2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kujdesi për foshnjat në dimër dhe sëmundjet më të shpeshta

Më të lexuarat

Temperaturat e ulëta nuk janë pengesa për shëtitjet gjatë dimrit me fëmijët tuaj. Gjyshet sigurisht nuk do të pajtoheshin në lidhje me këtë, por foshnjen duhet që çdo ditë ta ekspozoni në ajër të pastër. Me foshnjet që kanë lindur gjatë periudhës së dimrit duhet të jemi më të vëmendshëm dhe të prisni të mbushin muajt e parë që të fillojmë me shëtitjet. Kohëzgjatjen e shëtitjes duhet rritur gradualisht nga dita në ditë që të mësohet foshnja me ajrin e pastër. Temperaturat e ulëta nuk janë pengesa për shëtitjet, përderisa nuk ka rënie të temperaturës në -5 gradë Celsius. Të vetmet pengesa në dimër janë era, shiu apo bora me shi, si dhe mjegulla. Meqë dimrit paraditet janë më të ngrohta, mundohuni që ritmin e foshnjes ta sinkronizoni dhe të shëtitni çdo ditë paraditeve. Shëtitjet me prindërit apo edhe me gjyshërit, përmirësojnë në përgjithësi gjendjen e fëmijës, sepse ajri pastër ndikon në apetit, gjumë, disponim si dhe në rezistencën ndaj infeksioneve. Gjatë shëtitjes foshnja mëson tingujt, objektet, ambientin, njihet me botën e jashtme si dhe anasjelltas.

Si ta vishni beben në dimër?

Meqënëse tek vogëlushët deri në dy vjeç, trupi adaptohet me vështirësi me temperaturat e ulëta dhe mund të ftohet lehtë, duhet që t’i veshim mirë me rroba më të trasha. Kapelet, shalli dhe dorëzat janë pjesë të rëndësishme të veshjes gjatë dimrit, si dhe me rëndësi të veçantë janë çizmet të cilat duhet të jenë të përshtatshme për dimër, nëse foshnja juaj ka filluar të ecë. Nëse fëmija juaj ka filluar të ecë dhe të kënaqet në dëborë, në rastet nëse rrobat dhe çizmet i janë lagur atëherë duhet t’i ndërroni menjëherë. Fëmija sipas rregullit duhet veshur ashtu si vishen prindërit. Por, edhe nëse jashtë është vetëm pak freskët, foshnja duhet të mbajë kapele. Nëse temperatura është rreth zeros, veshët e foshnjes duhet të jenë të mbuluara me kapele, duart me dorëza dhe fyti me shall. Nëse fryn erë, me shallin e foshnjes duhet ti mbulohet edhe fytyra por jo edhe hunda. Gjithsesi, në periudhën e dimrit merrni me vete gjatë shëtitjes edhe mbrojtësen për karrocë, në rastet e ndërrimit të motit, mund ta mbroni foshnjen tuaj. Po ashtu, edhe nëse gjatë shëtitjes bëhet ngrohtë, mund ti hiqni ndonjë nga palët e rrobeve nga foshnja. Kur hyni në ndonjë ambient të ngrohtë, madje edhe për ca minuta, foshnjen duhet ta bëni të ndihet rehat. Duhet të keni kujdes që të mos e mbështjellni foshnjen së tepërmi, sepse mund të pësojë ndonjë sulm termik. Ekspertët pohojnë që mbështjellja e foshnjeve gjatë muajve të dimrit, kur gripi dhe infeksionet tjera respiratore janë më të përhapura, mund të shkaktojë sindromin e vdekjes së papritur të foshnjave (SIDS).

Sa kohë duhet kaluar jashtë në ajër të pastër gjatë dimrit?

Se sa kohë do të kaloni në ajër të pastër varet nga temperatura e jashtme. Nëse temperatura është e ulët, edhe nëse foshnja e mbështjellur mirë nuk do të duhej të qëndrojë gjatë jashtë. Nëse foshnja i ka duart e nxehta dhe po ndihet mirë, atëherë mund të qëndroni jashtë ende. Nëse duart e foshnjes janë të ftohta dhe ajo është e parehatshme, atëherë sigurisht është koha të hyni brenda (përveç në rastet kur mund të jetë edhe e uritur, e etur apo nëse e ka bërë nevojën) atëherë është koha t’i ktheheni ngrohtësisë së shtëpisë suaj. Nëse fillon të qajë, gjithsesi përfundojeni shëtitjen.

A i duhet mbrojtje e veçantë lëkurës së foshnjes gjatë dimrit?

Lëkura e foshnjes mund të bëhet e thatë dhe mund të pësojë ndryshime nga era. Për këtë përdorni ndonjë krem të posaçëm për lëkurën e foshnjave. Nëse jeni në pushime në vende ku ka shumë dëborë, fëmija do të duhej të përdorë syze mbrojtëse si dhe krem me faktorë të lartë mbrojtës. Për zgjedhjen dhe përdorimin e kremit konsultohuni me pediatrin tuaj sepse sikurse tek të rriturit edhe tek fëmijët lëkura e tyre ndryshon. Sapunet dhe kimikatet e thajnë lëkurën, për këtë në periudhën e dimrit duhet t’i përdorni me masë. Pas larjes mos e fërkoni lëkurën e foshnjes, vetëm thajeni me peshqir. Gjatë periudhës së dimrit është mirë që të keni lagështi në ajrin e dhomës së foshnjes, që t`ia lehtësoni frymëmarrjen.

Cilat rreziqe i kanosen foshnjes gjatë dimrit?

Duhet të merakoseni nëse hunda, veshët, faqet apo gishtërinjtë e foshnjes mbeten të ftohta dhe marrin ngjyrë blu-hiri. Kjo tregon morth dhe mund të shkaktojë lëndime serioze. Në këtë rast foshnja duhet ngrohur urgjentisht: ndoshta këtë mund ta bëni ju, zhvishni pallton tuaj dhe përqafojeni foshnjen që t`ia rritni temperaturën e trupit përmes temperaturës tuaj të trupit dhe sa më shpejt që mundeni shkoni tek mjeku. Nëse nuk keni mundësi që të vizitoni mjekun, mundohuni që ta ngrohni foshnjen në shtëpi, sepse mund të përkeqësohet situata. Vendin e ngrirë të trupit duhet ta ngrohni në ujë i cili është i ngrohtë pak mbi temperaturën normale të trupit, në asnjë mënyrë më shumë se 39 gradë Celsius (gjithsesi përdorni termometër!).

Sëmundjet e fëmijërisë

Ka kaq shumë sëmundje të fëmijërisë, infektive dhe jo infektive, sa do të ishte e pamundur për t’i listuar të gjitha këtu. Megjithatë, do t’ju prezantojmë disa nga më të zakonshmet, duke përfshirë infeksionet virale dhe bakteriale, si dhe sëmundjet alergjike dhe imunologjike.

1. Infeksionet e veshit

Infeksionet e veshit janë shumë të zakonshme tek fëmijët dhe shkaktohen nga një mosfunksionimi i tubave që lidhin veshin e brendshëm me fytin dhe që shërbejnë si një filtër për çdo lëng që mund të mblidhet atje. Kur lëngu mblidhet, ai tërheq bakteret dhe mikrobet e tjera, të cilët mund të shumohen dhe të shkaktojnë një infeksion simptomatik. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje veshi, vakuum në vesh, apo edhe kullim nga kanali i veshit. Trajtimi i infeksioneve të veshit mund të përfshijë vëzhgimin apo antibiotikët. Herë pas here, lëngu brenda veshit të mesëm mund të kenë nevojë të përthithet.

2. Skuqja e syve

Përskuqja e syve quhet ndryshe konjuktivit. Virusi është shkaku më i zakonshëm i përskuqjes së syve, por edhe infeksionet bakteriale mund ta shkaktojë atë me raste. Skuqja e syve është shumë ngjitëse dhe mund të përhapet nëpër shkolla dhe kopshte, me shpejtësi. Gjithmonë flisni me një profesionist të kujdesit shëndetësor për të përcaktuar nëse fëmija mund të ketë nevojë për një terapi shtesë, por shumica e rasteve zgjidhen brenda pesë ditëve.

3. Rotavirusi

Infeksioni rotavirus është përgjegjës serioz dhe vdekshmërinë tek fëmijët në vendet më pak të zhvilluara, ku qasja ndaj vaksinës rotavirus është e kufizuar. Infeksioni shkakton ethe, të vjella dhe diarre të rënda tek fëmijët. Kjo shpesh mund të sjellë probleme serioze me dehidratimin, sidomos tek fëmijët e vegjël dhe foshnjat. Para futjes së vaksinës në Shtetet e Bashkuara, infeksion rotavirus, ishte një shkak shumë i zakonshëm për t’u pranuar në spital. Studimet e tanishme tregojnë se virusi ka rezultuar deri në 95% më pak shtrime për shkak të infektimit rotavirus në spitale, si rezultat i vaksinimit.

4. Lia e dhenve

Lia e dhenve shkaktohet nga virusi i varicelës. Vaksinimi është rutinë në kohët e sotme dhe është e rrallë të shohësh një rast të rregullt të kësaj sëmundjeje tani. Para vaksinës, kjo sëmundje ishte një shkak shumë i zakonshëm i shtrimit në spital. Edhe pse infeksioni i lisë së dhenve është zakonisht një ngjarje beninje (por e pakëndshme) në jetën e një fëmije, ekziston një rrezik i madh i komplikimeve të rënda, duke përfshirë edhe infeksionet bakteriale të lëkurës, pneumoninë dhe sëmundje të tjera. Kjo është arsyeja që vaksinimi rekomandohet dhe duhet të jetë rutinë.

5. Fruthi

Virusi i rubeolës shkakton fruthin dhe ai dikur ishte një infeksion shumë i zakonshëm i fëmijërisë, para vaksinimit rutinë. Për fat të keq, për shkak të një norme në rritje të refuzimeve të vaksinimit nga prindërit, kanë filluar të vërehen shpërthime sporadike, tek këta grupe. Fruthi është një sëmundje akute virale që mund të sjellë komplikacione të rënda, madje edhe vdekjen dhe në përgjithësi fillon me simptoma jospecifike, të tilla si temperaturë të lartë, rrjedhje hundësh dhe kollë. Pas këtyre simptomave, pacientët shfaqin skuqje të lëkurës që përhapet nga fytyra tek këmbët. Simptomat zakonisht fillojnë një deri në dy javë pas ekspozimit dhe zgjasin më pak se një javë.

6. Shytat

Shytat përfaqësojnë një sëmundje virale që zakonisht fillon me simptoma të gripit dhe pastaj rezulton në ënjtje të dhimbshme akute të gjëndrave të pështymës (parotitit). Para vaksinimit rutinë, kjo ishte një sëmundje shumë e zakonshme. Simptomat zakonisht paraqiten më shumë se dy javë pas ekspozimit dhe sëmundja zgjat 7 deri në 10 ditë. Si shumë nga sëmundjet virale të fëmijërisë edhe pse shumica e infeksioneve janë të buta, ekziston një rrezik i vërtetë për komplikime, duke përfshirë meningjitin dhe vdekjen.

7. Rubeola

Rubeola, e njohur gjithashtu si fruthi gjerman, shkakton sëmundje të lehta në shumicën e individëve. Ky nuk është rasti, për gratë shtatzëna të pavaksinuara. Virusi mund të shkaktojë defekte serioze dhe fatale të lindjes tek fetusi. Vaksinimi është rutinë dhe ka rezultuar në një rënie të madhe së përhapjes së kësaj sëmundjeje. Virusi fillon si ethe dhe skuqje e lëkurës dhe në shumicën e rasteve, largohet pas dy deri tre ditësh.

8. Meningjiti

Meningjiti është një inflamacion i indeve që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore (meninges). Viruset ose bakteret mund të shkaktojnë meningjit. Simptomat përfshijnë dhimbje koke, ngrirje qafe, ethe dhe gjendja të keqe shëndetësore në përgjithësi. Vaksinimi rutinë ka zvogëluar shpeshtinë e prekshmërisë të shumë shkaqeve bakteriale, megjithatë, shkaqet virale janë ende të zakonshme. Meningjiti bakterial mund të sjellë pasoja të rënda, duke përfshirë humbje të përhershme të dëgjimit, dëmtime të trurit, madje edhe vdekje.

9. Ethet e purpurta

Një infeksion streptokoku shkakton ethet e purpurta, që mund të shfaqen pas infeksionit në fyt. Ky është një infeksion i zakonshëm dhe fillon me ethe dhe ndoshta dhimbje fyti, i ndjekur nga një skuqje e lëkurës, që fillon në gjoks dhe përhapet në pjesët e tjera të trupit. Antibiotikët këshillohen për të zhdukur bakteret dhe për të parandaluar ethet reumatike dhe sëmundjet reumatike të zemrës.

10. Gripi

Gripi zakonisht shfaqet gjatë muajve të dimrit dhe shkakton temperaturë të lartë, të dridhura, dhimbje të trupit dhe simptoma të tjera. Ai zakonisht largohet vetë, por tek disa, kjo mund të rezultojë në komplikacione të rënda duke përfshirë edhe pneumoninë.

11. Alergjitë sezonale

Alergjitë sezonale janë fatkeqësi e shumë fëmijëve dhe të rriturve. Sekrecionet e hundëve, teshtitjet, sytë e fryrë janë të gjitha simptoma të zakonshme të alergjive. Për fat të keq, nuk ka shërim për këto, megjithatë, ka mjekime që mund të merren për të pakësuar simptomat. Antihistaminantët janë në dispozicion edhe si recetë edhe si përgatitje mjekësore pa recetë dhe mund të merren me rrugë orale apo të përdoren si spruco për hundët dhe madje edhe si pika në sy. Qëllimi është të zvogëlohet ashpërsia e simptomave.

12. Astma

Astma relativisht është sëmundje e fëmijërisë. Prindërit duhet të dinë se nuk bëhet fjalë për ndonjë sëmundje fatale dhe nëse shërohet në mënyrë adekuate, rezultati është i mirë. Përvoja tregon se shumë prindër, duke mos dashur ta pranojnë diagnozën dhe terapinë bashkëkohore të astmës, drejtohen në veprime të ndryshme alternative, të cilat ndonjëherë edhe mund ta dëmtojnë fëmijën. Shpeshherë simptomat e astmës nuk vërehen as nga prindërit, e ndonjëherë as edhe nga mjekët.

13. Temperatura e lartë

Temperatura e lartë është simptomë e shpeshtë në fëmijëri, e cila te prindër pa kulturë mjekësore dhe pa eksperiencë të mjaftueshme shpesh shkakton stres dhe panik. Temperatura trupore normale është 37 0C.

14. Ftohja

Kjo është sëmundja më e shpeshtë për shkak të cilës fëmijët dërgohen tek mjeku. Mesatarisht gjatë vitit fëmijët ftohen mes 6-8 herë. Numri më i madh i ftohjeve janë të shkaktuara nga viruset të quajtura rinoviruse (në greqisht rino do të thotë hundë). Rënia e imunitetit manifestohet si dhembje fyti, kokëdhembje dhe pengesë në frymëmarrjen përmes hundës. Përkundrejt besimeve të përhapura se do të ftoheni nëse nuk visheni mirë, nëse fleni apo rrini në rrymë ere ose dilni jashtë me flokë të lagura, kjo nuk është e vërtetuar. Së pari shfaqet ndjenjë gërvishtjeje në fyt dhe rrjedhje hundësh ose hundë të zëna dhe teshtitje. Përveç kësaj fëmijët mund të ankohen në dhembje fyti, kollitje, kokëdhembje, temperaturë mesatarisht të lartë, plogështi, dhembje muskujsh dhe humbje oreksi. Ftohja është ngjitëse në 2-4 ditët e para pasi që shfaqen simptomat. Fëmija juaj mund të sëmuret ashtu që do të thith pjesëza të virusit që përhapen në ajër përmes teshtitjes dhe kollitjes të fëmijëve tjerë ose me kontakt direkt. Fëmija juaj do të sëmuret nëse e prek gojën ose hundën, pasi që paraprakisht ka prekur ndonjë sipërfaqe të kontaminuar me rinoviruse.

15. Urinim i pavullnetshëm natën

Me termin “urinim natën”, emërtohet urinimi i pavullnetshëm gjatë të fjeturit. Duhet të dallohet nga urinimi ditën, kur urinimi i pavullnetshëm ndodh gjatë ditës. Urinimi natën haset shpesh tek fëmijët. Llogaritet si problem, nëse paraqitet te fëmijë meshkuj më të mëdhenj se 6 vjet dhe te vajza më të mëdha se 5 vjet. Urinimi i pavullnetshëm natën është frustruese edhe për fëmijën edhe për prindërit, duke shkaktuar ndjenjë të nënçmimit te fëmija. Asnjëherë nuk duhet të hidhërohemi e as të dënojmë fëmijë që urinon natën, pasi që ai këtë nuk e bën me vullnet. Sipas një teorie është prezent çrregullim i gjumit dhe i qendrës për zgjim në trurin e madh. Këta fëmijë flenë shumë fortë dhe nuk zgjohen kur do të fitojnë shtytje për urinim. Sipas një teorie tjetër bëhet fjalë për çrregullim / mungesë e hormonit të hipofizës, i cili normal tajitet gjatë natës dhe shpie deri tek krijimi i një sasie më të vogël të urinës gjatë natës./CRI

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit