0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Kur Islami bëhet objekt i tekave njerëzore – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Islam, siç besoj e kanë mësuar të gjithë ata që kanë lexuar qoftë edhe pak për këtë fe, e kanë mësuar se në kuptimin etimologjik në gjuhën arabe ‘islam’ do të thotë dorëzim, bindje, përulje dhe se ky është njëkohësisht edhe kuptimi dhe thelbi fetar i kësaj feje.

Islami është përulje, dorëzim dhe nënshtrim pa kushte ndaj Krijuesit. Sepse ti nuk mund ta duash Atë, as ta adhurosh Atë, as t’i frikësohesh Atij dhe as të shpresosh tek Ai, siç të ka qejfi ty dhe të vjen ty për shtat, duke menduar se e vërteta e Zotit qëndron pikërisht tek ajo ku ti ndjehesh më mirë!

JO! Ti je një qenie e dobët emocionale dhe tepër subjektive dhe e ‘vërteta’ sesi ti ndjehesh nuk është e vërteta e Zotit, ajo sublimja dhe universalja. Dhe tek Zoti nuk ka shumë të vërteta, por vetëm një dhe ajo e vërtetë nuk është e vërteta jote, as e imja dhe e asnjërit prej nesh, por është e Vërteta e Zotit të cilës duhet t’i bindemi dhe nënshtrohemi pa kushte.

Jemi ne ata që duhet t’i nënshtrohemi të vërtetave të Zotit, përndryshe nëse ne kërkojmë t’i bindemi ‘të vërtetave’ tona relative dhe subjektive, duke e adhuruar Atë, duke e dashur Atë dhe duke iu afruar Atij ashtu siç na pëlqen neve, nuk kemi bërë gjë tjetër vetëm se kemi konsideruar si Zot tekat, pasionet dhe dëshirat tona. Iu jemi nënshtruar atyre dhe jo Krijuesit.

Në fakt adhurimi i vetvetes është shirku dhe idhujtaria më e përhapur sot në botën tonë postmoderne, dhe nga kjo idhujtari janë prekur dhe shumë besimtarë. Mjaft njerëz sot nën ndikimin e gjithfarë lloj idesh dhe broçkullash, që ka prodhuar individualizmi, duan ta besojnë Zotin dhe adhurojnë Atë si dhe ta praktikojnë fenë, nëse zgjedhin të ndjekin një të tillë, si t’ia ketë qejfi atyre.

Si gjithmonë edhe në këtë rast vihet në dyshim e pastaj mohohet autoriteti i burimit të besimit. Nën pretekstin gjoja të autoritetit të prishur dhe korruptuar njerëzor kalohet tek mohimi i burimeve bazike të fesë, siç është Suneti përmes haditheve dhe pastaj, në emër të së vërtetës individuale, që këta individë gjoja zbulojnë, bëhen prijës apo më saktë modele të individualizmit fetar, duke shpallur se po u zbulojnë të vërtetën e fshehur tinëzisht gjoja nga ky autoritet fetar i korruptuar!

Është e vërtetë se mjaft hoxhallarë dhe dijetarët e fesë në kohë dhe vende të caktuara, mund të mos jenë në lartësinë e duhur, për ta zbritur Islamin dhe bërë fenë më të kuptueshme dhe të qartë për njerëzit, dhe kjo është një sfidë që është përherë aktuale, por kjo nuk do të thotë kurrsesi se paaftësia dhe mangësia e tyre buron pikërisht nga manipulimi që i është bërë fesë kohë më parë nga ata që paskan trilluar hadithet apo kanë bërë obligim pesë falje nga vetëm tre që obliguaka Kurani! Mangësia e njerëzve nuk mund të jetë kurrsesi edhe mangësi e Islamit si fe, përndryshe kjo rrugë të shpie si të tjerët para nesh, në mohimin tërësor të fesë.

Edhe vetë shejtani kur nuk i përkul Ademit, nuk bëri gjë tjetër vetëm se u rebelua ndaj autoritetit të Zotit, duke mos pranuar që t’i bindej Atij pa kushte në çdo gjë. Sigurisht që ai e dinte se nuk kishte Krijues dhe Zot tjetër veç Zotit, por ai në këtë rast për shkak të mendjemadhësisë së tij, ra në adhurimin e vetvetes dhe akti i tij i mosbindjes ishte njëkohësisht edhe një akt shirku i pakuptueshëm.

Ata meshkuj apo ato femra, që e paraqesin bindjen ndaj haditheve si bindje ndaj një autoriteti të korruptuar njerëzor, që i ka trilluar ato për të nënshtruar njerëzit dhe pasur nën vete ata, nuk janë veçse iblisë, që në fakt kërkojnë t’i tërheqin njerëzit pas autoritetit të tyre, e kuptojnë këtë ose jo.

Sigurisht që Islami nuk është monopol i asnjë hoxhe apo dijetari, sado i madh dhe me famë qoftë ai, por e vërteta e kësaj feje është dhe mbetet monopol i shpalljes hyjnore dhe kuptimit unanim të këtij ymeti, sepse Allahu nuk e bën bashkë kurrë këtë ymet në humbje.

Allahu thotë në Kuran:

“Kush i kundërvihet të Dërguarit edhe pasi i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek tjetër rrugë nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në zgjedhjen e tij dhe e fusim në Xhehenem. Ky është përfundimi më i keq.” (en-Nisa: 115)

Dhe thotë:

“Kështu, nëse ata do të besojnë siç besoni ju, atëherë do të jenë në rrugën e drejtë.” (el-Bekare: 137)

Kështu që kush pretendon ose akuzon se falja e pesë vakteve në vend të tre të tillave, apo se hadithet janë shpikje dhe trillime të njerëzve dhe se Kurani dhe vetë Islami, mund të ndiqet dhe kuptohet pa pasur nevojën e haditheve, vetëm se ka mohuar pikërisht Kuranin dhe ka akuzuar mbarë ymetin se ka tradhtuar dhe falsifikuar Islamin. Por mbi të gjitha e kupton ose jo kjo akuzë bie edhe mbi vetë Zotin, i Cili sipas tyre i bie që nuk e ka mbajtur premtimin e Tij për ta ruajtur këtë fe! Hasha!

Rijini larg dhe bojkotoni çdo delirant që mbartë dhe përhap ide dhe idiotësi të tilla, jo për hatrin tim as të asnjë hoxhe, por sepse duke mos njohur historinë, herët ose vonë do ta kuptoni se këto flluska sapuni, sado zhurmëmëdhenj të jenë në kohën kur dalin dhe sado të artikuluar dhe të sinqertë të duken, fundi i tyre i padiskutueshëm është dështimi.

Allahu e ka ruajtur Islamin dhe do ta ruaj atë sa të ketë jetë kjo botë, dhe asgjë e re nuk ka ngelur për t’u zbuluar nga Islami që na paskësh fshehur për breza me radhë! E vërteta e tij do të jetë prezent gjithmonë, përmes Kuranit dhe Haditheve, në çdo kohë. Kështu që të tentosh të zhbësh këto të vërteta, është thjesht çmenduri dhe psikopati, që vetëm një i prekur apo pretendues i ‘vahjit’ mund të guxojë ta bëjë.

Kështu që hoxhallarët që ju thonë këto fjalë, nuk ja kanë hiç merakun e autoritetit të tyre dhe as të Islamit, që e ruan vetë Allahu, por thjesht por shpien në vend amanetin e Zotit për t’iu paralajmëruar për diçka që herët ose vonë do të kuptohet se ishte një zhgënjim i radhës, si të tjerë të ngjashëm në histori.

“Kështu e sqaron Allahu shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës. Sepse zgjyra zhduket si shkuma, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, mbetet në tokë.” (er-Rad: 17)

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit