Shkruan: Agim Muhaxheri
Humorist, gojëmbël, magjik, zemërmirë…
Një pjesë të jetës Dulla e çoi brenda hekurave, si i burgosur politik. Ai ishte njëri nga organizatorët e demonstratave të 5 majit 1981 në Kaçanik. Shumë vite i kaloi në mërgim, Lucern të Zvicres, ku edhe u varros. Miqtë e tij e kujtojnë si gojëmbël, zemërmirë… Me humorin e tij i bënte të tjerët për vete, i shkarkonte nga streset…
———————
“Ku je vëlla, zemër, loçkë…”. Me këto fjalë Abdullah Çallaku u drejtohej bashkëvendasëve të tij, kaçanikasëve, por edhe të tjerëve.
Me humorin e tij të fuqishëm, i bënte të qeshin. Iu jepte zemër, kurajo, të mos dorëzoheshin para sfidave të jetës…
Një pjesë të madhe të jetës e kaloi në Lucern të Zvicres.
Miqtë e thërrisnin Dullë, më të rinjtë – Aga Dullë.
Vishej me elegancë. Mbante në duar tespihet. E praktikonte fenë… Falej në xhaminë e Koxha Sinan Pashës në Kaçanik dhe në xhamitë e Zvicres.
Herë pas here vinte në Kaçanik, dy tri herë në vit. Ishte i lidhur me vendlindjen.
I merrte njerëzit n’gryk, përshëndetej me ta si vëllai me vëllain.
Qëndronte në çajtoren e agës Nerkush, bri shelnjes, Urës së Konakut.
Lajmi për shuarjen e tij në Lucern të Zvicres, më 16 janar 2017, shumëkujt ia ndali frymën.
Dy ditë pasi ndërroi jetë, varroset në Lucern.
Faqja në internet “S’je kaçanikli, nëse…” publikon një video ku shihet ceromoniali i varrit të tij.
Kush ishte Abdullahu ?
Ishte pika e djalit, inteligjent, i afërt. Nuk e hidhëronte askë. Reflektonte pozitivitet.
Si e njoha mikun tim, Dullën ?
E njoha nga jeta studentore në Prishtinë. Ai studionte letërsinë dhe gjuhën shqipe, unë drejtësinë.
E kisha cimer (në vitet ’77/ ’78). Gjatë studimeve banonim në Breg të Diellit, aty afër shtëpisë së akademik Mark Krasniqit. Cimerët e tjerë ishin, vëllai im Milaimi, Fadili (Gula) dhe Muharremi (Topojani).
Muharremi para se të rrekej me studime, si student i gjuhës frenge, kishte kryer zanatin e berberit.
Usta Muharremi naj qethte flokët…
Dulla i lexonte gazetat… Edhe ato serbe – “Zabavnikun”. Pasion pati fjalëkryqet.
Telashe i nxori lënda e marksizmit.
Profesori i marksizmit ia hëngri shpirtin.
Një ditë para se të hyj në provim te profesori i marksizmit, Idriz Rexha ia grahëm lojës me karta, lojës së pishpirikut dhe tabllanetit.
Luanim në çift, dy me dy. Dulla i thoshte Muharremit: Gjuje një letër të mirë, o Idriz Rexha… Cimerët binin barkas, mezi përmbaheshin nga të qeshurat. Qeshte edhe Muharremi.
Në njërin nga afatet Dulla e dha provimin nga marksizmi. Me të hyrë në oborrin e banesës, për të treguar se e ka dhënë provimin, bëri ‘sallta’…
Miku e kolegu im, Daut Shehu, tash profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe, rrëfen:
“Në vitin 1981, në shkurt dhe mars kemi banuar bashkë unë, Hysen Shurdhani, Dulla dhe Adnan Shehu. Pasi plasën demonstratat, në fillim të prillit e braktisëm Prishtinën…”.
Një pjesë të jetës Dulla e çoi brenda hekurave, si i burgosur politik. Ai ishte njëri nga organizatorët e demonstratave të 5 majit 1981 në Kaçanik.
Arma e fuqishme e tij ishte humori.
Me humor i çarmatosi milicët, gjykatësit…