1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kulmi i drejtësisë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar thotë në suren en-Nisa, ajeti 135:

“O ju që keni besuar! Të jeni përherë dëshmues të së drejtës për hir të Allahut, edhe nëse kjo është kundër vetes suaj, kundër prindërve tuaj ose kundër të afërmve tuaj, qoftë ai (për të cilin dëshmohet) i pasur a i varfër, sepse Allahu është më parësor se ata (të dy). Mos ndiqni ndjesitë e t’i shmangeni drejtësisë! Nëse shtrembëroni faktet ose tërhiqeni (nga drejtësia), (dijeni se) Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju.”

Allahu është i drejtë dhe i do të drejtët dhe drejtësia nuk njeh afërsi gjaku dhe as interesi, përndryshe, ajo nuk është më drejtësi. Norma që vendos Allahu më sipër, që njerëzit të përmbushin drejtësinë është më e vështira dhe më e rënda për njerëzit, sepse me të, Allahu sprovon egoizmin e njeriut, marrëdhëniet e tij sociale dhe ndjenjat e tij më të thella për veten, të dashurit e tij dhe ata që e rrethojnë.

Të dëshmosh kundra vetes nuk është e lehtë, por në disa raste është shumë më e vështirë të dëshmosh kundra familjarëve dhe të afërmve të tu, sesa ndaj vetes, sepse të kaplon ndjenja e fajësisë së tradhtisë dhe mosmirënjohjes ndaj tyre. Dhe Krijuesi i njerëzve e di shumë mirë këtë dobësi njerëzore, por Ai i kujton atyre se është pikërisht Ai, më parësor se çdokush tjetër, dhe tradhtia ndaj Tij është më e madhe se çdo gjë tjetër.

Pra, të dëshmosh të vërtetën, qoftë edhe kundra të afërmve të tu është një akt drejtësie që kënaq Allahun, edhe pse mund të zemërojë të afërmit dhe të bën të ndjehesh shumë keq, si tradhtar apo bukëshkalë ndaj tyre, por dëshmia e rreme apo fshehja e së vërtetës është tradhti ndaj Krijuesit, është tradhti ndaj moralit, është tradhti ndaj së vërtetës, është tradhti ndaj parimeve më të larta, mbi të cilat Zoti ka ngritur qiejt dhe tokën.

Ditën e Gjykimit, kur e gjithë e vërteta do të dalë në shesh, do të shihet se si shumë prej njerëzve u mbajtën hatërin të afërmve dhe miqve të tyre para hatërit të Allahut dhe kjo, pa diskutim, do të jetë barrë shumë herë më e rëndë se barrët dhe pasojat e të dëshmuarit drejt në këtë botë.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit