim dobi apo dëm?”

Ata thanë: “Jo, aspak, por kështu i gjetëm baballarët tanë të veprojnë”

Ai u tha: “A nuk vështroni se ç’keni adhuruar ju dhe baballarët tuaj?”

Vërtet ata (idhujt) janë armiqtë e mi, përveç Zotit të botërave, Ai që më krijoi dhe udhëzoi, Ai që më ushqen dhe më jep të pi, Ai që kur sëmurem më shëron, Ai që do të më sjellë vdekjen dhe do të më ringjallë, Ai që unë shpresoj shumë do të më falë mëkatet në Ditën e Gjykimit.

O Zoti im! Më dhuro mua mençuri dhe urtësi dhe më bashko mua me të drejtët! Më mundëso që unë të përmendem për mirë nga gjeneratat që do të vijnë!

Më bëj mua një nga trashëguesit e Kopshtit të Kënaqësisë (Parajsës)!

Fale babain tim sepse ai është një prej atyre që kanë humbur rrugën e drejtë!

Mos më turpëro në atë Ditë kur të gjithë njerëzit do të ringjallen! Ditën në të cilën as pasuria, as fëmijët nuk sjellin dobi, përveç kush i paraqitet Zotit me zemër të pastër.” Kapitulli Shuara 69-89.

 

Përgatiti: Erion Sula

Burimi: www.klubikulturor.com

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit