5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kur znj. Bregu bëhet njësh me portalet

Më të lexuarat

Nga Albina FERKO-NANAJ
Znj. Bregu është nga ato ligjvënëse e pushtetare që ka pasur në dorë shumëçka për të ndryshuar rrjedhën social-ekonomike të këtij vendi. Sot, në vend që të mbajë përgjegjësi për dështimin e saj dhe të klasës politike që përfaqëson, e gjen shumë të thjeshtë t’ia hedhë fajin “ekstremizmit islamik”.

E kam fjalën për komentin e ish-ministres Majlinda Bregu mbi kronikën e realizuar në Polis të Librazhdit, ku flitej për vajza që braktisin shkollën 9-vjeçare për t’u martuar. Faktet u ngritën mbi hamendësimin e mësuesit të fshatit, që niste me fjalët, “Duket sikur…”.

Mësuesi, me divizën e të iluminuarit gjitholog, njësoj si ata që e pasuan tezën e tij, u përpoq të jepte një arsye pse ndodhte ky fenomen. Komenti i tij dukej i shkëputur nga ndonjë tekst që fliste për kanunin, dhe në këtë kontekst nuk do të habitesha aspak që në zona të izoluara, për shkak të injorancës e varfërisë, të keqpërdorej feja, por në kushtet e mbindjeshmërisë së medias, opinionbërësve dhe publikut ndaj “ekstremizmit islamik”, ngjarja merr një ngjyrim krejt tjetër. Është e pafalshme që elita intelektuale dhe politike e këtij vendi është kaq sipërfaqësore dhe cinike. Nuk duhet ndonjë njohje e mirë e terrenit për të kuptuar se është varfëria dhe mungesa e mundësive që i detyron këta prindër ta shohin martesën si të vetmen rrugëdalje për t’u larguar nga mjerimi.

Po çfarë zgjodhën të bëjnë gazetarucët e portaleve dhe zonjëzat duarmëndafshta?! Nuk zgjodhën qëllimisht të tregohen të kthjellët e të komentojnë shkaqet reale, por e deformuan faktin, duke i fryrë akoma më shumë zjarrit të islamofobisë, që për fat të keq nuk e lufton aspak ekstremizmin, por kontribuon në thellimin e stereotipeve. Problemi qëndron në atë se jo të gjithë hulumtojnë për të kuptuar se këto fakte janë të ngritura mbi hamendësime, dhe rrjedhimisht titujt bombastikë formojnë perceptimin e tyre mbi realitetin. Një realitet shumë i dhimbshëm, tek i cili “ekstremizmi islamik” nuk kontribuon aspak!

Si besimtare praktikante pres prej komunitetit tim, dhe kryesisht prej elitës së tij, që të jemi në pararojë në zbutjen e fenomeneve negative që e kanë prekur shoqërinë shqiptare. Të tregojmë me punën tonë se i japim vlera shoqërisë. Kontributi ynë për sensibilizimin ndaj kauzave të ndjeshme, si varfëria, arsimimi dhe emancipimi i shoqërisë, është i domosdoshëm. Sigurisht që na duhet punë shtesë për të sfumuar qasjet mediatike aspak korrekte të gazetarëve që rendin pas klikimeve dhe të kujtdo që i teket të marrë vëmendje të pamerituar përmes përmendjes së Islamit në konotacion negativ. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit