0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kur pena është e lirë

Më të lexuarat

Jurgen Todenhofër, një gazetar i lirë, një profesionist i vërtetë, i cili gjithë jetën si reporter e ka kaluar në vendet e konflikteve. Është i njohur për denoncimet e krimeve amerikane dhe opozitën e ashpër ndaj presidentit Bush dhe pasardhësve të tij.

Një gazetar i lirë që objektiv ka pasqyrimin e realitetit, jo një kalemxhi që shkruan çfarë t’i diktohet apo t’i shitet më mirë. Një gazetar që raportimet i bën nga brenda ngjarjeve, nën krismat e plumbave dhe gjëmimin e bombardimeve, jo si reporterët e sotëm të “Google Translate”, që për profesion kanë retushimin (photoshop-in) dhe për objektiv shtrembërimin. Mund të mos pajtohemi me çdo gërmë të shkruar, megjithatë është një gazetar që meriton respekt për të drejtën që thotë.

Nuk po zgjatem më shumë dhe fjalën po ia lë vetë Jurgen Todenhofrit, me këto fjalë të shkurtra me titull: “Fatkeqsisht NATO s’është aspak më të mirë se Putini”:

“Putini po zhvillon një luftë të paligjshme kundër Ukrainës. Nuk ka asnjë shfajësim. As shkeljet e ndryshme të NATO-s në vite nuk e justifikojnë vrasjen e civilëve të pafajshëm ukrainas. Lufta është përherë e ndyrë.

Po a nuk kanë kryer politikanët tanë të lartë, gjermanë dhe perendimorë, të njëjtat krime për dekada me rradhë?! A mund të ketë më keq se kaq?! Në Afganistan, në Irak, në Siri, në Jemen, në Mali, etj. A nuk kanë dërguar shtetet e NATO-s miliona vrasës të të pafajshmëve?! Ndërsa tani, këta tregëtarë luftërash, po veprojnë si të jenë avokatët e paqes. Çfarë hipokrizie në kulm!

Kam qenë prezent në të gjithë këto luftra. Kam parë gra, fëmijë e burra të vdesin. Kancelar Shulzi dhe homologët e tij, përfshi edhe Kancelaren Merkel, a me të vërtetë kanë luftuar kundër kësaj politike?! Në Mosul të Irakut, nën udhëheqjen amerikane, vetëm mes viteve 2015 dhe 2017 u vranë plot 40.000 civilë. Të ndriturat Forcat Ajrore Gjermane kanë fluturuar atje. Askush në Perëndim nuk është shqetësur për këtë.

Gazeta BILD, klubi i fuqishëm i tifozëve të luftrave tona sulmuese, a ka protestuar ndonjëherë për brutalitetin dhe paligjshmërinë e luftrave të Perëndimit?! A i ka demaskuar ndonjëherë dërgesat e armëve në vendet e sulmuara nga SHBA-ja, në Irak dhe Afganistan?!

Ndërkohë tani që shtetet e NATO-s po kërkojnë përjashtimin e Rusisë nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të shkeljes së “vlerave” tona, janë pikërisht po këto shtete që paturpësisht vazhdojnë të shfrytëzojnë vendet më të varfra në botë, duke skllavëruar fëmijët e tyre dhe duke i shfrytëzuar ata nëpër miniera, për hir të mirëqënies së tyre. Si këtu në Kongo, ku unë po e përjetoj drejtpërdrejt zhfrytëzimin perëndimor të fëmijëve skllevër në minierat e lëndëve të para.

Po, lufta e Rusisë në Ukrainë është e paligjshme. Asgjë tjetër nuk mund të thuhet. Por luftrat e politikanëve tanë janë po aq të këqija.

Kam qenë dëshmitar në dhjetë prej këtyre luftrave. I kam parë vetë vrasjet e NATO-s. Kam biseduar me fëmijët e skllavëruar dhe të shfrytëzuar nga vendet e pasura. Jo, e dashur udhëheqje e NATO-s! Jo, ju nuk jeni pak më të mirë se Putini. Ju thjesht jeni hipokritët më të mirë. Hidhini një sy vetes në pasqyrë!”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit