Kuptimi i ajetit: “atë ditë njerëzit dhe xhinët nuk do të pyetën për mëkatet e tyre”
Pyetje: Cili është kuptimi i ajetit ku përmendet se njeriu nuk do të pyetet për mëkatin e bërë ditën e Kiametit?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut…
Është prej ajeteve madhështore e të qarta e renditur në suren Rahman, në tregimin për vuajtjet e mëdha të Ditës së Kiametit, dhe sqarim se prej vuajtjeve të kësaj dite të madhe është se njeriu dhe xhinët nuk do pyeten për mëkatet e tyre.
Dijetarët e kanë shpjeguar këtë ajet me disa shpjegime:
Një: Se njerëzit dhe xhinët nuk do të pyeten ditën e Kiametit pyetje që kërkon përgjigje apo informacion për mëkatet e tyre. Allahu aze ve xhel është më i dijshëm për ato, mirëpo Ai i pyet ata pyetje të pohimit, të qortimit apo vërejtjes, që është shtim i frikës dhe vuajtjes që do të ndodhë ditën e Kiametit.
Shejh ibn Uthejmini Allahu e mëshiroftë ka thënë: “atë Ditë njerëzit dhe xhinët nuk do të pyetën për mëkatet e tyre”[1]pse? Ngase çdo gjë është e njohur, ndërsa për qëllim është se nuk do të pyeten për të kërkuar përgjigje apo informata, ngase çdo gjë është në dijeni, ndërsa pyetje për qortim i pyet, sikur fjala e Allahut: “Ditën kur do t’i thirr (Allahu) ata dhe u thotë: “Ç’ju keni përgjigjur pejgamberëve” Atë ditë, atyre lajmet do t’u jenë memece (të shurdhëta); e ata nuk do të mund të pyesin njëri-tjetrin (asgjë)”.[2] Allahu aze ve xhel thotë: “Përveç atyre të djathtëve, Që janë në xhennete e i bëjnë pyetje njëri-tjetrit, Përkitazi me kriminelët (e u thonë): Çka u ka sjellë juve në Sekar (Skëterrë), Ata do të përgjigjen: “Nuk kemi qenë nga ata që kanë bërë namaz”.[3] Dhe Allahu aze ve xhel ju thotë banorëve të zjarrit kur ata do të hidhen në të: “ (e rojtarët do t’u thonë atyre): “Vallë, a nuk ju kanë sjellë pejgamberët tuaj argumente të qarta”” Ata përgjigjen: “Po, gjithsesi””.[4] Dhe ajete të ngjashme të shumta.” Nga libri “Tefsir Kuran” prej sures Huxhurat deri në suren Hadid, faqe 317.
Dy: Prej ndodhive të tmerruara të asaj ditë është se Allahu aze ve xhel do t’ua vulos zemrat jobesimtarëve dhe hipokritëve, e do të flasin duart e këmbët e tyre për atë që kanë vepruar, ata nuk do të pyeten në atë ditë, por do të pyeten trupat që të dëshmojnë për mëkatet e bëra.
Tre: Jobesimtarët nga tmerri që do ta takojnë ditën e Kiametit, do të njihen nga nxirja e fytyrave dhe sytë e mavijosur, e nuk ka nevojë të pyeten për mëkatet e tyre ngase kanë filluar shenjat e përbuzjes tek ata, e kjo gjithashtu është një vuajtje e madhe dhe ndodhi e rëndë në ditën e Kiametit, e kjo nuk e parandalon mundësinë e pyetjeve konkrete në ndonjë gjendje tjetër, se Kiameti është ditë shumë e gjatë, dhe etapa dhe gjendje të ndryshme.
Hafidh ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Fjala e Allahut (atë Ditë njerëzit dhe xhinët nuk do të pyetën për mëkatet e tyre) është e njëjtë si ajeti tjetër (Kjo është një ditë që ata nuk flasin. Atyre as nuk u lejohet që të arsyetohen)[5] kjo është një gjendje, e më pas gjendje ku do të pyeten krijesat për gjitha veprat e tyre, Allahu thotë: (Pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t’i marrim në përgjegjësi, për atë se ç’vepruan)[6]. Katadeja Allahu e mëshiroftë në komentimin e ajetit (atë Ditë njerëzit dhe xhinët nuk do të pyetën për mëkatet e tyre) ka thënë: “Më herët kanë qenë pyetje, pastaj Allahu ua mbyll gojët njerëzve, pastaj fillojnë të flasin duart, këmbët për atë që kanë vepruar”.
Ali ibn Ebu Talha transmeton nga Ibn Abasi, radijallahu anhu,, i cili ka thënë: “Nuk i pyet: A keni vepruar kështu e kështu? Ngase ai është më i dijshëm për atë se sa ata, por u thotë: Përse keni vepruar kështu e kështu? Ky është kuptimi i dytë.
Muxhahidi në komentin e këtij ajeti ka thënë: “Melaqet nuk pyeten për kriminelët, ata njihen me tiparet e tyre”. Ky është kuptimi i tretë.
Ndoshta kjo ndodh pasi të urdhërohen që të hidhen në zjarr, në atë kohë nuk pyeten për mëkatet e tyre, por drejtohen drejt zjarrit dhe hidhen në të, ashtu siç thotë Allahu: “Kriminelët njihen me tiparet e tyre”[7] Pra, me shenja që shfaqen tek ata.
Haseni dhe Katadeja, Allahu i mëshiroftë, kanë thënë: “Njihen nga nxirja e fytyrave dhe mavijosja e syve.
Them: ashtu siç njihen besimtarët me ndriçim nga gjurmët e abdesit”. Përfundoi nga libri “Tefsir Kuran Adhim” 7/499.
Dijetari Emin Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Fjala e Allahut (Ne patjetër do t’i marrim në përgjegjësi ata, të cilëve u është dërguar (pejgamber), e do t’i marrim në pyetje edhe të dërguarit)[8] Ky ajet tregon që Allahu do t’i pyet gjithë njerëzit ditën e Kiametit, e njëjtë me këtë është edhe ajeti (Pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t’i marrim në përgjegjësi. Për atë se ç’vepruan)[9] dhe fjala e Allahut (Ndalni ata, sepse do të merren në pyetje)[10] dhe ajeti (Dhe ditën kur (All-llahu) i thërret ata e u thotë: “Cfarë përgjigje u keni dhënë të dërguarve?”)[11] Dhe ka ajete të cilat tregojnë të kundërtën e kësaj, si fjala e Allahut (atë Ditë njerëzit dhe xhinët nuk do të pyetën për mëkatet e tyre) dhe ajeti (po mëkatarët kriminelë as që do të pyeten)[12]
Përgjigjja është në disa mënyra, prej tyre:
E para: Është edhe më e sakta, për shkak se vetë Kurani aludon në të, ajo është se të pyeturit ndahet në dy kategori: pyetje e qortimit që bëhet me pjesëzën “përse (lime- لم) dhe pyetje e të informuarit që ka pjesëzën “a” (hel- هل) Të pohuarit është pyetja e qortimit, ndërsa mohim është pyetja e informimit.
E dyta: Është se ditën e Kiametit do të ketë etapa të ndryshme, në disa do të pyeten e në disa tjera nuk pyeten”. Përfundoi thënia e tij.
Përktheu: Shpend Zeneli
Islamqa.com / albislam.com
[1] Sureja Rahman 39.
[2] Sureja Kasas 65-66.
[3] Sureja Mudethir 39-43.
[4] Sureja Gafir 50.
[5] Sureja Murselat 35-36.
[6] Sureja Hixhr 92-93.
[7] Sureja Rahman 41.
[8] Sureja Araf 6.
[9] Sureja 92-93.
[10] Sureja Saat 24.
[11] Sureja Kasas 65.
[12] Sureja Kasas 78.