1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kur serbë janë krah shqiptarëve, kundër Beogradit

Më të lexuarat

Në Luginë, aty ku elementi shqiptar po humbet praninë në institucione

Shqiptarët, të cilët përbëjnë 25-30 për qind të popullsisë së përgjithshme të rrethit të Pçinjës në Serbinë jugore, aty ku ndodhet Lugina me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, nuk kanë përfaqësues të tyre në prokurori, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën.

E ndërsa ministrja e linjës Maja Popoviç pretendon se arsye për këtë është mungesa e kuadrove profesionale te shqiptarët, përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti etnik përgjigjen se ky është një shembull tjetër i integrimit të tyre të ngadalshëm, pothuajse inekzistent në institucionet shtetërore. Pjesa eksperte e publikut thekson se i gjithë procesi i integrimit të minoritetit shqiptar dhe jo vetëm në drejtësi, është çështje vullneti politik.

Kuvendi i Serbisë së fundi ka votuar për zgjedhjen e prokurorëve për krimin e organizuar, por edhe për prokuroritë themelore dhe ato të larta dhe në mesin e kandidatëve nuk ka pasur shqiptarë, të cilët i kushtojnë vëmendje të veçantë Prokurorisë Themelore dhe të Lartë në Vranjë, e cila mbulon të gjithë rajonin.

Prokuroria Themelore e Shtetit në Vranjë deri vonë ka pasur dy zëvendësprokurorë të përkatësisë shqiptare, por ata kanë dalë në pension dhe vendet e tyre kanë mbetur vakante. Është me rëndësi të theksohet këtu se kjo prokurori është përgjegjëse edhe për Bujanocin dhe Preshevën, komuna në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ku komuniteti shqiptar është popullatë dominuese.

“Shqiptarët kanë mbetur pa përfaqësues në Prokurorinë në krye të zonave të shumicës, ndërsa ne vetëm ëndërrojmë për një vend në Prokurorinë e Lartë, e cila mbulon të gjithë qarkun e Pçinjës”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar (NSA) në Serbi.

Deputeti Shaip Kamberi paralajmëroi në Kuvend se në këtë mënyrë shkelet Ligji për të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare, por edhe Kushtetuta e Serbisë, e cila në pikën 77 e rregullon shumë saktë këtë fushë.

“Anëtarët e pakicave kombëtare kanë, në të njëjtat kushte si qytetarët e tjerë, të drejtën të marrin pjesë në menaxhimin e çështjeve publike dhe të marrin funksione publike. Punësimi në organet shtetërore, shërbimet publike, organet e krahinës autonome dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të kenë parasysh përbërjen kombëtare të popullsisë dhe përfaqësimin e duhur të pjesëtarëve të pakicave kombëtare”, thuhet në Kushtetutë.

Kamberi shpjegon se kjo në fakt do të thotë që secila nga 22 pakicat kombëtare në Serbi, në këtë rast shqiptarët në jug të vendit, sipas Kushtetutës, duhet të kenë një numër proporcional të përfaqësuesve të tyre në institucionet shtetërore.

Avokati dhe eksperti i të drejtave të njeriut, Milan Antonijeviç, beson se integrimi i shqiptarëve është në radhë të parë çështje e vullnetit politik në Serbi, por edhe pjesë e korpusit të detyrimeve ndërkombëtare, me theks të veçantë në kapitujt me Bashkimin Evropian që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave.

“Serbia ka marrë obligime ndaj BE-së, të cilat nënkuptojnë se përbërja kombëtare e popullsisë së një rajoni duhet të jetë e dukshme në gjyqësor. Këtë e ka miratuar edhe Qeveria e Serbisë me planet e saj të veprimit lidhur me gjyqësorin. Gjithashtu, shteti është i detyruar t’u mundësojë minoriteteve përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve dhe jo të punësojë përkthyes në institucione. Që kjo të zbatohet duhet vullnet politik, i cili pres të krijohet”, thotë Antonijeviç.

Sipas tij, është e nevojshme futja e përfaqësuesve të minoritetit shqiptar në prokurori dhe gjykata për t’u dërguar atyre një mesazh të qartë se ata janë pjesë e këtij vendi dhe kanë të njëjtat të drejta si qytetarët e tjerë.

Shaip Kamberi, duke thënë se nuk do të merrej me stereotipe, nuk ka dashur të komentojë fjalët e ministrit të Drejtësisë, i cili mungesën e shqiptarëve në prokurori e arsyeton me mungesën e kuadrove profesionale.

Nëse kjo është vërtetë e vërtetë, thekson avokati nga Vranja, Igor Zlatkoviç, atëherë ky është një lëshim i madh i shtetit.

“Nëse e dimë se Serbia është e obliguar me Kushtetutë që të integrojë shqiptarët në gjyqësor, atëherë pse ka lejuar që në këtë komunitet të mos ketë njerëz të kualifikuar? Pse nuk u mendua me kohë”, pyet Zlatkoviç, duke e vlerësuar komentin e ministrit si “të shëmtuar”.

Ragmi Mustafa, megjithatë, thekson se në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, tri komuna në jug të Serbisë ku jetojnë shqiptarët, janë së paku një duzinë njerëz nga ai komunitet që i kanë të gjitha kualifikimet për punën e prokurorit.

Ndonëse gjendja me numrin e shqiptarëve në gjykatat e rrethit të Pçinjës është më e mirë se në prokurori, Shaip Kamberi thekson se është ende larg idealit dhe “nën nivelin e standardeve vendore dhe ndërkombëtare”.

“Gjykata Themelore në Bujanoc ka të punësuar gjithsej 67 persona, prej tyre vetëm 20 janë të përkatësisë shqiptare. Nga 12 gjyqtarë, sa janë të angazhuar në këtë gjykatë, tetë janë serbë, dhe katër janë shqiptarë”, thekson Kamberi.

Gjyqësori është vetëm një shembull i integrimit të ngadalshëm të shqiptarëve, një nga gurët e themelit të të gjitha marrëveshjeve midis autoriteteve shtetërore dhe përfaqësuesve të komunitetit që nga viti 2001 dhe përfundimit të konflikteve të armatosura nga të cilat rajoni është ende duke u rikuperuar.

Kamberi kujton se në atë vit u miratua plani dhe programi për zgjidhjen e krizës në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Një dokument i ngjashëm, me ndërmjetësimin e OSBE-së, u miratua në vitin 2009 dhe i fundit, i quajtur “plani 7-pikësh”, u miratua nga qeveria serbe, e kryesuar atëherë nga lideri socialist Ivica Daçiç, në vitin 2013 me rekomandimin e pushtetit vendor dhe qendror.

“Unë jam i vetëdijshëm se integrimi është një proces i gjatë, por ne jemi në të për 20 vjet”, paralajmëroi Kamberi.

Ai, si shembull të praktikës së keqe dhe diskriminuese e përmend rastin e Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor më 14 tetor ka dhënë pëlqimin për propozimin e kandidatit që për herë të parë zgjidhet gjyqtar i Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë. Me këtë vendim për gjyqtar është propozuar kandidati Igor Nikoliç, bashkëpunëtor i pavarur i Shërbimit Kadastrës nga Vranja. Nuk do të kishte asgjë të pazakontë në këtë vendim nëse në mesin e kandidatëve që aplikuan për të njëjtin pozicion nuk do të kishte kandidatë të nacionalitetit shqiptar të cilët kanë dhënë provimin e jurisprudencës apo të diplomuar në Akademinë e Gjyqësorit dhe se kjo nuk është Gjykata për Kundërvajtje e vendosur në komunën me mbi 90 për qind e popullsisë shqiptare”, shpjegon Kamberi.

Mungesa e integrimit është më se e dukshme në spitalin rajonal të Vranjës, i cili mbulon të gjithë rrethin e Pçinjës, por që nuk ka asnjë punonjës shqiptar.

Ragmi Mustafa thekson se spitali nuk është një rast i izoluar.

“Deri para disa vitesh ne kishim një inspektor arsimor në Vranjë, tani nuk është kështu. Të drejtat e shqiptarëve në Serbi janë në rënie në çdo kuptim, kështu që tani kemi më pak të punësuar në polici, zjarrfikës, shëndetësi dhe institucione të tjera nën juridiksionin shtetëror”, thotë Mustafa.

Milan Antonijeviç beson se “Serbia duhet ta kthejë faqen”, ndonëse, siç thotë ai, vërehet një përparim në të drejtat e minoriteteve.

“Nëse Serbia dëshiron të përmirësojë të drejtat e njeriut dhe të pakicave, është e nevojshme të integrohen shqiptarët jo vetëm në gjyqësor, por edhe në shëndetësi dhe në të gjitha sistemet e tjera në rajon ku ata përbëjnë shumicën e popullsisë,” shpjegon Antonijeviç.

Shaip Kamberi thekson se besueshmëria e institucioneve varet nga besimi që qytetarët kanë në to, ndërsa besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore në mjediset multietnike, mbi të gjitha varet nga angazhimi i përfaqësuesve të pakicave kombëtare në to.

Ai shton se përfaqësimi i minoriteteve është i domosdoshëm si në nivel lokal ashtu edhe në atë rajonal.

“Është shërues dhe i mirë për demokracinë”, përfundon deputeti dhe përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit