Kur fëmija merr gjëra pa leje
Kur një fëmijë fillon të marrë gjëra pa leje nga të tjerët, natyrisht prindërit fillojnë të shqetësohen. Ata shqetësohen për arsyet që i shtynë fëmijët e tyre të kryejnë këtë veprim dhe menjëherë shqetësimi kalon në nivelin ‘A është fëmija im hajdut?’.
Është normale për një fëmijë të vogël, që të marrë gjëra që i ngjallin interes. Kjo nuk duhet të konsiderohet si vjedhje, derisa fëmija të jetë në një moshë të caktuar, zakonisht 3-5 vjeç, kur fillon të kuptojë, që është e gabuar të marrësh gjëra që i përkasin dikujt tjetër. Në këto moment prindërit duhet t`i mësojnë fëmijët e tyre mbi të drejtat e pronës dhe për konsideratën e tjetrit. Prindërit janë gjithashtu model. Nëse prindi vjen në shtëpi me një stilolaps që e ka marrë nga zyra apo duke u mburrur për një gabim të bërë nga një shitës, i cili i ka dhënë më shumë kusur seç duhet, atëherë do të jetë e vështirë të mësosh fëmijën për të kundërtën.
Edhe pse ata mund të kenë mësuar se të vjedhësh është gabim, fëmijët më të mëdhenj apo adoleshentët vjedhin për arsye të ndryshme. Një fëmijë mund të vjedhë, në mënyrë që të bëhet i barabartë me një vëlla apo motër, i cili është më i favorizuar në familje. Gjithashtu, një fëmijë mund të vjedhë, duke e konsideruar vjedhjen si tregues trimërie para shokëve, për të qënë më i pranueshëm tek ata.
Prindërit duhet të shqetësohen, nëse fëmijët vjedhin për të tërhequr vëmendjen. Në këto raste, fëmija mund të jetë duke shprehur zemërimin e tij; objekti i vjedhur mund të jetë duke u përdorur si një zëvendësues i dashurisë dhe afrimitetit që u mungon atyre. Prindërit duhet të përpiqen ta bëjnë fëmijën të ndihet si një anëtar i rëndësishëm i familjes.
Nëse prindërit marrin masat e duhura dhe reagojnë në mënyrën e duhur në momentin që fëmija e kryen veprimin, atëherë me kalimin e kohës fëmija do të heqë dorë nga ky veprim.
Reagimet që sugjerohet të bëjnë prindërit, kur e kuptojnë që fëmija i tyre ka marrë diçka pa leje:
· Foli fëmijës dhe thuaji, që është e gabuar të marrësh gjëra pa leje apo të vjedhësh.
· Ndihmoje fëmijën ta paguajë ose t`ia kthejë objektin e marrë personit të cilit i përket sendi.
· Sigurohu që fëmija të mos marrë asnjë përfitim nga objekti.
· Shmangi ligjërimet, duke parashikuar sjellje të këqija në të ardhmen, ose duke thënë që tashmë e konsideroni fëmijën si një hajdut apo një fëmijë i keq.
· Bëji të ditur se kjo sjellje bie ndesh me parimet e familjes dhe të komunitetit.
Pasi fëmija të ketë paguar apo ta ketë kthyer mallin e marrë, prindërit nuk duhet ta risjellin më në fokus këtë ngjarje, pasi kjo rrezikon që fëmija ta përsërisë sjelljen.
Nëse veprimi (marrja e gjërave pa leje) është i vazhdueshëm apo shoqërohet me probleme të tjera të sjelljes, atëherë kjo mund të jetë tregues i problemeve të tjera në zhvillimin emocional të fëmijës ose tregues i problemeve në familje. Fëmijët që përsërisin vjedhjen, mund të kenë vështirësi krijimin e besueshmërisë tek të tjerët apo në formimin e marrëdhënieve të ngushta me të tjerët. Në vend që të ndihen fajtorë, ata mund të fajësojnë të tjerët, duke u thënë: “Unë do ta marr këtë gjë, derisa të më japësh atë që dua”.
Do të ishte mirë, që këta fëmijë të drejtoheshin tek një specialist, i cili do të bëjë vlerësimin e duhur për arsyet që e nxisin fëmijën të vjedhë dhe do të bëjë trajtimin e duhur për rastet e tilla. Aspekte të rëndësishme të trajtimit do të jenë; të ndihmuarit të fëmijës që të krijojë besim në marrëdhënie me të tjerët dhe nxitja e prindërve që të mbështesin fëmijën e tyre.
Përgatiti: Suada Hajredinaj
…