1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kultura islame shqiptare në vitet ‘20 – ‘30 të shekullit XX

Më të lexuarat

Pas fitores së Pavarësisë, Shqipëria hyri në hullitë e zhvillimeve të reja sociale, politike e kulturore. Me gjithë prapambetjen e madhe të vendit, shenjat e progresit dukeshin në çdo sferë. Përparim pati edhe në kulturën islame shqiptare.

Në këtë periudhë u hodhën themelet për një zhvillim të pavarur të kulturës islame si dhe të çdo veprimtarie tjetër brenda kuadrit të shtetit kombëtar. Në vitet ‘20, patriotët myslimanë shqiptarë e panë të domosdoshme të bëjnë ndryshime me rëndësi në kulturë dhe në organizim, si dhe të realizojnë binomin e shenjtë Fe dhe Atdhe.

Mendjet e kthjellëta të prijësve fetarë myslimanë shqiptarë filluan të mendojnë për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe dhe për masa të tjera për përhapjen e kulturës islame në gjuhën amtare.

Në tetor të vitit 1923 filloi edhe botimi i revistës ‘Zani i Naltë’, në fillim në Tiranë e pastaj në Shkodër. Kjo revistë u dha besimtarëve një dije të mirë për kohën, përveç postulateve dhe doktrinave islame ajo shërbeu edhe si një shkollë. Derisa edhe të huajt e vunë re se myslimanët shqiptarë ishin të etur për kulturë, të cilën e donin të ishte kombëtare. Ata ndoqën me interes jo vetëm reformimin në sferën e tyre shpirtërore, por edhe në sferat politikojuridike e sociale.

Revista ‘Zani i Naltë’ u bë boshti kryesor i përhapjes së dijeve dhe mendimeve islame. Diapazoni që trajtoi kjo revistë ishte relativisht i gjerë: çështje doktrinore, kulturore, politike, sociale, ekonomike, etj… Ajo shtroi që në fillim nevojën për një kulturë të re myslimane shqiptare, për të mos e lënë Shqipërinë të binte në grackën e organizimit të mbrapshtë të shoqërisë moderne, ku suprema lex ishte bërë në raste jo të pakta, asgjësimi i njeriut dhe e keqja ishte kthyer në institucion nacional. Me anë të fesë, kulturës dhe edukatës, duhej të kundërshtohej egoizmi pa fre, pangopësia plebejane individuale e sociale dhe me anë të një ramazani shpirtëror të pastrohej e të lehtësohej shpirti. Duhej të krijoheshin antikorpet e moralit fetar kundër sëmundjeve vdekjeprurëse të shekullit XX, egoizmit, pasioneve të nxehta dhe dukurive të ndryshme të dëmshme. Rrjeti i dendur i detyrimit publik dhe privat e kishte mbështjellë keqas njerëzimin. Nga ky detyrim skllavërues mund të shpëtohej jo thjesht me anë të aktivizimit, por duhej në radhë të parë përsosja morale. Ishte ajo që thoshte Charle Pagui se bota pa një revolucion moral nuk mund të shpëtonte. Drejt kësaj synonin edhe myslimanët shqiptarë, të cilët donin të çlironin njeriun nga peshat e rënda të jetës bashkëkohore, nga luftërat e çdo lloji, nga varfëria dhe skllavëria, të evitonin pasojat e dëmshme të një hipertrofizmi të zhvillimit materialo-teknik, si dhe të sistemit totalitarist në të ardhmen. As mendimi, as veprimi nuk mund të fluturonin larg pa moralin. Përparimi lëndor që linte në harresë faktorët shpirtërorë, ishte i destinuar të çonte në shkatërrim.

Doktrina islame shqiptare i kushtonte rëndësi të veçantë problemit të relacionit me shtetin dhe shoqërinë. Shoqëria konsiderohej si bashkim i individëve me detyra dhe interesa të përbashkëta. Çdo shoqëri ishte kontesti real i myslimanëve shqiptarë. Por, natyrisht, në të vepronte si kudo alkimia e kombit të qëllimit social me një farë egoizmi individual. I dyti duhej moderuar që

të realizohej i pari me anë të solidaritetit fetar, pa cenuar interesat private. Tek e fundit, të gjithë bënin jetën kombëtare, me gjuhë, doke e zakone të përbashkëta, prandaj çdo proces serioz duhej të kundërshtohej e të eliminohej për hir të rregullit e të qetësisë në shtet. Shteti shqiptar konsiderohej një arritje e rëndësishme për Kombin. Besimtarët islamë e kuptuan se procesi social ishte i domosdoshëm dhe nuk pajtohej njëlloj për të gjithë, si për pasanikët, ashtu edhe për të varfrit. Para ligjit ishin të gjithë të barabartë. Reformat e ndryshme që u kryen nga shteti në Shqipëri për ndryshimin e strukturës politiko-juridike dhe për krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e shoqërisë borgjeze u kuptuan drejt nga komuniteti mysliman dhe në përgjithësi u përkrahën. Një problem tjetër social dhe kulturor me rëndësi ishte qëndrimi ndaj gruas dhe familjes. Për këtë çështje u debatua mjaft në këto vite dhe u kërkua emancipimi i gruas.

Për kulturën islame kishte rëndësi jo vetëm kuadri nacional, por edhe ai ndërkombëtar, sinkronizimi i fesë islame me kohët moderne. “Ne jemi një vend evropian, – shkruhej në revistën ‘Zani i Naltë, – dhe si i tillë duhet të marrim nga qytetërimi perëndimor çka është e mirë, por jo çka është e keqe’.

Sinkronizimi me kohët moderne konsiderohej në natyrën e doktrinës islame, e cila kishte evoluar gjithnjë. Për këtë i referohej Kuranit ku thuhej se duhej hapur rruga e dijes, por duhej pasur kujdes nga anët negative të zhvillimit.

Të gjitha këto dhe shumë të tjera për të cilat folëm shkurtimisht, dëshmojnë për një ekzistencë njerëzore si fushë e mundësive dhe e faktorëve realë për të ecur përpara me ndihmën e së drejtës, të moralit, të punës, të solidaritetit, të lirisë, të mundësive të pastruara nga egoizmi, por jo të dhunës.

Këtu shihej një prirje kundër modernizmit katedral që donte të zhdukte njeriun konkret, kundër antropocentrizmit të hipertrofizuar që e bëri njeriun gjykatës të të gjithë individëve.

E vërteta duhej të drejtonte njerëzit, por jo t’u merrte mendjen dhe t’i hidhte në tokë. Shtëpia e njerëzve, e popullit (atdheut) nuk duhej të kthehej në çmendinë. U pa qartë se racionalizmi i pabazuar në realitet, racionalizmi utopik e shihte të hapur rrugën drejt totalitarizmit dhe komunizmit. Dhe kjo do t’i kushtonte shtrenjtë racës shqiptare në të ardhmen, e cila hoqi të zitë e ullirit. Historia e vërtetoi plotësisht këtë dhe ajo mbetet dëshmitarja më e pastër.

Prof. Viron Koka

Drita Islame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit