1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kundërpërgjigje Putinit: Kosova s’është Donbas!

Më të lexuarat

Analiza: pse s’vlen krahasimi i kreut të Kremlinit

Kosova i plotëson kriteret për të qenë shtet i pavarur, ndryshe nga rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, thotë Matthias Hartwig, ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare, me bazë në Gjermani.

Sipas tij, një shtet mund të ekzistojë nëse i përmbushë tri elemente: territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme dhe kapacitetin udhëheqës.

“Të tria këto elemente, Kosova i plotëson”, thotë ai. “Në rastin e pjesës lindore të Ukrainës, Rusia dëshiron të formojë një shtet që nuk ekziston, pasi ai është pjesë e një shteti tjetër dhe kjo përbën ndërhyrje të madhe në sovranitetin e një shteti”, thotë Hartwig për Radion Evropa e Lirë.

Tri ditë para se të niste pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njohur dy rajonet separatiste të këtij vendi, Donjeckun dhe Luhanskun, si shtete të pavarura.

Këtë veprim ai ka bërë përpjekje ta justifikojë këtë javë, duke tërhequr paralele me Kosovën.

Në një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Moskë, Putin ka thënë se republikat e Donbasit – siç njihen bashkërisht Donjecku dhe Luhansku – kanë vepruar njësoj si Kosova me shpalljen e pavarësisë.

“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, ka thënë Putini më 26 prill, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca ruse.

 Donbasi vs. Kosova

Në vitin 2014, pas një vale protestash në Ukrainë, të cilat kanë çuar në rrëzimin e presidentit pro-rus, Viktor Yanukovich, Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nisur mbështetjen për një lëvizje separatiste në lindje të këtij vendi.

Pasi separatistët pro-rusë kanë marrë kontrollin e Donbasit, ata kanë shpallur pavarësinë e tij në maj të vitit 2014. Moska vazhdimisht ka pretenduar se popullata rusishtfolëse atje, është keqtrajtuar nga autoritetet ukrainase, ndonëse pretendimet e tilla nuk janë vërtetuar. Përveç Rusisë, asnjë vend tjetër nuk e ka njohur pavarësinë e Donbasit.

Kosova, ndërkaq, ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 – nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe i ka dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Më shumë se 13 mijë njerëz janë vrarë në luftë dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar.

Shtetësinë e Kosovës e kanë njohur deri më tash më shumë se 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, Richard Caplan, thotë se ndërhyrja e NATO-s, për t’i dhënë fund dhunës së ushtrisë serbe në Kosovë, ka pasur përkrahje të madhe, ndryshe nga rasti i Donbasit.

“Më 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara – përfshirë Rusinë – ka thënë se ekziston një krizë e pashmangshme humanitare në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se Rusia ka pranuar përdorimin e forcës nga ana e NATO-s. Rusia qartazi e ka kundërshtuar këtë gjë, mirëpo këtu qëndron dallimi… sepse për Donbasin nuk thuhet se minoriteti rus atje është duke u rrezikuar apo ka qenë në rrezik nga Qeveria e Ukrainës”, thotë Caplan për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se shqiptarët e Kosovës “janë përballur për kohë të gjatë me persekutim nga regjimi i Beogradit. Në Donbas “nuk ka pasur shkelje të tilla, prandaj nuk ka bazë humanitare për pretendimet për shtetësi”, thotë ai.

Putini – edhe pse e përdor Kosovën si justifikim për njohjen e Donbasit – shtetësinë e vetë Kosovës nuk e njeh.

Rusia, si një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë në arenën ndërkombëtare, e pengon madje anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Kosova dhe Rusia, megjithatë, kanë marrëdhënie formale. Zyra Ndërlidhëse ruse në Prishtinë është hapur qysh në vitin 2005, edhe pse veprimtaria e saj në publik është e shfaqur fare pak.

“Kosova nuk është as Krime”

Biseda e Putinit me shefin e OKB-së nuk ka qenë hera e parë, që presidenti rus e ka përdorur Kosovën si krahasim për vendimet e tij.

Njëjtë ka vepruar edhe kur ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë, në mars të vitit 2014.

Atëbotë, Putin ka thënë se vetë banorët e Krimesë kanë dëshiruar t’i bashkohen Rusisë.

“Ata (në Krime) kanë vepruar në mënyrën e njëjtë sikurse njerëzit që jetojnë në Kosovë – ata kanë marrë vendim për pavarësinë dhe më pas kanë ardhur te ne me kërkesë për t’iu bashkuar Federatës Ruse”, ka thënë Putini.

Referendumi i mbajtur në Krime në vitin 2014 është konsideruar si i kurdisur dhe i paligjshëm nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas profesorit Caplan, popullsia e Krimesë nuk ka qenë në rrezik para se të aneksohej nga Rusia.

“Nuk kanë qenë të kërcënuar nga Ukraina”, thotë ai.

Hartwig është i së njëjtës linjë.

“Ekzistojnë dallime të mëdha sa i përket trajtimit të popullsisë. Kosovarët kanë qenë nën presion të madh nga Qeveria serbe. Në Krime nuk ka pasur situata të tilla”, thotë Hartwig, hulumtues i lartë në Institutin Max Planck në Gjermani.

A dëmtohet Kosova nga insistimi i Putinit?

Asnjëri prej profesorëve nuk beson se Putini mund ta dëmtojë imazhin e Kosovës me krahasimet që bën – qoftë të Donbasit me Kosovën apo të Krimesë me Kosovën.

“Nuk mendoj se do të ketë implikime për Kosovën, sepse kanë kaluar vite qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë. Shtetet tani i kanë qëndrimet e veta për Kosovën”, thotë Caplan.

E ardhmja e Donbasit?

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka hyrë në muajin e tretë. Pasi ka hasur në rezistencë të madhe nga ukrainasit, ushtria ruse është tërhequr nga kryeqyteti i Kievit dhe zonat përreth, për ta përqendruar ofensivën në Donbas.

Përleshje midis separatistëve pro-rusë dhe ushtrisë së Ukrainës në këtë rajon ka pasur vazhdimisht qysh në vitin 2014.  Që nga ajo kohë, mbi 14,000 njerëz janë vrarë atje, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur.

Ushtria ruse ka thënë se ka për qëllim “t’i çlirojë” rajonet lindore të Ukrainës.

Profesori Caplan thotë se Ukraina mund të përballet me konflikt të ngrirë në lindje.

“Hezitoj të parashikoj të ardhmen, mirëpo shqetësohem se do të ketë një konflikt të ngrirë, ashtu siç i kemi disa në rajon, në Abkhazi dhe në Oseti Jugore, në Transdniestër dhe copëza të tjera në Evropën Qendrore. Shqetësohem se mund të ketë vazhdim të konfliktit në këto rajone dhe mund të jetë e vështirë për Ukrainën ta rikthejë sovranitetin në këto rajone”, thotë Caplan.

Profesori Hartwig thotë se në rast të ndonjë kompromisi të mundshëm midis palëve, zgjidhja mund t’i ngjajë një skenari të atillë që rajoni lindor të ketë një status autonomie për 15 vjet dhe më pas të organizohet referendum.

“Në aspektin ligjor, (rajoni lindor) do të mbetet pjesë e Ukrainës dhe Ukraina është e thirrur për të mbrojtur integritetin e territorit të saj. Nuk ka dyshim këtu. Në aspektin politik, Rusia do të tentojë t’i pushtojë këto territore dhe të ndjekë rregullin e Krimesë, të organizojë referendum për t’iu bashkuar Rusisë”, thotë Hartwig.

Kievi dhe Moska kanë filluar bisedimet për paqe katër ditë pasi Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj jugor. Palët kanë pasur disa takime të drejtpërdrejta dhe disa me video-lidhje, por, deri më tash, pa asnjë sukses.

Nga lufta në Ukrainë besohet të jenë vrarë mijëra njerëz, ndërsa më shumë se 5 milionë janë konfirmuar si të zhvendosur jashtë kufijve të Ukrainës. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit