Ata që kanë dalë të gjallë nga burgjet Izraelite, janë përplot me histori të tmerrshme të torturave. Kur 14-vjeçarja Istabrq Noor u dërgua në një qendër të paraburgimit më 21 tetor 2015, ajo nuk ishte e sigurt se do të kthehej gjallë
Ramallah
Të premten, kur palestinezët në mbarë botën do të shënojnë Ditën e të Burgosurve, Istabrq Noor kujton ditët e tmerrshme që i kaloi në qendrat e paraburgimit në Izrael.
Këtë vit ka një shqetësim të shtuar për të burgosurit, pasi ato jo vetëm që janë të ekspozuar ndaj përndjekjes, por edhe ndaj kërcënimit të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Ata që kanë dalë të gjallë nga burgjet Izraelite, janë përplot me histori të tmerrshme të torturave. Kur 14-vjeçarja Istabrq Noor u dërgua në një qendër të paraburgimit më 21 tetor 2015, ajo nuk ishte e sigurt se do të kthehej gjallë.
“Ushtarët izraelitë filluan me të shtëna dhe më plagosën. Më pas ata më tërhoqën nëpër rrugët e rrezikshme malore. Kolonët hebrenj po përpiqeshin të më rrëmbejnë nga ushtarët. Mendova se është fundi i jetës sime”, tha ajo teksa përshkroi momentet e arrestimit të saj.
Noor u arrestua në fshatin e saj malor, Madama, afër Nablusit, në afërsi të të cilit gjendet vendbanimi hebre Yitzhar. “Ushtarët më rrihnin teksa plagët e plumbave vazhdonin të rridhnin gjak. Ata më bërtitën duke më ofenduar”, tha Istabrq.
Ish të burgosurit thonë se ata jo vetëm që i nënshtrohen keqtrajtimit, por edhe racizmit.
Në Spitalin Schneider pranë qytetit Jaffa, kur Istabrq u kthye në vetëdije, ajo ishte e prangosur ndërsa këmbët i ishin lidhur me zinxhirë për shtrati.
“Oficerja grua, duke më shoqëruar, më drejtohej me të shara provokuese raciste, duke u tallur me mua dhe duke kënduar këngë që përshkruan vuajtjet e fëmijëve palestinezë nën okupim për të më irrituar mua”, tha ajo.
Gjatë periudhës sa ishte e burgosur, ajo u transferua në spital shumë herë me pranga, këmbë të lidhura dhe e shoqëruar nga njësia Nahshon e Ushtrisë Izraelite, përgjegjëse për shoqërimin e të burgosurve.
Qytetarët izraelitë në spital vazhdonin të më fyenin dhe bënin komente raciste, thotë Noor për Anadolu Agency (AA).
Ajo tha se gjatë marrjes në pyetje në spital, autoritetet e inteligjencës izraelite e kanë kërcënuar se do të arrestojnë familjen dhe do të prishin shtëpinë e saj. Shamia e saj u konfiskua dhe iu kthye pas 40 ditësh.
– Kërkime poshtëruese
Pas katër ditësh në spital, Istabrq u mbajt në një qeli të izoluar në burgun në Ashkelon, ku ajo nuk kishte rroba përveç veshjes së spitalit. Çdo herë, udhëtimi nga burgu në gjykatë ishte edhe më poshtërues. Vajza 14-vjeçare iu nënshtrua kërkimeve të sikletshme.
“Isha e detyruar të kaloj një inspektim duke qenë e zhveshur, oficeri m’i hiqte fashat. Ishte jo vetëm e dëmshme në aspektin mjekësor por edhe poshtëruese”, tha ajo.
Të gjithë të burgosurit palestinezë u nënshtrohen kontrolleve degraduese.
Pasi kaloi 40 ditë në burg, ajo u transferua në burgun Hasharon, në fillim të dhjetorit të vitit 2015, në kushte të vështira shëndetësore dhe në një dimër shumë të ftohtë. Ajo ishte mbajtur në një qeli burgu, ku kishte 15 adoleshentë dhe 30 të rritur.
“Trupi Përfaqësues i të Burgosurve luajti një rol kritik në infermierinë e një vajzeje të plagosur dhe në përgatitjen e një programi për ta përfshirë atë në aktivitete të ndryshme. Ne po mësonim anglisht, hebraisht, matematikë dhe artizanat”, thotë Noor për AA.
Babait dhe motrës së saj iu lejua ta takonin për herë të parë pas 6 muajsh paraburgim. Nënës së saj iu mohua vazhdimisht leja për të vizituar vajzën e saj gjatë 20 muajve të paraburgimit.
“Xhaxhai im që ishte vetëm 18-vjeç ishte dënuar me burg të përjetshëm. Gjatë kohës sa isha e burgosur, ai vazhdonte të më dërgonte letra të shkruara duke kërkuar që të qëndroja e durueshme dhe të mos ndalesha kurrë të ëndërroja”, tha ajo, duke shtuar se ëndrrat janë miqtë më të mirë të të burgosurve.
Natën e fundit në burg, ajo rikujtoi se të burgosurit kishin shkruar letra lamtumire dhe kishin përgatitur suvenire të bëra me dorë për të, të cilat janë thesare të paçmueshme për të.
Që nga viti 1967, forcat izraelite kanë arrestuar mbi 13 mijë gra palestineze. Gjatë viteve 2015-2016, mbi 20 vajza adoleshente u arrestuan në pika të ndryshme kontrolli të ushtrisë ndërsa ndaj shumë prej tyre ishte shtënë me armë.
Sipas Komisionit të Çështjeve të të Burgosurve dhe ish të Burgosurve, 5 mijë të burgosur aktualisht gjenden në burgjet izraelite, përfshirë 41 gra, 180 të mitur dhe 430 të paraburgosur administrativ. Autoritetet izraelite kanë lëshuar 92 urdhra të rinj për paraburgim administrativ.
Gratë palestineze mbahen në burgun Al-Damon afër Haifas, 16 prej tyre janë nëna, 12 janë paciente me sëmundje kronike dhe tetë ishin qëlluar në kohën e arrestimit.