I
Përcjellësit e rrethanave në mesin e popullit shqiptar janë të shokuar me atë që është duke ndodhë në shtetin e Kosovës, si një shtet më i ri në botë dhe si një demokraci në zhvillim.
Ky shok-im dhe kjo habi ka të bëjë me ndalimin e vijimit të shkollimit të vajzave që kanë vendosur të vendojnë shaminë mbi kokë.
Kjo temë dhe dy tema përcjellëse të kësaj, ajo e futjes së lëndës së mësimbesimit (nëse do emërtoje: edukatë fetare apo njohje me religjionet) dhe nevojës për një xhami të madhe në mesin e Prishtinës, nxorën në shesh një mungesë së tolerancës dhe demokracisë në mesin e protagonistëve të saj.
Ky reagim nuk do të vinte po të ndodhte kjo në një vend të njohur për diktatori dhe njëmendësi, mirëpo kur vjen në një shtet të porsaformuar, në një demokraci në fillimin e vet, kjo patjetër që shkakton shqetësim edhe atë shumë të madh.
Kur kjo vjen nga ana e atyre që duhet të jenë pararoja e këtyre parimeve (liri-barazi), të cilat vazhdimisht i stolisin dhe ëmbëlsojnë në shkrimet dhe bisedat e tyre, problemi bëhet edhe më i madh.
Ky veprim nxjerri në shesh edhe blofin dhe manipulimin që deri më sot e ka bërë kasta politike në mbarë shqiptarinë kur krenohej dhe lavdërohej me tolerancën ndërfetare te ne.
Krejt ky konstatim vjen si rezultat i një mungese të një tolerance minimale, i mungesës së një mirëkuptimi minimal, i një kulture minimale dhe politike pragmatike minimale në mesin e asaj që quhet elitë politike dhe intelektuale në Kosovë.
II
Ajo që e përkeqëson edhe më shumë këtë gjendje është se këto vendime dhe imponime vijnë nga një pakicë politike e cila e sundon Kosovën!
Vendimet politike dhe administrative me rëndësi për fenë, arsimin, kulturën dhe bashkëjetesën e popullit tonë njëri me tjetrin, fatkeqësisht merren nga një pakicë politike. Nuk ka ndonjë konsensus mbarë partiak dhe mbarë popullor.
Nëse shikohet numri i atyre që kanë dalë në votime për të votuat këto parti politike, ai ishte nën pesëdhjetë përqind në votimet e fundit në Kosovë, shtoja kësaj se këto vendime i kanë votuar vetëm pak më shumë se gjysma e parlamentit, na del matematika se një pakicë ekstreme merr vendime për një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare në Kosovë. Ky ka qenë edhe realiteti i aparteidit në Afrikën e Jugut, i cili edhe me superioritetin e shtetit që i ka përkrahë ka marrë fund, sepse ka qenë padrejtësi dhe zullum.
III
Pika tjetër që e irriton çdo besimtarë mysliman në debatet që bëhen në lidhje me këto tema është pretendimi i debatuesve në emisionet e ndryshme se janë mysliman dhe besimtarë, kurse në realitet ata e shembin çdo themel dhe shtyllë në të cilën mund ta mbështesin besimin e tyre.
Hoxhallarët tanë çdo herë përgjatë historisë së pranisë së fesë Islame në këto treva dhe në këtë popull kanë treguar se pranimi i një feje apo tjetrës bëhet me dëshirë dhe vullnet dhe aspak me dhunë dhe detyrim.
Për këtë shkak secili që nuk dëshiron të mbetet mysliman edhe pse vjen nga një familje myslimane e ka të drejtën e manifestimit dhe publikimit të mosbesimit të tij apo konvertimit të tij e assesi të luaj rolin e mynafikut, që në fjalorin fetar domethënë njeriu që brenda në zemrën e tij ka mosbesim, kurse në jetën e tij publikon diçka prej fesë.
Mirëpo të pretendon besimin Islam njeriu i cili flet keq për librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, apo nuk beson në ringjalljen, apo nuk beson parimet themelore mbi të cilat mbështetet feja Islame, ai pretendim i tij nuk merret para sysh dhe nuk vlen aspak.
Shikuar nga ky kënd në shumicën e debateve që bëhen në televizionet e ndryshme struktura e të pranishmëve në to është një hoxhë, një politikani praktikant i fesë dhe i një ateisti, agnostiki e jo të një myslimani minimalist apo liberal, siç dëshirojnë ta paraqesin veten, sepse ata s’kanë lidhje me asgjë të fesë.
Kjo nuk është fyerje për askënd, por është vërtetim i gjendjes faktike, dhe është një konstatim edhe jo aq i këndshëm për ne, mirëpo nuk guxojmë as të mbyllim sytë para një realiteti të këtillë dhe të mos e emërtojmë me emrin e tij të vërtetë.
Gjithashtu ne nuk kemi dëshirë që niveli i komunikimit të bie deri në atë nivel që publikisht të shahen shenjtërit e myslimanëve dhe askush të mos ketë të drejtë të del në mbrojtje të tyre.
Nuk mundet të qëndron pretendimi se edhe ata janë mysliman, nëse ata vazhdimisht i shajnë shenjtërit Islame, nuk krenohen me asgjë fetare Islame, nuk praktikojnë asgjë nga Islami, madje ju pengon çdo gjë Islame.
IV
Toleranca fetare sipas kësaj që shohim paska vyer vetëm kur ka qenë në pyetje toleranca e myslimanëve kundrejt të tjerëve kurse kur vjen në pyetje të manifestohet toleranca e tjerëve kundrejt disa kërkesave minimale të myslimanëve, atë nuk e gjejmë dhe aspak nuk alarmohet kjo situatë! A nuk është e çuditshme kjo gjë?!
Këto ditë shoqëria shqiptare në Kosovë pati një shans të artë për të treguar edhe praktikisht atë që shumë shpesh e proklamojnë verbalisht, tolerancën fetare të tyre, mirëpo në këtë rast kundrejt myslimanëve, që edhe pse paraqesin shumicën e popullit tonë, ata diskriminohen. Mirëpo kjo fatkeqësisht nuk ndodhi!
Prani e fesë Islame si fe e shumicës në popullin shqiptar ka dhanë shumë shembuj se ata kanë qenë promovuesit dhe mbjellësit e tolerancës fetare në mesin e popullit tonë, kurse ajo që ka ndodhë në popullin shqiptar që nga imponimi i ateizmit e deri te kjo që ndodh kohëve të fundit, tejtheksimi i katolicizmit, siç e quan Qosja, na tregon se disa politikanë, disa intelektualë dhe disa bashkësi fetare me qëndrimet e tyre jokoherente, promovojnë dhe i fryjnë jotolerancës dhe bëhen shkak për krijimin e skizmave në popullin tonë, pasojat e të cilave qëndrime mund të jenë fatale në një të ardhme të afërt, Zoti mos e bëftë!
Heshtja e Kishës katolike në lidhje me të drejtat e femrës për shkollim, duke respektuar edhe parimin e tyre fetar, mbulesës islame dhe padrejtësia e qëndrimit të Kishës katolike në lidhje me kërkesën e mësimbesimit treguan një jokoherencë të pakuptimtë. Mu ata që kanë insistuar për futjen e mësimbesimit në shumë vende fqinjë dhe e shfrytëzojnë një të drejtë të tillë, bëhen të zhurmshëm në Kosovë kundër futjes të kësaj lënde në shkollat tona! A nuk është kjo jokoherencë dhe padrejtësi, veti të cilat nuk duhet ti ketë asnjë bashkësi fetare!
Bekir Halimi