1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kundërshtimi rus kërcënon ndihmat humanitare për sirianët

Më të lexuarat

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, tha të premten (25 qershor) se duhet të mbetet i hapur vendkalimi i vetëm kufitar që shërben për të dërguar ndihma humanitare në rajonin e Idlibit në Siri.

Ky vendkalim është pika e vetme përmes së cilës mund të dërgohet ndihma për rreth tre milionë njerëz që jetojnë në rajon.

Nëse Kombet e Bashkuara nuk votojnë deri më 10 korrik që ky vendkalim të mbetet i hapur atëherë ai duhet të mbyllet.

Rusia po e kundërshton zgjatjen e afatit për këtë vendkalim dhe mund ta ndalë përmes vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Moska është një aleate e presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe kundërshtimin e saj po e arsyeton me faktin se kërcënon sovranitetin e Sirisë.

“Në të gjithë vendin civilët kanë nevojë urgjente për ndihmë. Është thelbësore që të ruhet dhe zgjerohet hyrja, duke përfshirë operacionet ndërkufitare”, i tha Pedersen Këshillit të Sigurimit, raporton AFP.

Autorizimi ka qenë në fuqi që nga viti 2014. Por, vitin e kaluar Moska, duke përdorur veton në mënyrë të përsëritur, detyroi një ulje drastike të numrit të pikave të kalimit, nga katër sa ishin në vetëm një që gjendet në kufirin me Turqinë.

Diplomatët thonë se Irlanda dhe Norvegjia, anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit, do të paraqesin një projekt-rezolutë për të mbajtur të hapur vendkalimin Bab al-Haua, edhe për një vit dhe për të rihapur një pikë të dytë kalimi, e cila do të mundësojë që nga Iraku të kalojnë furnizimet në verilindje të Sirisë.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe mund të kërkojnë gjithashtu rihapjen e pikës së kalimit Bab al-Salam në veriperëndim, e cila ishte midis atyre që u mbyllën vitin e kaluar, kanë thënë diplomatët.

Presidenti amerikan, Joe Biden e ka diskutuar këtë çështje me presidentin rus Vladimir Putin gjatë një samiti të mbajtur më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

Përmes një deklarate të lëshuar të premten, Diana Semaan nga organizata ndërkombëtare “Amnesty International” theksoi se ndalimi i ndihmës ndërkufitare do të kishte “pasoja katastrofike humanitare”./REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit