0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kultura dhe botëkuptimi – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Çdo shoqëri njerëzore, nisur nga një pikëpamje e caktuar mbi botën dhe jetën, është e aftë t’i japë jetë një kulture lokale, e cila më pas mund të zhvillohet në një qytetërim të një shtrirjeje më të gjerë. Botëkuptimet mbi të cilat ndërtohen kulturat, mund të jenë të vërteta ose të rreme, ose një përzierje mes tyre; ato mund të jenë monoteiste, politeiste, deiste, agnostike e ateiste, materialiste e idealiste, ose një mozaik i tyre.

Botëkuptimet e përçojnë thelbin e mesazhit të tyre në kulturën përkatëse në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes besimeve, feve, ideologjive, kulteve, artit, festave etj., ose të tërthortë, përmes artit, zakoneve, traditave, etj. Nisur nga kjo e vërtetë, mund të thuhet se çdo kulturë njerëzore e kumton mesazhin e botëvështrimit të saj përbërës, qoftë në mënyrë të qartë, të drejtpërdrejtë e të fortë, qoftë në mënyrë të paqartë, të nënkuptuar dhe të butë. Si e tillë, kultura shpeshherë është më e lehtë të mbushë hapësirat ndarëse mes pikëpamjeve të ndryshme të shoqërive njerëzore, madje edhe të kundërta për jetën dhe botën, kështu që sa më e përzier dhe e larmishme, nga pikëpamja botëkuptimore, të jetë një kulturë e caktuar, aq më pranuese dhe tolerante bëhet për njerëzit me botëkuptime të ndryshme, duke i imponuar madje vetë botëkuptimit një përzierje pikëpamjesh, së paku në rrafshin kulturor, dhe me kalimin e kohës edhe në rrafshin ideor. Kështu që, ashtu siç botëkuptimet janë themelet, mbi të cilat ndërtohen dhe ngrihen kulturat e ndryshme, ashtu edhe kulturat e ndryshme iu japin ngjyrimet e tyre botëkuptimore kulturave pritëse. Nuk ka asnjë element kulturor që nuk përçon një botëkuptim të caktuar, sado neutral që të duket.

Në realitet është e vështirë të gjesh një kulturë njerëzore, e cila është aq puritane, sa çdo element i saj të jetë pastërtisht vetëm reflektim i botëkuptimit të saj themelor. Kulturat shkëmbejnë mes tyre, dhe sa më afër që të jenë nga çdo pikëpamje, do të marrin dhe japin mes tyre në masa të ndryshme, në varësi të shumë rrethanave, përmes së cilave kalojnë shoqëritë njerëzore, qofshin këto historike, gjeopolitike e ekonomike etj.

Botëkuptimet përbëjnë tharmin ideor të kulturës, apo zemrën dhe organet jetike të saj, ndërsa vetë kultura trupin, mishin dhe gjakun e produktit kulturor njerëzor. Duke qenë të tilla, kulturat duhet të gjykohen në raport me botëkuptimin e tyre themelues, se sa ato e reflektojnë pastërtisht këtë botëkuptim, pavarësisht origjinës etnike apo lokale nga ato vijnë. Kështu që gjykimi i botëkuptimeve nuk nis nga kulturat, sepse ato marrin dhe japin vazhdimisht, përtërihen dhe bjerren në varësi të rrethanave komplekse, por nga thelbi i vërtetësisë së tyre. Dhe më e rëndësishmja, një kulturë nuk duhet të gjykohet nga pamja e saj e jashtme, por nga kumti botëkuptimor që ajo kumton. Kështu që nisur nga kjo e vërtetë, një kulturë apo traditë mund të gjykohet si e mirë ose jo e tillë, vetëm nëse ajo buron dhe përçon një botëkuptim të vërtetë ose jo të tillë.

E pra, kultura e sotme perëndimore, e mbizotëruar historikisht nga pikëpamje agnostike, ateiste, deiste, politeiste, si dhe natyrisht nga mbetje të pikëpamjeve judeo-kristiane, nuk mund të shërbejë kurrë si etalon matës për kulturën islame, që përtej çdo shartimi dhe atavizmi të mundshëm historik, në vende dhe popuj të ndryshëm, ka në themel të saj monoteizmin puritan. Ndaj dhe krahasimi mes këtyre dy botëve, në thelb duhet nisur nga monoteizmi i njërës dhe politeizmi i tjetrës, dhe jo nga ngjyra e cohës së rrobave, modeli i veshjes, lloji i teknologjisë së përdorur, apo sasia e parave që kanë sot nëpër banka.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit