0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kujdes nga teknologjia, gjysma e botës drejt miopisë

Më të lexuarat

Ndryshimi i stilit të jetesës dhe kalimi i një kohe më të gjatë përpara ekraneve të pajisjeve teknologjike do të ndikojnë negativisht në shikimin e njerëzve në dekadat në vijim, thonë kërkuesit.

Gjysma e popullatës së botës do të jetë miope deri në vitin 2050 për shkak të teknologjisë. Deklarata është bërë nga Brien Holden, studiues në institutin “Brien Holden Vision”, në Sidnej të Australisë. Ai shpjegon se ky problem te njerëzit do të vijë për shkak të ndryshimeve të stilit të jetesës dhe shikimit të ekraneve të kompjuterit gjatë gjithë kohës. Ky është një tetëfishim i rritjes së numrit të syzeve te miopët në vetëm disa dekada.
Studimi analizoi 145 kërkime që kanë pasur 2.1 milionë pjesëmarrës, të cilat datojnë nga viti 1995 e deri më tani. Kjo analizë e të dhënave i lejoi ata të vlerësojnë ndryshimet e së ardhmes. Rezultatet treguan se 1.4 miliardë njerëz (23 për qind e popullatës së botës) vuante nga miopia në vitin 2000, që pritet të rritet në 4.8 miliardë njerëz në vitin 2050.
Përse po përkeqësohet shikim ynë?
Shtimi i miopisë shihet gjerësisht si i nxitur nga faktorët mjedisorë, ndryshimet në stilin e jetesës që vijnë si pasojë e një kombinimi të kalimit të më pak kohe në natyrë dhe rritjes së aktiviteteve të punës.

 
Kjo do të thotë se ne po ua ngulim më gjatë sytë ekraneve, po punojmë më tepër në mjedise të brendshme dhe shikimi i objekteve nga afër po dëmton shikimin tonë në largësi.
Studimi parashikon më tej që miopia do të bëhet shkaku kryesor i humbjes së shikimit deri në vitin 2050, me një rritje shtatëfish të miopisë patologjike, duke e bërë atë edhe arsyen më të rëndësishme që do të shkaktojë verbëri të përhershme.
Këto janë shifra alarmante, por këto ndryshime do të jenë gjithashtu të kushtueshme. Sipas raportit, në vitin 2010 barra ekonomike e shikimit të keq në distancë vlerësohet se kushtoi 202 miliardë dollarë. Kjo shifër shpenzimi për shikim pritet të rritet teksa sytë tanë degradojnë.
Autorët e studimit theksuan se këto shifra nuk llogarisin çdo veprim korrigjues në shikim. Ky është një skenar i rastit më të keq dhe do të ndodhë vetëm nëse nuk bëhet gjë për ta parandaluar. Ndonëse faktori ekonomik mund të mos ndihet shumë te popullsia e vendeve të zhvilluara, problemi duket se do të jetë më i madh te vendet në zhvillim dhe te të varfrit që nuk kanë akses në kujdesin shëndetësor.
Si të kujdeseni për sytë nëse përdorni teknologjinë?
Bëni kontrolle rutinë
Është shumë e rëndësishme që t’i kontrolloni sytë tuaj vazhdimisht, sepse vetëm kështu do të arrini të parandaloni ose të trajtoni problemet me shikimin. Sipas ekspertëve, personat që punojnë me kompjuterë duhet të kryejnë kontrolle shikimi çdo një vit.
Përdorni ndriçimin e duhur
Problemet me sytë shpesh vijnë edhe prej dritës së tepërt që përçojnë pajisjet teknologjike, por edhe prej dritës së diellit. Kur përdorni një kompjuter, tregohuni të kujdesshëm që të keni balancuar ndriçimin e tij me atë të ambientit, që të mos ketë kontrast të madh. Gjithashtu shmangni punën nën dritat fluoreshente.
Minimizoni reflektimin

 
Përpiquni të minimizoni reflektimin e mjedisit të jashtëm në pajisjen tuaj teknologjike duke përdorur një mbrojtëse. Muret e bardha mund të jenë gjithashtu një problem, përdorni një ngjyrë më të errët. Nëse mbani syze, blini xhama që kanë mbulim antireflektues, që të kufizoni sasinë e dritës që ju vjen në sy.
Përdorni një ekran LCD

 
Mos kurseni në teknologji për sa kohë shpenzoni shumë kohë në të. Sigurohuni që të jeni duke përdorur një ekran LCD dhe të sheshtë, i cili jua lehtëson punën dhe ju jep syve tuaj një mbrojtje më të madhe, krahasuar me ekranet e tjera.
Rregulloni parametrat e kompjuterit

 
Vendosni në normën e duhur ndriçimin, përmasat e tekstit dhe kontrastin në mënyrë që të përbëjnë një kombinim sa më të shëndetshëm për shikimin tuaj. Gjithashtu, tregoni vëmendje ndaj temperaturës së ngjyrës, për shembull përdorni më tepër ngjyra me gjatësi vale të mëdha sesa ngjyrat me gjatësi të shkurtër vale siç është bluja.
Pulitini sytë më shpesh
Pulitja e syve është shumë e rëndësishme kur punoni në kompjuter, pasi duke bërë kështu u jepni syve lagështinë e nevojshme dhe parandaloni thatësirën dhe irritimin. Kur punojnë në kompjuter njerëzit i pulitin sytë më rrallë, por kjo e dëmton shumë syrin.
Bëni pushime të shpeshta
Pakësojeni rrezikun te sytë tuaj kur rrini shumë përpara kompjuterit, si dhe dhimbjen e qafës, kurrizit dhe shpatullave duke bërë pushime më të shpeshta çdo ditë.
*Burimi: Fastcoexist.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit