0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kundërthënia mes adhurimit dhe sjelljes – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Ai që shikon jetën e muslimanëve në sferën e adhurimeve dhe sjelljes do të gjejë një kundërthënie dhe defekt të madh mes asaj që duhet të plotëson njëra tjetrën dhe të jenë në harmoni.

Në sferën e adhurimit: xhamiat janë përplot me namazli, agjëruesit gjatë Ramazanit janë më shumë se namazlitë, dhënësit e zekatit janë në shtim e sipër, numri i haxhive përvjet është më i madh.

Kurse në sferën e sjelljes dhe moralit: është përhapur gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, mashtrimi, manipulimet, moskujdesi për farefisin, moskujdesi ndaj prindërve, vrazhdësia, ashpërsia, ofendimi, nënçmimi i tjerëve, përdorimi i kamatës, lakuriqësia e grave, etj.

Musliman të nderuar!

Nëse analizojmë shoqërinë do të vërejmë shumë raste që e vërtettojnë këtë kundërthënie.

– Një grua e përshkruan burrin e saj se kujdeset për namazin, për agjërimin, për zekatin, për haxhin, sillet mirë me njerëzit, mirëpo e han kamatën, bën mëkate tjera, e kur kthehet në shtëpi i nxjer tre gjëra: këpucët, rrobat dhe moralin e tij, andaj është i vrazhdë dhe ofendues ndaj gruas dhe fëmijëve të tij, nuk ulet me ta, por tërë kohën e kalon në shikim të televizorit dhe programeve të ndryshme.

– Një fqinjë e përshkruan fqiun e tij duke thënë; fqiu im kujdeset për namazin, agjërimin dhe adhurimet tjera, mirëpo aspak nuk mërzitet pse gënjen, përgojon, bartë fjalë, shan, ofendon, mallkon gruan, fëmijët, vajzat, i edukon në urrejtje dhe dashuri ndaj pasurisë.

– Shoku flet për shokun e tij duke thënë: kujdeset për disa rregulla fetare, madje edhe për disa sunnete, mirëpo vajzat i ka të çveshura dhe lakuriq.

– Studenti i kryen obligimet që i ka ndaj All-llahut, mirëpo aspak nuk i zbaton marëveshjet që i ka me universitetin ku studion, kurse All-llahu, subhanehu ve teala, i mëson muslimanët që ti zbatojnë marëveshjet, duke thënë: “O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet). …”. (El-Maide: 1).

Andaj studenti duhet të kujdeset për rregullat dhe etikën e universitetit, duke u kujdesur për raportet e tija me profesorët, kolegët, administratorët, ndërtesën e universitetit, klasat dhe orenditë që janë atje. Nënkupton edhe kujdesin për orarin e mësimit, prania në provime dhe marja e notave që i mundësojnë studentit të vazhdon mësimin universitar.

Elhamdulilah që kohës së fundit jemi duke parë studentë që kujdesen për obligimet që kanë ndaj All-llahut, gjë që nuk ka qenë realitet në kohën e kaluar, mirëpo disa prej tyre nuk kujdesen për këto obligime tjera që janë pjesë e fesë.

– Pjesë e moralit është edhe përgjegjësia dhe zbatimi i premtimeve. Zbatimi i marëveshjeve dhe realizimi i premtimeve është element për të cilin njeriu do të jep llogari në ditën e Kijametit.

“Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj All-llahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se All-llahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, All-llahu e di se çka punoni”. (En-Nahl: 91).

Gjithashtu All-llahu, tebareke ve teala, thotë: “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!”. (Es-Saff: 2- 3).

Vëllezër besimtarë!

Këta njerëz kanë haruar se ndërlidhja mes adhurimit dhe sjelljes ka ndikim në përmirësimin e individit, i cili paraqet tullën e parë në përmirësimin e shoqërisë dhe ndërtimin e tij, sepse kjo ndërlidhje ndikon në ndryshimin e shpirtërave para se ti ndryshojnë pushtetet dhe institucionet, All-llahu, subhanehu ve teala, ka thënë: “…All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre. …”. (Er-Rad: 11).

Kjo ndërlidhje ka të bëjë me luftimin e vetvetes, i cili ka përparësi para luftimit të armikut, sepse nëse muslimani fillimisht nuk e lufton vetën në zbatimin e asaj me të cilën është urdhëruar dhe për tu larguar nga ajo që është ndaluar, nuk ka mundësi ta luftojë armikun jasht. Andaj edhe Pejgamberët kanë filluar me përmirësimin e individit, në krye të cilëve qëndron Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Për këto arsye dhe shumë tjera del në shesh rëndësia e studimit të fenomenit të kundërthënies mes adhurimit dhe sjelljes.

Pse duhet folur rreth kësaj teme?

Për shumë shkaqe, prej tyre janë edhe këto:

1- Përhapja e kësaj dukurie në mesin e shumë muslimanëve.

2- Mos njohja e shumë muslimanëve ndikim që ka kjo kundërthënie në vet zbatimin e adhurimeve.

3- Bindja që gjindet te shumë musliman se nuk ka lidhje mes adhurimit dhe sjelljes.

4- Sqarimi i shkaqeve të kësaj kundërthënie.

5- Ofrimi i propozimeve për shërimin e kësaj dukurie.

Cila është lidhja me adhurmit dhe sjelljes?

Raporti i vërtetë mes adhurimit dhe sjelljes është raport përputhjeje dhe harmonie, sipas kësaj që vijon:

– Adhurmi i plotë shkakton, zakonisht, sjellje pozitive.

– Adhurimet që nuk kryhen si duhet, zakonisht, rezultojnë sjellje negative ose së paku sjellje të mangëta.

– Sjellja pozitive tregon se adhurimi është kryer si duhet.

– Sjellja negative tregon se adhurimi nuk është kryer si duhet.

Adhurimi i plotë është adhurimi që kryhet: sinqerisht për All-llahun dhe sipas asaj që na ka mësuar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe të jetë e mbrojtur nga elementet që pengojnë pranimin e këtij adhurimi siç është largimi nga haramet dhe ndalesat dhe nga gjërat që e sëmurin zemrën.

Sjellja pozitive është: morali islam, i cili ndërlidhet me veprat e zemrës, gjuhës dhe gjymtyrëve.

Këtu hyn besimi në All-llahun, përmendja e All-llahut, zemër dlirësia, leximi i Kur’anit, thënia e fjalëve të vërteta, këshilla dhënë muslimanëve, mos dëshmimi i rrejshëm, përdorimi i gjymtyrëve për zbatimin e asaj që ka urdhëruar All-llahu dhe për tu larguar nga ajo që ka ndaluar Ai, subhanehu ve teala.

Musliman të nderuar!

Cilat janë argumentet për këtë gjë?

Ka shumë argumente nga Kur’ani dhe Sunneti i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që flasin në këtë drejtim, prej tyre do t’i përmendim vetëm disa:

Lidhja mes namazit, zekatit dhe sjelljes.

“…dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit”. (El-Bekare: 177).

“(Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. All-llahut i takon përfundimi i çështjeve”. (El-Haxh: 41).

“…fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç’punoni ju”. (El-Ankebut: 45).

Xhabiri, radijall-llahu anhu, thotë: “I kam dhënë besën Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, të fali namazin, të jap zekatin dhe të këshilloj çdo musliman”. (Tirmidhiu, sahih).

Ebu Ejub El-Ensariu, radijall-llahu anhu, tregon se një njeri i tha Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: O i Dërguar i All-llahut! Më trego ndonjë vepër që më fut në xhennet? Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: “Adhuroje All-llahun dhe Atij mos i bë ortak, fale namazin, jepe zekatin dhe kujdesu për lidhjet farefisnore”. (Buhariu).

Lidhja mes agjërimit dhe gënjeshtrës

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kush nuk le gënjeshtrën dhe veprimin sipas saj, All-llahu nuk ka nevojë që ta lë ngrënien dhe pijen”. (Tirmidhiu, sahih).

Lidhja mes haxhit dhe largimit nga fjalët e ndyta dhe mëkatet

All-llahu, xhel-le shanuhu, ka thënë: “Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. …”. (El-Bekare: 197).

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Ai që kryen haxhin dhe nuk fol fjalë të ndyta dhe nuk bën mëkate, i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. (Tirmidhiu, sahih).

Prej argumenteve shumë të qarta në këtë drejtim, që tregon se sjellja e keqe i harxhon edhe shpërblimet, është hadithi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “A e dini se kush është i falimentuari?”. Thanë: tek ne është ai që ska para e as mall. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: I falimentuar është ai që ditën e Kijametit vjen me namaz, agjërim dhe zekat, mirëpo e ka sharë këtë, ka shpifur për ate, e ka goditur ate. Andaj i jep atij nga të mirat e veta edhe tjetrit nga të mirat e tija, e kur ti harxhohen të mirat para se të lahet me ata, i mer mëkatet e tyre, i hedhen atij dhe me to hedhet në zjar”. (Muslimi).

Musliman të pranishëm!

Cilat janë shkaqet kryesore për këtë gjendje:

1- Kuptimi jo i shëndosh i Islamit.

2- Dashuria ndaj dynjasë dhe dhnëia pas epsheve.

3- Mungesa e përuljes dhe frikrespektit në adhurime.

4- Besimi i dobët, sidomos në kontrollin e All-llahut, vdekjes dhe rizkut.

5- Mosnjohja e rezikut të kësaj kundërthënie.

6- Mendimet dhe filozofitë e huaja, siç është ndarja e fesë nga shteti, religjionit nga realiteti, dhe besimit nga morali.

Si shërohet kjo gjë?

Do ta sqarojmë shumë shkurtë, vetëm sa për ilustrim dhe orientim, kurse për detaje duhet ndonjë studim tjetër.

1- Studimi i jetëpërshkrimit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe shokëve të tij.

2- Veprimi për të krijuar shembëlltyra të vërteta në shoqërinë muslimane, të cilët do t’i zbatojnë detajisht mësimet e Islamit.

3- Shfaqja e pozitës së dijes fetare dhe dijetarëve.

4- Marrja e Islamit dhe mësimeve të tija nga dijetarë praktikant dhe të besueshëm.

Mendojmë se ky ngacmim i kësaj teme do të na shtyjë të mendojmë më shumë rreth këtij problemi dhe të mundohemi që ta çrrënjosim praktikisht nga jeta e rinisë sonë fetare.

Do ta përfundojmë këtë material me fjalën e Shuajbit, alejhisselam, të cilën e tregon Kur’ani: “O populli im, më thuani pra nëse unë kam argumente të sigurta nga Zoti im dhe nga ana e Tij, Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzoj në rrugë të drejtë?) Unë nuk dua t’ju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!” (Hud: 88).

Hutbeja e dytë

All-llahun e falënderojmë dhe lavdërojmë me falënderime dhe lavdërime të shumta, ashtu sikur dëshiron dhe dakorodhet Zoti ynë.

Paqa dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.

All-llahu qoftë i kënaqur nga katër halifët që erdhën pas tij, Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe Aliu, radijall-llahu anhum, dhe me të gjith sahabet tjerë.

Besimtarë!

Dërgoni salavate mbi Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ashtu sikurse ju ka urdhëruar All-llahu, subhanehu ve teala duke thënë: “Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam”. (El-Ahzab: 56).

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kush dërgon një herë salavate mbi Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, All-llahu dërgon mbi te dhjetë herë salavate”. (sahih).

Përgaditi: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit