1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

“Kujdes nënë, ata do të vrasin”, fjalët e fundit të 12 vjeçarit. Rrëfimi për masakrën e Reçakut në gazetën franceze

Më të lexuarat

“Kujdes nënë, ata do të vrasin”, ishin fjalët e fundit e Halim Beqirit, 12 vjeçar. Një plumb e goditi pas qafe. Kishte gjak në gojë. Isha dy metra larg. Serbët shtinin nga të gjitha anët. Nuk mund të afrohesha Ata vranë edhe burrin tim. Ai ishte pranë djalit tonë”, ka rrëfyer nëna e tij Ema për të dërguarin special të gazetës “Liberation”, në Kosovë, gazetari Pier Azan.download-6-600×360

Kështu Azan në atë kohë nisi artikullin kushtuar masakrës së Reçakut me titull “Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim”, kishte sjell edhe rrëfimin e Azemit, një burrë rreth të dyzetave për masakrën që ndodhi në Reçak.

“Burrat u ndanë në disa grupe. Nja 29 veta u dërguan mbi fshat. Na thanë se do na çonin në stacionin policor. Por dëgjoheshin krisma në të katër anët. Pjesa tjetër e grupit u dërgua në përrua. Policët serb i prisnin që t’i vrisnin. Të shtunën, trupat e këtyre 20 burrave ishin ende njëri mbi tjetrin, në pozicionin që ishin vrarë. Ishin ekzekutuar nga afër. Një vdekje e përgatitur dhe e ekzekutuar me gjakftohtësi. Në orën 17:00 serbët u tërhoqën. Të mbijetuarit filluan të lëvizin. Një nga shtëpitë e para të fshatit, afër xhamisë, ishte ajo e Banush Azem Kamberit, 62 vjeçar. Kufoma e tij pa kokë ishte pran shtëpisë së tij. Vëllai i tij, Bedriu, 55 vjeçar, kërkonte kokën. Fshatarët e gjetën më vonë”, vazhdonte rrëfimin Azemi.

Kurse, në artikullin tjetër me titull “Masakra e Reçakut, rrëfimi i një dëshmitari kryesor”, gazetari Pier Azan, sjell dëshminë e një vëzhguesi të OSBE-së, që gazetari e paraqiti në atë kohë me emrin Mike.

“Rreth orës 15:45, forcat serbe u larguan nga fshati dhe ne vendosëm të hynim në Reçak. Një duzinë civilësh ishin aty në një gjendje tronditëse. Njëri nga ta na zgjati diçka, njëri nga njerëzit e mi e mori. Papritmas konstatuam se ishte pjesë kafke. Përkthyesi ynë na shpjegoi se ky njeri sapo kishte gjetur kufomën e vëllait të vet, me kokë të copëtuar. Ne pamë një trup. Plumbi i kishte krisur mbi kokë dhe tërë kafka ishte copëtuar. Fshatarët na thanë se nja 20 burra ishin arrestuar. Një grua na tha se burrat ishin dërguar për ekzekutim”, rrëfente në atë kohë vëzhguesi i OSBE-së.
Gazetari vazhdonte rrëfimin duke thënë se ata janë kthyer në Reçak edhe të nesërmen në mëngjes, kurse pasdite aty ka arritur gjenerali William Walker, shef i Misionit të OSBE-së, i cili me t’u kthyer në Prishtinë në një konferencë për media tha se “unë i akuzoj forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjës për këtë masakër. Para disa ditësh, UÇK-ja liroi 8 ushtarë serbë. Prisnim një masë reciprociteti. E çka kemi në vend të saj? Vrasje të 40 civilëve të pafajshëm. Dëshiroj të di se kush ka dhënë urdhër. Duhet të dalin para drejtësisë. Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerizimit”, ka thënë Walker.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Qeveria e Serbisë në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, më 17 janar 1999, shpalli Walker-in “person nongrata”, dhe i dha një afat prej 48 orëve për t’u larguar nga Jugosllavia.

Kjo masakër ngjalli reagimet e njëpasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtare që propozuan një konferencë për Kosovën dhe që përfunduan me ndërhyrjen e NATO-së.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit