1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kur dhe si mund të mbahen zgjedhjet e reja në katër komunat veriore të Kosovës?

Më të lexuarat

Pas dakordimit për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës është hapur edhe rruga për mbajtjen e  zgjedhjeve të të reja në katër komunat veriore, e cila mund të bëhet konform marrëveshjes në Bratislavë. Edhe pse kryeministri i vendit Albin Kurti, pati deklaruar se zgjedhjet mund të mbahen pas stinës verës, Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se koha e mbajtjes së procesit zgjedhor në katër komunat veriore është e ndërlidhur me mënyrën se si do të arrijnë deri te shpallja e zgjedhjeve. 

Cakolli në një prononcim për Telegrafin tha se në rast se katër kryetarët aktual të komunave veriore si rezultat i marrëveshjeve politike do të vendosin që të japin dorëheqje, atëherë është e pritshme që zgjedhjet të mbahen më së largu nga fundi i muajit gusht apo fillimi i muajit shtator.

“Kjo periudhë korrespondon me afatin 30 deri në 45 ditë që përcaktohet me legjislacion që presidentja ta shpallë datën e zgjedhjeve. Ndërsa, nëse ndiqet opsioni tjetër për largimin e kryetarëve përmes nënshkrimit të qytetarëve atëherë kjo do të marrë dukshëm më shumë kohë, madje do të marrë dyfishin e periudhës që do të ezaurohej në rast nëse do të kishim ndonjë të dorëhequr. Me opsionin e dytë është një lloj garantuesi se do të marrë pjesë komuniteti serbë”, ka thënë ai.

Sipas tij fillimisht duhet që 20 përqind e qytetarëve të nënshkruajnë peticionin. “Këto do t’i dërgoheshin institucioneve gjegjëse. Në radhë të parë kryetarit të Kuvendit komunal dhe pastaj KQZ-së për verifikim se a janë të njëjtit nëpër listat e votuesve përkatëse”.

Cakolli tha se : “në rast se konfirmohet suksesi i këtij mini-referendumi atëherë presidentja e vendit duhet që sërish të shpallë datën e re të zgjedhjeve që mbahet brenda 30 deri 45 ditë, që minimalisht do t’i merrte tre muaj kohë në tërësi. E, nëse ndiqen afate më optimale mund të marrë deri në gjashtë muaj kohë në tërësi nga konfirmimi në aspektin ligjorë, mbajtja e gjithë procesit, etj.

Nëse ndiqen të gjitha këto afate mund të presim zgjedhje të reja nga fillimi i dimrit, e nëse jo fundi i muajit tetor mund të na gjejë me zgjedhje të shpallura në katër komunat veriore”, ka thënë Cakolli.

Po ashtu Cakolli tha se përparësia e mbajtjes së zgjedhjeve në veri është rikthimi i stabilitetit në pjesën veriore të vendit.

“Ku do të kishim institucione me më shumë legjitimitet, e aspekti negativ është rreziku që kjo mund të shndërrohet në një praktikë. Pra largimi i kryetarëve të shndërrohet në një fenomen të zakonshëm në nivelin lokal të qeverisjes. Besoj që më e mirë është që këto zgjedhje mos të ishin deri tek kjo pikë…”, u shpreh Cakolli.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, për Telegrafin tha se zgjedhjet e reja duhet ta bazohen në interesat shtetërore dhe qytetare.

“Nëse krijohet klimë e mbajtjes së zgjedhjeve, janë këto baza ligjore, mandej premisat nëse do shkojmë në zgjedhje, a do ta kemi një përmirësim të situatës, duhet me bo një analizë. Sa i përket zgjedhjeve të reja, duhet ta shikojmë interesin shtetërorë e qytetarë…”, ka thënë Zeqiri.

Ai gjithashtu tregoi se punët në komunën e Zubin Potokut po shkojnë mirë dhe se qytetarët janë duke i kryer shërbimet e tyre.

“Kemi arrit që t’i finalizojmë disa gjëra, edhe disa pagesa, pasi na janë zhbllokuar disa mjete. Po planifikojmë me prioritete.. e shërbimet po jepen nga komuna për të gjithë qytetarët..”, tha Zeqiri.

Ndërsa nga zyra për informim të Komunës së Zveçanit thanë se punët në këtë komunë janë duke ecur mirë.

“Sa i përket zgjedhjeve ende nuk ka asgjë zyrtarë. Ne po vazhdojmë me punët tona. Kryetari po punon me kabinet, drejtoritë po ashtu. Qytetarët po vijnë e po kryejnë shërbime të veta”, kanë thënë nga zyra  e informimit të Komunës së Zveçanit.

Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it. Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra gazetarë, policë të Kosovës dhe ushtarë të KFOR-it.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që të ulen tensionet në veri. Kosovës po i kërkohet që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore, ndërkaq Serbisë që të bindë serbët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit