Banorët shqiptarë të “Kroit të Vitakut” në veri të Mitrovicës kanë shprehur shqetësimet e tyre me rastin e arrestimit të katër banorëve shqiptarë, si dhe bastisjen selektive të disa shtëpive në këtë lagje nga ana e EULEX-it, që ka ndodhur javën e shkuar.
Shqetësimet e tyre banorët e kësaj lagjeje i kanë shprehur në takim me autoritetet komunale të Mitrovicës, por edhe të EULEX-it.
Banorët kanë kërkuar sqarime në lidhje me operacionin e misionit ndërkombëtar në lagjen “Kroi i Vitakut”, me ç’rast ishin arrestuar katër shqiptarë si të dyshuar për vrasjen e një serbi vitin e kaluar në këtë lagje.
Nazmi Ismajli, përfaqësues i banorëve shqiptarë të “Kroit të Vitakut”, bëri të ditur se gjatë takimit me përfaqësuesit e EULEX-it, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth asaj që ka ndodhur të enjten në mëngjes në lagje.
“Konsiderojmë se aksioni i EULEX-it është i njëanshëm, sepse vetëm shtëpitë e shqiptarëve po bastisen dhe vetëm shqiptarët po arrestohen”, ka thënë Ismajli, transmeton Kosovapress.
Në anën tjetër, Behxhet Bala, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, vlerësoi sjelljen e përgjegjshme të këtyre banorëve, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojnë. Ai kërkoi nga banorët pjekuri të lartë duke mos rënë në provokimet e strukturave paralele serbe, që vazhdimisht kanë tentuar të destabilizojnë situatën. /Telegrafi/kohaislame