5.5 C
Pristina
Monday, January 6, 2025

Kur çështjet doktrinare kthehen në çështje kulturore ato shëndrrohen në çështje identitare dhe ndryshimi i tyre bëhet shumë sfidues – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Çështjet doktrinare, kur kthehen edhe në çështje kulturore, reflektojnë pashmangshëm në identitetin e një populli dhe të individëve të tij. Si të tilla, ato shndërrohen në çështje identitare të rëndësishme. Këto çështje përvetësohen si traditë dhe, për këtë arsye, janë të vështira për t’u ndryshuar. Për këtë, qasja ndaj tyre duhet të jetë jo vetëm doktrinare, por edhe kulturore.

Shumica e njerëzve i përthithin lehtë elementet kulturore, shpesh pa filtra doktrinarë, për shkak të natyrës së veçantë të kulturës, si një ‘fuqi e butë’ që depërton pa u ndjerë dhe në mënyrë masive. Kontakti i vazhdueshëm me kulturën dhe përfshirja e saj në jetën e përditshme, e bëjnë atë pothuajse të pashmangshme. Si rezultat, elementet kulturore përligjen praktikisht, edhe kur doktrinat apo konceptet nga të cilat burojnë nuk njihen, refuzohen apo injorohen.

Një doktrinë për t’u zëvendësuar, duhet të përballet me një doktrinë tjetër më superiore. Po ashtu, edhe elementet kulturore që ajo mbart, duhet të zëvendësohen me elemente të tjera kulturore më të mira dhe më të vlefshme. Sfida qëndron në faktin se kur një kulturë ekzistuese, që kërkohet të ndryshohet, është më joshëse dhe më e lehtë për t’u përvetësuar -për shkak të lidhjes së saj me instinktet dhe epshet- ndryshimi bëhet tepër i vështirë.

Një shembull i dukshëm i kësaj është kultura e konsumerizmit, e cila buron nga doktrina materialiste dhe shfrytëzon dobësinë njerëzore për kënaqësi dhe joshje. Ajo përhapet duke degraduar moralin e njerëzve dhe duke krijuar një sfidë të madhe për përmirësimin e gjendjes shoqërore. Në këtë kontekst, edukimi individual shpesh dështon të ketë ndikim masiv, pasi ndërsa disa individë ndërtojnë, të tjerët shkatërrojnë – dhe të shkatërrosh është gjithmonë më e lehtë sesa të ndërtosh.

Historia ka treguar se ndryshimet e thella në nivel doktrinar dhe kulturor, shpesh kërkojnë përmbysje të mëdha në të gjitha nivelet, ose ndryshe “revolucione”, për të ndryshuar gjendjen e një populli. Këto përmbysje mund të jenë të dhimbshme, por ato janë shpesh të nevojshme për një transformim të qëndrueshëm dhe pozitiv.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit